Presidenti: Përpjekjet e mia për konsensus u minuan. Secili aktor të marrë përgjegjësitë e veta për integrimin
Presidenti Ilir Meta deklaroi sot në një konferencë për mediat se ligjet e fundit të qeverisë “Rama” kanë shkelje të rënda të Kushtetutës.
Duke u ndalur në ligjin për turizmin, Presidenti Meta tha se kemi të bëjmë me një ligj që prek çështje të identitetit kombëtar. Presidenti foli dhe për ligjin për koncesionin e Porto Romanos. Kreu i shtetit deklaroi se ky ligj cënon parime të sigurisë detare dhe mjedisore.
Kreu i shtetit foli dhe për platformën e tij për zgjidhjen e krizës politike dhe integrimin e vendit në BE. Ai tha se përpjekjet e tij për konsensus u minuan dhe u takon palëve politike të mbajnë përgjegjësitë e tyre për integrimin.
“Përpjekjet e mia për konsensus u minuan. Tani secili aktor të marrë përgjegjësitë e veta për integrimin. Siç e deklarova më herët unë do të kalojë më shumë kohë te qytetarët”,- deklaroi kreu i shtetit.
Lidhur me reformën zgjedhore, kreu i shtetit deklaroi: “Për çështjen e Kodit Zgjedhor, jam i kënaqur, që sipas aktorëve politikë dhe diplomatikë, ka përparime. Mezi po pres që palët të mbajnë fjalën dhe në datën 31 maj 2020 të përmbyllin me konsensus ndryshimet që kërkohen me aq ngulm prej kohësh nga Bashkimi Europian, dhe partnerët e tjerë.
Do ta duartrokas konsensusin dhe menjëherë do t’i firmos këto ndryshime sapo të vijnë! Por nëse ndryshimet në Kodin Zgjedhor, miratohen në mënyrë të njëanshme, do të ketë ZERO çelje negociatash të Shqipërisë me Bashkimin Europian, jo deri në zgjedhjet e ardhshme, por edhe deri në zgjedhjet e tjera që do vijnë pas tyre”.
Video/Deklarata e Presidentit Ilir Meta
https://www.facebook.com/ilirmetazyrtar/videos/906612963177410/