Presidenti Meta: Shëndeti i qytetarëve prioritet absolut. Të rriten testimet! Të rimbursohen ilaçet. Të përmirësohen kushtet në spitale

Presidenti Ilir Meta kërkon nga institucionet e qeverisë që të marrin të gjitha masat për menaxhimin e pandemisë. Në një intervistë dhënë për gazetarin Lutfi Dervishi në RTSH, Presidenti u shpreh se qeveria duhet të bëjë çdo gjë për të ndihmuar qytetarët. “Shëndeti i qytetarëve prioritet absolut. Të rriten testimet! Të rimbursohen ilaçet. Të përmirësohen kushtet në spitale”,- tha kreu i shtetit.

Pjesë nga intervista e kreut të shtetit, Ilir Meta

Pyetje (Lutfi Dervishi): Dy ditë më parë ju, me një adresim publik i keni kërkuar qeverisë marrjen  e masave të menjëhershme që kjo situatë të mos përsëritet. Dhe në fakt kalojmë tek pjesa e pandemisë, përballimi i pandemisë. Duke iu referuar gjendjeve të spitaleve të Tiranës dhe pritjes së pacientëve nëpër autoambulanca. Çfarë prisni pas kësaj thirrje, çfarë duhet të bëj qeveria që nuk e ka bërë në këtë situatë?

Presidenti Meta: Së pari, qeveria ka pasur shumë kohë për të bërë politika, edhe për të marrë shumë masa, të cilat nuk do të na kishin sjellë në këtë situatë. Por qeveria kaloi në eufori mbas përfundimit të valës së parë, të cilën e festoi me prishjen e Teatrit Kombëtar në kushtet e pandemisë. Nuk u përgatit për valën e dytë, sepse i ka pasur të gjitha mundësitë, i ka pasur të gjitha sugjerimet, i ka pasur rekomandimet edhe të organizatave ndërkombëtare, të Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Edhe këtu brenda vendit, të ekspertëve, të opozitës, të Presidentit, të të gjithëve dhe jemi në një situatë që nuk mund të krahasohemi me asnjë tjetër, për sa mbështesim këtë betejë kundër pandemisë në pikëpamjet e shëndetit publik.

Por, edhe në pikëpamje të biznesit i cili po vuan pasojat e kësaj pandemie, e sidomos biznesi i vogël, i mesëm e kështu me radhë, faktet janë konkrete.  Megjithatë, jemi në një situatë të rënduar dhe për mua është e rëndësishme të përmirësohet mekanizmi reagues, të ndihmohen sa më shumë njerëzit.

Të rriten kapacitet pritës për qytetarët që janë në gjendje të rëndë.

Të përmirësohen më tej kushtet në spitalet tona.

Të rritet transparenca.

Transparenca është e rëndësishme për të informuar publikun në kohë, por njëkohësisht edhe për të rritur besimin e publikut se sistemi ynë shëndetësor. Të konsolidohen protokollet dhe sidomos për ata që mjekohen në shtëpi, dhe të mbështeten dhe të ndihmohen sepse është e qartë që kemi të bëjmë me një virus të pabesë, i cili kërkon një ndjekje shumë të kujdesshme.  Sepse për një ditë, për dy ditë, situata mund të precipitojë në një mënyrë të pakthyeshme. Kërkon një alert të përgjithshëm të sistemit shëndetësor dhe një frymë bashkëpunimi, jo një arrogancë e cila vendos mbi profesionalizmin edhe që kërkon të mbysë çdo kritik, apo çdo shqetësim.

Edhe në qoftë se ka shqetësime që janë të tepërta prapë le të merren në konsideratë, sepse kemi të bëjmë me njerëz, me vuajtje, me shqetësime, me probleme të mëdha, kjo kërkon një frymë më të gjerë mirëkuptimi edhe humanizmi.

Pyetje: Pra kemi komitetin teknik të ekspertëve, opozita ka një komitet të vetin, Ju keni mbledhur një komitet ekspertësh. Çfarë mesazhesh japim le të themi kur kemi tre komitete që këshillojnë për pandeminë?

