Presidenti përshëndet Mesazhin e Paqes të Atit të Shenjtë, Papa Françesku
Presidenti Meta përshëndet Mesazhin e Paqes të Atit të Shenjtë, Papa Françesku
Kreu i shtetit, Ilir Meta mori pjesë sot në veprimtarinë e prezantimit të Mesazhit të Paqes së Atit të Shenjtë, Papa Françesku: “Emigrantë dhe refugjatë: burra dhe gra në kërkim të paqes”, që u zhvillua në Universitetin Katolik “Zoja e Këshillit të Mirë”.
Në përshëndetjen e Tij drejtuar Presidentittë Universitetit Daniele Bertoldi, Nuncit Apostolik Imzot Charles Brown, Ambasadorëve dhe përfaqësuesve të Trupit Diplomatik, deputetëve të Kuvendit, krerëve dhe përfaqësuesve të bashkësive fetare dhe institucioneve, Rektorit Prof. Bruno Giardina, pedagogëve dhe studentëve të pranishëm, Presidenti i Republikës u shpreh:
“Përfitoj nga ky rast i mrekullueshëm që t’i drejtoj Atit të Shenjtë, Papa Françeskut falënderimet më të sinqerta dhe mirënjohjen më të thellë në emër të popullit shqiptar për mesazhin e Tij drejtuar mbarë njerëzimit në fillim të këtij viti lidhur me festimet e Ditës Botërore të Paqes 2018!
Mesazhi i Atit të Shenjtë, Papa Françeskut ka në fokusin e vet ‘Emigrantët dhe refugjatët: Burrat dhe Gratë në kërkim të Paqes’.
Ati i Shenjtë, Papa Françesku i konsideron shkaqet e këtij problemi: së pari, tek luftërat, konfliktet, gjenocidet dhe pastrimet etnike, që i detyrojnë njerëzit të largohen nga vendet e tyre; së dyti, tek dëshira e njerëzve për një jetë më të mirë dhe; së treti, tek varfërimi si pasojë e degradimit të mjedisit dhe katastrofave natyrore.
Shqipëria jonë është shpalosur prej shekujsh si vend i vlerave të mëdha njerëzore. Për shkaqe sigurie, diskriminimi, gjenocidesh apo pastrimesh etnike, në trojet shqiptare kanë hyrë komunitete të huaja.
Ato janë mirëpritur e mbrojtur, garantuar dhe integruar në shoqërinë shqiptare. Sot këto komunitete janë bërë pjesë e shoqërisë dhe e vlerave tona të përbashkëta, duke u shndërruar gjithashtu në ura miqësie dhe bashkëpunimi të Shqipërisë dhe shqiptarëve me vendet dhe popujt e tyre të origjinës.
Në marrëdhëniet ndërkombëtare janë kristalizuar edhe qasje kontradiktore lidhur me emigrantët dhe refugjatët që lëvizin nga vendet e tyre për një jetë më të mirë.
Ka shtete, grupime politike dhe shoqërore që i shikojnë emigrantët dhe refugjatët si një barrë mbi ekonomitë e vendeve të tyre dhe shkaktarë të problemeve sociale.
Papa Françesku është i mendimit se emigrantët dhe refugjatët nuk shkojnë në vendet e destinacionit me duar bosh.
Ata sjellin kurajën e tyre, shpresat e tyre, aftësitë, energjitë dhe aspiratat, sikundër edhe thesaret kulturore të vendeve nga vijnë.
Si të tillë ata pasurojnë jetët e shoqërive dhe kombeve në të cilët kanë shkuar. Ne duhet t’i konsiderojmë emigrantët dhe refugjatët si potencial krijues, me aftësitë e tyre të adoptimit, me shpirtin e tyre të sakrificës të familjeve dhe komuniteteve që përfaqësojnë.
Mikpritja dhe bujaria, këto dy vlera madhore të identitetit shqiptar janë demonstruar si rrallëherë në botë edhe në çështjet e emigracionit dhe të refugjatëve.
