Presidenti Meta te “Fan Noli” për 7 marsin
Presidenti i Republikës, Ilir Meta u uroi sot paradite nga Shkolla 9-vjeçare “Fan Noli” në Tiranë, Festën e 7 Marsit të gjitha mësueseve dhe mësuesve shqiptarë kudo ndodhen. Presidenti Meta ishte në shkollën e kryeqytetit ku u takua dhe u përshëndet përzemërsisht me Drejtoreshën Teuta Nushi, ish-mësuesen e tij kujdestare Kadrie (Didi) Dibra, ish-drejtoreshën Mirjana Hoxha dhe stafin pedagogjik, të cilave u dhuroi nga një buqetë me lule, dhe nxënësit, të cilët kishin përgatitur një ekspozitë me piktura, disa interpretime të nxënësve me violinë dhe kitarë e piano, vizitoi stendën fotografike me foto “Kujtime dhe nostalgji ndër vite” si dhe thënie nga mësueset që kanë arsimuar dhe edukuar breza të tërë në këtë shkollë.
Presidenti Meta u ndal edhe në klasën e tij të dikurshme, ku ka qenë laboratori i fizikës, i shoqëruar nga ish-mësuesja kujdestare Didi Dibra, mësuesja e fizikës Dolores Cipo dhe mësuesja e matematikës Afërdita Saraçi dhe bashkëbisedoi me nxënësit. Në takim me të gjithë trupën e mësuesve të zhvilluar në sallën e mbledhjeve, Presidenti i Republikës uroi nga zemra Festën e 7 Marsit duke u shprehur: “Dua të shpreh një kënaqësi të jashtëzakonshme të rikthehem në shkollën ‘Fan Noli’ pas disa dekadave. Është një emocion i fortë, sepse jo vetëm janë kujtime të mrekullueshme, por në radhë të parë është një mirënjohje ndaj atyre mësueseve dhe mësuesve të mrekullueshëm që ne kemi patur, një pjesë e të cilëve kanë ardhur sot dhe unë dua t’i falënderoj shumë. Por, njëkohësisht edhe për këtë nivel shumë të lartë që shkolla ‘Fan Noli’ ende vazhdon të ketë edhe sot. Dua të falënderoj Drejtoreshën dhe gjithë ekipin pedagogjik për vazhdimin e asaj tradite të shkëlqyer të kësaj shkolle shembullore!
Besoj se shpreh jo vetëm në emrin tim, por edhe në emër të gjeneratave të mëparshme edhe mirënjohjen për mësuesit e mëparshëm, por edhe këtë vazhdimësi të shkëlqyer të cilësisë së kësaj shkolle sot”.
“Dua të theksoj edhe një herë tjetër se, figura e mësuesit për mua është dyfish e dashur pasi edhe dy prindërit e mi kanë qenë mësues. E kuptoj edhe nga plani tjetër, pra ai i familjeve të mësuesve, se çfarë përjetojnë ata kur nxënësit e tyre arrijnë të kenë një sukses në jetë, çfarë kënaqësie ata ndjejnë për kohën që kanë kaluar, për kujdesin që kanë treguar dhe ndjejnë çdo sukses të nxënësve të tyre dhe si sukses të tyre, që u jep forcë për të vazhduar misionin e tyre edukues. Ashtu sikurse e di shumë mirë se çfarë ndiejnë kur nxënësit e tyre dështojnë në jetë. Një trishtim, një pikëllim dhe shpesh dhe i pamerituar.
Për të evituar sidomos këtë të dytën, unë mendoj që sot është koha për të bërë një apel të fortë për një bashkëpunim më intensiv midis shkollës edhe familjes, siç edhe ka qenë dhe në të kaluarën. Familja gjithashtu ka një rol shumë të rëndësishëm për edukimin e fëmijëve, por dhe për të ndjekur mbarëvajtjen e tyre në shkollë jo vetëm gjatë procesit të mësimit, por dhe të edukimit në përgjithësi sepse shkolla sot është një ambient edhe më i ekspozuar ndaj disa fenomeneve, të cilat janë serioze dhe janë shqetësuese edhe për fëmijët, edhe për të rinjtë, edhe për familjet tona dhe për shoqërinë tonë.” – ishte apeli i Presidentit të Republikës.
“Besoj se duke i kushtuar më shumë vëmendje shkollës, figurës së mësuesit, pedagogut, duke i kushtuar një vëmendje më të madhe dhe ruajtjes së familjes dhe rëndësisë që ajo ka në edukimin e fëmijëve, ne si shoqëri do të arrijmë të forcohemi, të fuqizohemi në mënyrë të shëndetshme dhe të edukojmë gjenerata të reja që do ta çojnë vendin me siguri më shpejt, më përpara drejt atyre standardeve që të gjithë i dëshirojmë edhe i ëndërrojmë. Dhe kjo mund të bëhet me dije, por kjo do të bëhet edhe duke edukuar vlera të forta morale, shoqërore dhe atdhetare.
Edhe një herë mirënjohje për të gjithë punën që bëni! Mirënjohje dhe të gjithë brezave të mëparshëm, të mësueseve tona dhe mësuesve tanë pasi është një vazhdimësi e shkëlqyer, e cila duhet konsoliduar edhe më tej. Mirënjohje të gjithë mësuesve dhe mësuesve të shkollës ‘Fan Noli’ dhe të gjithë Shqipërisë!” – uroi Presidenti i Republikës.
Më pas Presidenti Meta dhe të pranishmit u ndalën në sallën multifunksionale ku ndoqën me ëndje një video-montazh të regjistruar në mes të viteve ’80-të kur ka qenë edhe vetë nxënës, si dhe recitimet dhe vallet e kërcimtarëve të vegjël disa prej të cilëve ishin veshur me kostume popullore.
https://www.facebook.com/ilirmetaj/videos/1688009751245291/