Presidenti Meta: Vlerësim për kontributin e gazetarëve dhe komentatorëve të radios
Kreu i shtetit, Ilir Meta zhvilloi sot një pritje me gazetarët, komentatorë dhe figura të njohura të medias radiofonike në Ditën Botërore të Radios.
Në ceremoninë e zhivlluar në ambientet e Presidencës ishin të pranishëm komentatorë, folës, regjisorë, drejtues të ndryshëm radiosh, sportistë të radio-amatorizmit dhe mjaft emra të njohur të gazetarisë.
Presidenti Meta duke iu drejtuar të pranishmëve u shpreh: “Për mua është privilegj e kënaqësi e veçantë dhe nuk mund të ikte kjo mundësi në këtë vit, që UNESCO e ka quajtur vitin e ‘Radios dhe të Sportit’, për t’iu ftuar ju të gjithëve për të qenë sot sëbashku, që të nxisim më tej të rinjtë tanë, të merren dhe të angazhohen më shumë me sport për të luftuar veset, për të luftuar obezitetin, depresionin te fëmijët, te të rinjtë, te të gjithë shoqëria, por edhe për të promovuar arritjet e sportit tonë që shpresoj në këtë Vit të Skënderbeut do të jenë më të larta.
Gëzuar për 80-vjetorin e Radio Tiranës dhe gëzuar 20-vjetorin e Top Albania Radios, për të gjitha radiot në vendin tonë dhe mbi të gjitha për ata që themeluan jo vetëm Radio Tiranën, por gjithë këtë sistem që ne kemi sot mjaft pluralist dhe mjaft profesional! Uroj suksese për të gjithë komunitetin tuaj, për të gjithë gazetarët, teknikët, komentatorët e radios, për gjithçka që ju bëni për t’i shërbyer publikut! ”
Në një mesazh në Facebook, teksa ka postuar foto me disa nga emrat e njohur të gazetarisë radiofonike shqiptare, Presidenti shprehet se ikonat e medias meritojnë vlerësim.
“Të dashur miq, me rastin e Ditës Botërore të Radios, ishte kënaqësi e privilegj të takoja sot ikonat e radios shqiptare ndër vite, jo thjesht për të përkujtuar një datë simbolike, por edhe për të vlerësuar në radhë të parë kontributin e tyre dhe të gjithë drejtuesve, gazetarëve e komentatorëve të mrekullueshëm, por edhe teknikëve të palodhur të radios, që sot nuk janë më midis nesh.
Viti i UNESCO-s për Radion dhe Sportin, duhet të shërbejë për t’u bërë thirrje të rejave e të rinjve shqiptarë të merren me sport, larg veseve, larg varësisë ndaj drogës dhe simulantëve të tjerë, larg obezitetit dhe vetë-izolimit”,- shkruan kreu i shtetit.
VIDEO/CEREMONIA E ZHVILLUAR NE PRESIDENCE
https://www.facebook.com/ilirmetaj/videos/1665733603472906/
Mesazhi i Presidentit të Republikës, Ilir Meta me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Radios:
“Është privilegj dhe kënaqësi të shoh sot, të mbledhur bashkë, kaq shumë ikona të radios shqiptare ndër vite, këtij mediumi dhe institucioni kaq të dashur e të afërt për sa e sa breza, që u rritën me zërat tuaj, me programacionet e larmishme dhe tingujt muzikorë që na përçonit nga ajo kuti, që për shumë kënd, përfshi edhe brezin tim, është cilësuar me të drejtë, si magjike.
Dita Ndërkombëtare e Radios, na mblodhi në këtë ceremoni, jo thjesht për të përkujtuar një datë simbolike, por edhe për të vlerësuar në radhë të parë kontributin e secilit prej jush dhe të gjithë atyre drejtuesve, gazetarëve e komentatorëve të mrekullueshme, por edhe teknikëve të palodhur të radios, që sot nuk janë më midis nesh.
Falë të gjithëve ju, ky medium në Shqipëri arriti të merrte një fuqi unike, nga 28 Nëntori 1938, kur daton dhe themelimi i Radio Tirana dhe deri në ditët e sotme, kur radio përballet me sfidat e pashmangshme të dixhitalizimit dhe burimeve alternative të informacionit.
Kur sjell ndërmend radion, nuk mund të mos ndaj me ju edhe faktin se mundësisht, për afro dy vite, edhe unë u përpoqa, të jem një ndër ju.
Para viteve ’90, tepër i ri në moshë, kam bërë edhe unë komentatorin sportiv në emisionin e njohur radiofonik në Radio Tirana “Nga njëra ndeshje në tjetrën” me një nga ikonat e radios, Ahmet Shqarrin.
Kjo eksperiencë modeste në Radio Tirana më sjell gjithmonë kujtime mbresëlënëse dhe e bën edhe më kuptimplotë afeksionin tim për radion dhe vlerësimin maksimal që kam për kontributin tuaj, në atë çfarë i keni dhënë shoqërisë, shpeshherë në kushte të vështira, pse jo dhe me sakrifica.
