Presidenti Meta takon homologun e Hungarisë
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, u prit sot nga Presidenti i Republikës së Hungarisë, János Áder, në Sheshin Szent György. Pas interpretimit të himneve kombëtare, të dy Presidentët zhvilluan një takim kokë më kokë e më pas bisedimet e zgjeruara zyrtare.
Presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera, historike e tradicionale midis dy vendeve dhe shprehu mirënjohjen e thellë për mbështetjet që Hungaria dhe hungarezët e kanë dhënë Shqipërisë e shqiptarëve në momente kyçe të historisë.
Në mënyrë të veçantë Presidenti Meta theksoi se shqiptarët gjjithmonë kur festojnë Ditën e Parëvarësisë shprehin mirënjohjen e tyre edhe për kombin hungarez, për mbështetjen e dhënë në fitoren e saj dhe ekzistencën e shtetit shqiptar.
Lidhjet u bënë edhe më të forta midis dy kombeve, kur 80-vjet më pare Princesha Geraldinë Appony u bë Mbretëresha e shqiptarëve – nënvizoi Presidenti Meta. Presidenti Meta shprehu gjithashtut mirënjohjen për mbështetjen e qartë dhe konsistente të Hungarisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Presidenti Meta, kërkoi mbështetjen e Hungarisë për arritjen e konsensusit brenda Këshillit të BE-së dhe mbështetjen e rekomandimit të Komisionit për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Duke u ndalur në bashkëpunimin dypalësh, Presidenti Meta, nënvizoi faktin se bashkëpunimi ekonomik e tregtar duhet t’i përgjigjet marrëdhënieve të shkëlqyera politike dhe potencialeve që dy vendet kanë, si në pasuri natyrore ashtu dhe në ato njerëzore.
Rivendosja e linjës direkte ajrore midis kryeqyteteve të të dy vendeve dhe hapja e Dhomës së Tregtisë së Hungarisë në Tiranë do të bëjnë që ky bashkëpunim të rritet ndjeshëm dhe që pas katër viteve ta festojmë 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me rezultate shumë positive edhe në këtë drejtim – nënvizoi Presidenti Meta.
Të dy Presidentët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm midis Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Budapestit për menaxhimin e ujit dhe shprehën besimin se ky bashkëpunim do të shtrihet edhe më tej, duke përfituar nga eksperienca dhe teknologjia hungareze në këtë fushë.
Më tej ata u ndalën edhe në zhvillimet më të fundit në rajonin e Ballkanit Perëndimor, si dhe sfidat e kërcënimet me të cilat vëndet e këtij rajoni po përballen. Presidenti hungarez Áder e siguroi Presidentin Meta për mbështetjen e Hungarisë, si në drejtim të integrimit evropian, ashtu edhe për nxiten e mëtejshme të bashkëpunimit ekononmik midis dy vendeve.
Më pas të dy Presidentët dhanë një konferencë të përbashkët shtypi.
Deklarata e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, në konferencën e përbashkët për shtyp me Presidentin e Republikës së Hungarisë, János Áder:
“Sot, kam nderin dhe kënaqësinë që të zhvilloj një vizitë zyrtare në Budapest me ftesë të Presidentit Áder, dhe përfitoj nga rasti ta falënderoj edhe njëherë për mikpritjen e ngrohtë e shumë miqësore që më krijoi.
Konstatoj me shumë kënaqësi interesin e përbashkët në rritje për ta thelluar bashkëpunimin dypalësh e forcuar atë gjithnjë e më shumë.
Marrëdhëniet midis dy vendeve tona janë të shkëlqyera, dhe sa historike aq edhe tradicionale.
Ato janë zhvilluar dukshëm në traditën e tyre më të mirë, që datojnë që nga mesjeta me bashkëpunimin mes heronjve tanë Skënderbeu e Huniadi, e më pas në kuadër të krijimit të shtetit modern shqiptar e deri në ditët e sotme.
80 vite më parë, Shqipëria pati për Mbretëreshë, konteshën hungareze Geraldine Appony, ose ndryshe të quajtur Trëndafili i Bardhë i Hungarisë.
Po ashtu, vetëm katër vite na ndajnë nga kremtimi i 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike dhe takimi i sotëm me Presidentin Ader ma forcoi bindjen se do ta kremtojmë këtë përvjetor me rezultate shumë pozitive.
Përfitova nga rasti që t’i shpreh mikpritësit tim, Presidentit Ader, mirënjohjen e thellë të Shqipërisë e të shqiptarëve për mbështetjen që i kanë dhënë në kuadër të proceseve integruese në NATO dhe BE.
