Presidenti Meta takon Presidentin e Këshillit Europian, Donald Tusk
Gjatë qëndrimit në Shkup, Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një takim të veçantë me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Presidenti Meta e konsideroi shumë të rëndësishme pjesëmarrjen e Presidentit Tusk në Samitin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, shenjë e vëmendjes dhe mbështetjes gjithnjë e në rritje të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor.
Kreu i Shtetit gjithashtu vlerësoi vizitën dhe mesazhet inkurajuese që Presidenti Tusk përcolli gjatë vizitës së tij në Tiranë, të cilat duhet të nxitin të gjitha institucionet shqiptare drejt arritjeve konkrete në zbatim të 5 prioriteteve kyçe.
Duke shpresuar në vendimmarrjen pozitive të Këshillit të qershorit ndaj rekomandimit për çeljen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë, Presidenti Meta theksoi se ky do të ishte një moment oportun për të marrë përgjegjësi të reja dhe më angazhuese karshi qytetarëve shqiptarë dhe partnerëve evropianë.
Presidenti Meta pohoi se Shqipëria i ka të gjitha mundësitë dhe angazhimin e shprehur qartë për kaluar në fazën e vështirë të negocimit drejt anëtarësimit.
Presidenti Meta theksoi rëndësinë që ka edhe vendimi për liberalizimin e sa më të shpejtë të vizave me Kosovën, një hap i merituar që do të mundësojë lëvizjen e lirë të qytetarëve kosovarë drejt hapësirës Shengen.
Presidenti Meta ka komentuar takimit me Presidentin e KE edhe me anë të një mesazhi në Twitter, në të cilin shkruan: “Pata një takim të ngrohtë dhe miqësor me Presidentin e Këshillit Europian. Inkurajim për të përshpejtuar thellimin e reformave në 5 prioritetet kyçe. Në pritje të mesazheve pozitive nga Samiti i Sofies dhe mbledhja e Këshillit Europian në qershor”.
Në Samitin e Krerëve të Shteteve të Procesit të Brdo-Brijunit marrin pjesë presidentët e Kroacisë, Sllovenisë, Maqedonisë, Shqipërisë, Kosovës, Malit të Zi, Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.
Në këtë Samit marrin pjesë si të ftuar të posaçëm Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk dhe Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borisov.
FJALA E PRESIDENTIT TË REPUBLIKËS, ILIR META, NË TAKIMIN E LIDERËVE TË PROCESIT TË BRDO-BRIJUNIT
Nga Ilir Meta
Më lejoni që t’ju bashkohem edhe unë dhe të falënderoj Presidentin Ivanov për mikpritjen miqësore.
Gjithashtu, dëshiroj të falënderoj Presidentin Tusk dhe Kryeministrin Borisov, për praninë e tyre këtu. Prania dhe mbështetja juaj është shumë domethënëse, veçanërisht në këtë moment kur priten takime të rëndësishme, përfshirë Samitin e Sofjes dhe takimin e Këshillit të BE-së në qershor.
E kemi theksuar në të gjitha rastet që bashkëpunim rajonal është përmirësuar në mëmyrë drastike dhe kemi parë rezultate në shumë fusha.
Kemi përdorur çdo rast për t’u angazhuar në dialog të drejtpërdrejtë, megjithëse jo gjithmonë kemi rënë dakord.
Kemi bërë të mundur që përmes ambicies së përbashkët për integrimin evropian të krijojmë një klimë më të mimrë të besimit reciprok dhe mirëkuptimit, kyç kjo për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin e rajonit tonë.
Por, fatkeqësisht në muajt e fundit janë kthyer në vëmendjen tonë retorika provokative e veprime shumë të rrezikshme, të cilat fatmirësisht kanë mbetur të izoluara.
Gjithashtu, anëtarësimi ynë në Aleancëcn Transatlantike nuk është drejtuar kundra ndonjë vendi apo rajoni tjetër, por për të forcuar sigurinë e arkitekturës së sigurisë në një rajon ende të brishtë.
Disa presione që vijnë nga jashtë rajonit tonë janë të shoqëruara me retorikë anti NATO dhe anti BE, si dhe si nxitëse të konflikteve dhe ndarjee etnike, duke kërkuar që ta destabilizojnë rajonin.
Besoj fort se vendet tona nuk duhet të bien pre e këtyre lloj sportesh, të cilat nuk kanë fitues, por vetëm humbës.
Në këtë situatë, bëj thirrje për një vemendje dhe angazhim të përbashkët nga BE dhe NATO, që rajoni të ketë një perspektivë të qartë evropiane, si dhe një mbështetje efektive politike, ekonomike e financiare, që do ta realizonte në kohën më të shkurtër të mundshme këtë perspektivë.
Së dyti, më lejoni që të përmend çka unë konsideroj si arritje të rëndësishme në rajon:
Gjithashtu, përgëzoj angazhimin e Presidentëve Thaçi dhe Vuçiç, për vijimin e dialogut të ndërmjetësuar nga Brukseli, duke përfshirë dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani.
Dëshiroj të shpreh mbështetjen e plotë të Shqipërisë për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, si një arritje strategjike për Maqedoninë, por edhe për rajonin. Shqipëria do të vijojë të jetë një mbështetëse e fuqishsme e politikës së dyerve të hapura të NATO-s për rajonin tonë.
Së treti, dëshiroj të ndalem tek procesi i integrimit evropian.
Të gjithë biem dakord që strategjia e zgjerimit të Komisionit Evropian rikonfirmoi një perspektivë të qartë evropiane për 6 vendet e Ballkanit Perëndimor.
Sikurse pohoi edhe Presidenti i Komisionit Evropian Juncker, dhe sot Presidenti i Këshillit, miku ynë Donald Tusk, një rajon i ankoruar në BE, është jo vetëm aspirata jonë e përbashkët por është edhe garancia më e sigurtë për paqen, stabilitetin dhe prosperitetin tonë.
Ky është intresi më i mirë i këtij rajoni, dhe ky është interesi më i mirë për Bashkimin Evropian.
Vendi im dhe Maqedonia fqinje morën së fundmi një rekomandim pozitiv për çeljen e negociatave të anëtarësimit nga Komisioni Evropian.
Vendimi i Këshillit të qershorit do të jetë me rëndësi strategjike për secilin prej proceseve tona, por edhe për rajonin në tërësi.
Të tillë e konsideroj edhe një vendim të merituar për liberalizimin e vizave me Kosovën, qytetarët e së cilës mbeten të vetmit të privuar nga kjo e drejtë në rajon.
Po kështu i bëj jehonë mesazhit të përsëritur të partnerëve tanë evropianë, se anëtarësimi në BE duhet të jetë një zgjedhje e qartë e vendeve tona.
I vetmi presion që mund të diktojë këtë zgjedhje është vizioni për të ardhmen ndërtuar mbi mësimet e nxjerra nga historia.
Në mbyllje dëshiroj të falënderoj dy kolegët tanë të nderuar Kolinda dhe Borut, për mbështetjen e fuqishme dhe angazhiin ndaj rajonit të Ballkanit Perëndior, si dhe në kuadër të proceseve të integrimit Evropian dhe Euroatlantik.
Me shpresën për më shumë lajme dhe vendime të mira në javët dhe muajt që vijnë, jam i gëzuar që takimi tjetër i yni do të zhvillohet në vendin tim, Shqipëri, në vitin e ardhshëm.