Këtë vit Radio Tirana feston 80-vjetorin e themelimit të saj, ashtu siç edhe një radio private, aq shumë e dashur për publikun, Top Albania Radio, feston nesër 20-vjetorin e themelimit të saj. Urime stafeve tuaja!
Data 13 shkurt, që përkon me ditën kur është themeluar edhe radio e Kombeve të Bashkuara në vitin 1946, shënohet edhe si Dita Botërore e Radios, e cila ka për qëllim të kujtojë fuqinë unike të këtij mediumi në funksion të promovimit të qasjes në informacion dhe të lirisë së shprehjes.
‘Radioja ende mbetet mediumi që arrin audiencën më të gjerë në të gjithë botën, në kohën më të shpejtë të mundur’, thuhet në deklaratën e UNESCO-s.
Ndaj dhe unë uroj që kjo të mbetet e vërtetë!
Fillimet e Radio Tiranës, lidhen me emra tepër të shquar të kulturës e artit shqiptar, të diplomuar në universitetet e konservatorët e Evropës, si Gjergj Bubani, Hamdi Sulçebe, Marie Paluca, Tefta Tashko, Mihal Ciko, Stoli Beli, Hysen Vendresha, Viktori Xhaçka, Kaliopi Plasari, Evanthi Zoraqi-Ciko, Anton Mazreku, Lola Gjoka, Pjetër Gjini, Kristaq Antoniu, Liza Vorfi, Behije Çela, Hysen Pelingu, Kel Sata, Luçie Miloti, Bik Ndoja, Kostaq Nase, Bardhyle Katundi, Mihal Stefa, Abdulla Grimci, Vath Çangu etj.
Megjithë vështirësitë e mëdha ekonomike që po kalonte gjatë kësaj periudhë Shqipëria, nga kolektivi i vogël i Radio Tiranës, bëheshin përpjekje për pasurimin e programeve. ‘Ju flet Tirana’ edhe pse nën çensurë, në valën e saj përçoi vlera kulturore dhe kombëtare.
Në vitin 1962, një ngjarje tjetër e rëndësishme jo vetëm për Radio Tiranën, por në përgjithësi për jetën artistike në vendin tonë, ishte krijimi i Orkestrës Simfonike të Radios. Qëllimi i krijimit të saj, ishte të siguronte dhe të mbulonte me orë transmetimi muzikor, duke bërë të mundur realizimin e shumë aktiviteteve artistike që ideonte dhe realizonte ky institucion, më i madhi i të cilëve, Festivali i muzikës së lehtë shqiptare që numëron 56-të edicione deri tani.
Radio Tirana mban meritën që përmes dy gazetarëve të saj Alfons Gurashi e Agron Çobani krijoi shkollën e radiokronikës shqiptare.
Vitet ’90, era e ndryshimeve, sollën më shumë liri për gazetarët, por edhe më shumë hapësirë dhe vërtetësi për dëgjuesit, të cilët e shihnin RTSH, si të vetmin mjet informimi për ngjarjet e vrullshme që shoqëronin Shqipërinë.
Çdo reformë e bërë në Shqipëri, çdo moment historik, çdo konflikt social, apo çdo ngjarje artistike, u përcoll pikësëpari nga Radio Tirana, radio e cila mbulon me sinjal të gjithë vendin.
Nëpërmjet këtij institucioni të gjithë u ndjenë më shumë shqiptarë, shqiptarët brenda kufijve, në Kosovë dhe Diasporë. Radio Tirana, tashmë jo e vetme në tregun radiofonik shqiptar, është një institucion unik, i dashur për miliona dëgjues shqiptarë brenda e jashtë atdheut, duke përcjellë tek ata përmes gjuhës dhe kulturës së kombit, informimin, si një e drejtë universale e qytetërimit.
Viti i UNESCO-s për “Radion dhe Sportin” duhet të kthehet për të gjitha radiot tona sportive, e jo vetëm, një vit në shërbim të arritjeve tona sportive sot por edhe në rikthimin e kujtesës së të gjithë shqiptarëve të historisë së sportit tonë dhe të ikonave të sportit shqiptar.
Veçanërisht ky vit duhet të shërbejë për t’u bërë thirrje të rejave dhe të rinjve shqiptarë të merren me sport, të nxisë prindërit por edhe mësuesit për t’i edukuar fëmijët tanë me dashurinë për sportin dhe dëshirën e garës së bukur sportive.
Sfida për të edukuar fëmijë dhe të rinj larg veseve, larg varësisë ndaj drogës dhe simulantëve të tjerë, larg obezitetit dhe vetë-izolimit është sfidë e të gjithë shoqërisë ku rol të jashtëzakonshëm luan sidomos radioja e veçanërisht radioja sportive dhe emisionet e saj të bukura.
Së fundi dëshiroj të vlerësoj të gjithë drejtuesit, gazetarët, komentatorët e teknikët e radiove shqiptare, pa përjashtim, të vjetër dhe të rinj dhe të shpreh mirënjohjen time për gjithçka i keni dhënë shoqërisë, emancipimit e zhvillimit të saj.
Ju faleminderit