Një vëmendje të vëmendje të veçantë ia kushtuam bashkëpunimit dypalësh dhe atij në kuadër të integrimit në Bashkimin Evropian.
Vlerësuam se mundësitë e bashkëpunimit ekonomik janë ende të pashfrytëzuara sa duhet dhe vëllimi i shkëmbimeve tregtare është ende modeste dhe larg potencialeve të të dy vendeve.
Një rol shumë pozitiv në këtë drejtim po luan rivendosja e linjës ajrore direkte midis kryeqyteteve tona, si dhe funksionimi i dhomës hungareze të tregtisë në Tiranë (Hungarian National Trading House).
Linja ajrore pothuaj e ka trefishuar brenda një viti numrin e hungarezëve që kanë vizituar Shqipërinë, si dhe i ka dhënë një mundësi më të madhe komunikimit e kontakteve të drejtpërdrejta midis sipërmarrësve të të dy vendeve.
Jam i sigurt se ky interes do të vijë duke u rritur, falë edhe mekanizmit të kreditimit që Qeveria hungareze për Shqipërinë në vlerë prej 204 milion Euro.
Mundësitë janë të shumta, veçanërisht në fushën e turizmit, bujqësisë, përpunimit agro-ushqimor, ambientit e menaxhimit të ujërave e mbetjeve urbane, energjinë e rinovueshme, etj.
Shqipëria është shumë e pasur me burime ujore dhe bashkëpunimi i shkëlqyer midis Bashkisë së Tiranës dhe asaj të Budapestit për menaxhimin e ujrave mund të shtrihet edhe në qytete apo komuna të tjera.
Një vëmendje shumë të veçantë ia kushtuam edhe plotësimit të kushteve nga Shqipëria për çeljen e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Jemi të ndërgjegjshëm se kjo nuk është periudha më e mirë për Bashkimin Evropian, por shpresojmë se në fund të këtij muaji të gjitha Vendet Anëtare të saj do të mbështesin çeljen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë.
E falënderova Presidentin Ader dhe qeverinë hungareze për mbështetjen e vazhdueshme e të qartë, që na motivuar më shumë për të vijuar në rrugën e mundimshme të reformave.
Besoj se Hungaria do të kontribuojë në arritjen e konsensusit të nevojshëm brenda BE-së në këtë drejtim.
Sigurisht që diskutuam edhe mbi zhvillimet e përgjithshme në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe frymën e re të bashkëpunimit që po forcohet dita-ditës në këtë rajon.
Vlerësova gjithashtu rolin e madh që Hungaria ka luajtur edhe në kuadër të Grupit të Vishegradit V4, veçanërisht gjatë mbajtjes së Kryesisë së radhës 2017-2018. Hungaria është një vend fqinj i rajonit tonë dhe shumë e interesuar për stabilitetin dhe zhvillimin e tij dhe ne e vlerësojmë shumë rolin e saj në këtë drejtim. Gjatë kësaj vizite zyrtare do të kem nderin të pritem në takime të veçanta edhe nga Kryeministri dhe Kryetari i Parlamentit.
Jam i sigurt se edhe takimi me ta do të jetë në të njëjtën frymë miqësie e bashkëpunimit.
Edhe njëherë, faleminderit i nderuar President Ader për ftesën, për mikpritjen e ngrohtë e miqësore, si dhe për mundësinë që më dhatë të vizitoj zyrtarisht Hungarinë e të takohem me ju e autoritetet të larta të vendit tuaj”.
Kreu i shtetit, Ilir Meta gjatë vizitës në Hungari është takuar me homologun Janos Ader. Dy presidentët kanë folur për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe integrimin e Shqipërisë në BE.
“I nderuar dhe i privilegjuar të vizitoj Hungarinë mike dhe të bisedoja me Presidentin Janos Ader. E falenderova për mbështetjen e fortë ndaj perspektivës evropiane të vendit tonë. Shprehëm bindjen për të ardhmen e shkëlqyer dhe premtuese të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Hungarisë”,- shkruan kreu i shtetit në Facebook.
Pas takimit Presidenti Meta ka shkruar në facebook: I nderuar dhe i privilegjuar të vizitoj Hungarinë mike dhe të bisedoja me Presidentin Janos Ader.
E falenderova për mbështetjen e fortë ndaj perspektivës evropiane të vendit tonë.
Shprehëm bindjen për të ardhmen e shkëlqyer dhe premtuese të marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Hungarisë.