Presidenti Meta: Nuk mendoj se kemi se kemi tre komitete, këto janë shpikje të Kryeministrit. Ka një komitet që është Komiteti i Ekspertëve të qeverisë, i cili për mendimin tim e kam thënë që përpara, duhet të ishte më i pavarur dhe më profesional.  Megjithatë, përsëri nuk ka asnjë shqetësim në këtë drejtim, por që duhet të jetë shumë publik, më koherent, më informues, më bashkëpunues, se duket që shpesh është nën diktat politik. Dhe sigurisht që kemi ekspertë të ndryshëm të opozitës, apo të opinionit publik që japin mendimet e tyre nëpër forumet e ndryshme dhe, këtu nuk ka asgjë negative. Unë kam pasur mendimin tim që në fillim që në këtë komitet të përfshiheshin dhe përfaqësues nga opozita, sepse opozita ka mjekë shumë të shquar të këtyre fushave.  Do të kishte qenë më mirë, edhe për opinionin publik, edhe për situatën politike apo jo, në vend! Do të kishte qenë shumë më mirë në qoftë se do të kishim pasur një trup më të unifikuar, kuptohet pranë qeverisë. Po kjo gjë nuk u ndoq dhe natyrisht që nuk mund të ndalohen debatet dhe aq më tepër që situata ka ardhur duke u përkeqësuar.

Pyetje: Kur flasim për mjek, mjeku është mjek në çfarë do lloj rrethane pavarësisht etiketave politike.  Por, ekspertët janë të fushës kryesisht të mjekësisë dhe vendimet i merr ekzekutivi.  Ju çfarë dallimesh shikoni?

Presidenti Meta: Ekzekutivi duhet të marr në këtë rast vendime bazuar mbi propozimet e ekspertëve, jo ekspertët të marrin vendime mbi sugjerimet e ekzekutivit, sepse janë ata përgjegjës dhe kompetent për përballimin e kësaj pandemie.

Pyetje: Dakord, ata janë mjekë dhe kanë vetëm shëndetin.

Presidenti Meta: Po, patjetër. Qeveria në bazë të kërkesave të tyre, në bazë të protokolleve të tyre, duhet të ndërtojë buxhetin apo mbështetjen, të bëjë rialokime në buxhetin e shtetit, e gjithçka tjetër për të mbështetur ata. Jo mjekët të bëjnë ato gjëra që thotë qeveria në fushën e shëndetësisë, kjo është jashtë çdo standardi demokratik, njerëzor, human.

Pyetje: Atëherë, ka diçka që nuk shkon në konstrukt. Sepse Komiteti Teknik janë vetëm mjekë, dhe mjekët kanë parasysh vetëm ekspertizën e tyre në fushën e shëndetit. Por, për ta balancuar me ekonominë,  apo me shqetësime të tjera ose duhen ekspertë të tjerë ose duhet vendimmarrësit, që të bëjnë ekuilibrin.

Presidenti Meta: Kjo është çështje e vullnetit politik. Sepse çështja e buxhetit, është një çështje  rregulluese e manovrueshme nga ana e vetë qeverisë.  E rëndësishme është për pandeminë çdo gjë që duhet, për protokollet, për fuqizimin e kapaciteteve spitalore, duhet bërë çdo gjë siç thonë mjekët. Pastaj të tjerat se ku do të shtohet pak borxhi, apo se ku do hiqen disa shpenzime,  do shtohen disa te tjera. Ky është prioriteti i parë, derisa biem dakord që jeta e njerëzve është e para, kjo është e parë dhe kjo duhet lënë mjekëve, ekspertëve. Nuk duhet vënë ata në pozitën që kaq kemi dhe zgjidheni si të doni.

Pyetje: Ju jeni njohur me strategjinë që ka përgatitur Ministria e Shëndetësisë ditët e para të pandemisë. Çfarë sugjerimesh keni pasur  në lidhje me këtë strategji?

Presidenti Meta: Ne i kemi bërë këto dhe publike, jemi shumë të vonuar në krijimin e kapaciteteve të duhura, po kështu disa pajisje duheshin të ishin marrë prej kohësh mungojnë.  Mund të ishte bërë një orientim dhe duhet bërë për përdorimin shumë më i mirë i antiviraleve dhe për rekomandim e tyre, për ata që janë në kushtet e shtëpisë, përveç atyre që mjekohen nëpër spitale.  Duhet të ishin forcuar kapacitetet me reanimatorë më shumë, ka pasur shumë gjëra që mund, por edhe përsëri mund të bëhen sepse situata kritike do të vazhdojë, dhe mesa duket do të rëndohet për shkak edhe  të temperaturave. Gjithmonë ka mundësi për të bërë, në rast se dëshiron të jesh realist edhe i përgjegjshëm.

SHKARKO APP