Presidenti Meta uron presidentin Erdogan për fitoren e zgjedhjeve
Presidenti Ilir Meta ka uruar sot presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdogan për fitoren në zgjedhjet që u mbajtën në Turqi të dielën.
Në mesazhin e tij, kreu i shtetit shpreh vlerësimin për marrëdhëniet mes dy vendeve dhe rritjen e bashkëpunimit mes Turqisë dhe Shqipërisë gjatë mandatit të ri presidencial të presidentit Erdogan. “Shpreh besimin e palëkundur se, gjatë mandatit Tuaj të ri, marrëdhëniet historike e tradicionalisht miqësore e vëllazërore midis dy vendeve e dy popujve tanë, do të forcohen edhe më shumë. Jam i sigurt se, falë vëmendjes së madhe e të veçantë që i kushtoni bashkëpunimit me Shqipërinë, këto marrëdhënie do të intensifikohen e do të thellohen edhe më shumë. Ju siguroj për vullnetin dhe gatishmërinë time për të vijuar bashkëpunimin me Ju e për t’i çuar më tej këto marrëdhënie”,- shprehet Presidenti Meta në urimin e tij për Erdogan.
Mesazhin e Presidentit Ilir Meta për Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan
I nderuar Zoti President,
Urimet më të mira e të përzemërta për fitoren në zgjedhjet e djeshme presidenciale! Ju uroj nga zemra shumë suksese në përmbushjen e agjendës Suaj dhe drejtimin e zhvillimin e mëtejshëm të Turqisë e të popullit mik turk.
Shpreh besimin e palëkundur se, gjatë mandatit Tuaj të ri, marrëdhëniet historike e tradicionalisht miqësore e vëllazërore midis dy vendeve e dy popujve tanë, do të forcohen edhe më shumë.
Jam i sigurt se, falë vëmendjes së madhe e të veçantë që i kushtoni bashkëpunimit me Shqipërinë, këto marrëdhënie do të intensifikohen e do të thellohen edhe më shumë. Ju siguroj për vullnetin dhe gatishmërinë time për të vijuar bashkëpunimin me Ju e për t’i çuar më tej këto marrëdhënie.
Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për ndihmën dhe mbështetjen e pakursyer që Ju dhe Turqia i keni dhënë Shqipërisë dhe shqiptarëve ndër vite. Shqiptarët janë mirënjohës dhe do të jenë solidarë me Ju dhe popullin mik turk në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm që kërcënon paqen dhe stabilitetin e Turqisë.
Me urimet më të mira për shëndetin dhe lumturinë Tuaj, ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë.