Presidenti Ilir Meta mbylli vizitën në komunën shqiptare të Rozhajës, në Mal të Zi
Presidenti i Republikës, Ilir Meta, mbylli sot në drekë vizitën në komunën shqiptare të Rozhajës, në Mal të Zi.
Presidenti Meta fillimisht u prit sot paradite në një takim nga Kryetari i Kuvendit të Komunës Rozhajë në Malin e Zi, Amir Avdiç. Të pranishëm në këtë takim ishin edhe zv/kryeministri i Malit të Zi, Rafet Husoviç, Ministri i Infrastrukturës, Osman Nurkoviç, si edhe deputetë. Meta pasi falënderoi autoritetet qendrore e vendore si edhe banorët për pritjen e ngrohtë, shprehu kënaqësinë që viziton për herë të parë Komunën e Rozhajës.
“Jam shumë i lumtur që vij në Rozhajë për herë të parë dhe të ndaj së bashku me ju gëzimin për miqësinë që ekziston midis dy popujve dhe vende tona. Pakicat kombëtare janë një pasuri e madhe, një vlerë e shtuar për të gjithë ne dhe më vjen mirë që dy vendet tona janë një shembull i respektimit të të drejtave të tyre në rajon. Bashkëjetesa dhe fqinjësia mes shqiptarëve e malazezëve, si në Shqipëri e Mal të Zi, por edhe në Kosovë, është një udhërrëfyes i mirë për bashkëjetesën me pakicat e minoritetet kombëtare në Ballkan. Shqiptarët në Mal të Zi kanë një kontribut të jashtëzakonshëm për këtë shtet, veçanërisht për Pavarësinë e tij si dhe për proceset integruese të Malit të Zi në familjen euro-atlantike dhe kjo është një arsye që na bën krenarë”,-nënvizoi mes të tjerash Presidenti Meta.
Në kuadër të turit të vizitës zyrtare në Komunën Rozhajë në Malin e Zi, Presidenti Ilir Meta ka vizituar shkollën fillore në gjuhën shqipe, në fshatin Dacaj. Kreu i Shtetit është pritur nga stafi pedagogjik, dhjetra nxënës e prindër të tyre. Meta dhuroi për shkollën fillore në Dacaj, 40 fotografi të përfaqësuesve më të ndritur të Rilindjes sonë Kombëtare, si edhe fotografinë e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.