Nuk do të ndaloja vetëm në mikpritjen që ne i bëmë 1 milionë qytetarëve të Kosovës në pranverën e vitit 1999, por do veçoja mikpritjen e jashtëzakonshme gjatë Luftës së Dytë Botërore të shumë hebrenjve. Si shqiptar jam ndier jashtëzakonisht krenar kur kam vizituar Muzeun kushtuar Holokaustit, Yad Vashem, kur kam parë në hartën e Evropës për çdo shtet numrin e hebrenjve para dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Si rrallë për ndonjë vend tjetër, numri i tyre në Shqipëri u shumëfishua pas Luftës së Dytë Botërore dhe asnjëri prej tyre nuk iu dorëzua pushtuesit.
Apo të kujtoj dhe një moment të veçantë, kur mijëra ushtarë italianë që erdhën si pushtues, pas kapitullimit, u morën në mbrojtje nga familjet shqiptare anembanë vendit.
Këto raste e shumë të tjera nuk janë rastësi, ashtu sikurse nuk është rastësi që nga populli dhe kombi ynë ka dalë një Shenjtore si Nënë Tereza, që vazhdon të frymëzojë për mirësi, dhembshuri dhe solidaritet njerëzor anembanë botës.
Sfida e emigrantëve dhe e refugjatëve kërkon nga gjithë komuniteti ndërkombëtare një angazhim më serioz, solidar dhe human.
Kombet e Bashkuara, shtetet sovrane, komunitetet e ndryshme, shoqëria botërore nevojitet të ndërtojnë një strategji afatgjatë, e cila të hedhë bazat për mikpritjen,mbrojtjen, promovimin dhe integrimin e tyre.
Mikpritja do të zgjeronte rrugët legale për pranimin e emigrantëve dhe refugjatëve dhe jo shtyrjen e tyre drejt vendeve të dhunës dhe të persekutimit. Për këtë nevojitet një politikë e balancuar midis garantimit të sigurisë dhe respektimit të lirive themelore dhe të drejtave të njeriut.
Mbrojtja e emigrantëve dhe refugjatëve kërkon njohjen dhe garantimin e dinjitetit të atyre që ikin nga rreziqet reale në kërkim të azilit apo zonave më të sigurta. Në mënyrë të veçantë mbrojtje kërkojnë gratë dhe fëmijët, që janë më të ekspozuar nga rreziqet dhe abuzimet skllavëruese.
Promovimi i emigrantëve dhe refugjatëve parakupton mbështetjen e zhvillimit të integruar human të tyre, sidomos në fushën e edukimit të fëmijëve dhe të rinjve.
Në këtë botë miliona njerëz janë transformuar nga të ardhur në popullsi vendore dhe nga popullsi vendore në emigrantë.
Ne shqiptarët për shkaqe të ndryshme e kemi provuar këtë proces të dyanshëm. Sot paradite pata kënqësinë të takoja këngëtarin e famshëm Al Bano Carrisi dhe midis të tjerave kujtuam edhe mikpritjen e jashtëzakonshme të shtetit dhe popullit italian për shqiptarët në vitin 1991 në Brindisi, Bari e qytete të tjera.
Si të tillë ne i njohim vlerat edhe sfidat e emigracionit. Përvoja jonë dëshmon se promovimi i bashkëjetesës midis të huajve dhe vendorëve bën që midis tyre të ndërtohet një shoqëri kohezive me dialog në vend të shoqërive me konflikte dhe ksenofobi.
Integrimi i lejon emigrantët dhe refugjatët të marrin pjesë plotësisht në jetën e shoqërive që i mirëpresin ato. Për vetë dinamikat e popujve, emigrantëve dhe refugjatëve është e pamundur të gjenden sot në botë shoqëri të pastra etnike apo fetare.
Shqipëria dhe shqiptarët nëpërmjet traditave të mikpritjes, mbrojtjes, promovimit dhe integrimit të emigrantëve dhe refugjatëve kanë arritur të krijojnë midis të huajve dhe vendasve një komunitet harmonik me diversitet etno-kulturor, multireligjioz, me unitet politik dhe kohezion social.
Në mesazhin e tij, Papa Françesku e konsideron sfidën e emigrantëve dhe refugjatëve afatgjatë dhe si e tillë kërkon angazhim ndërkombëtar. Në nivele ndërkombëtare dy janë instrumentet më të rëndësishëm për zgjidhjen paqësore të kësaj sfide: dialogu midis shteteve dhe bashkëpunimi midis tyre.
Si President i një vendi që është përballur shumë me këtë fenomen vlerësoj se emigrantët janë edhe një mundësi e madhe për zhvillimin ekonomik të vendeve përkatëse, nëpërmjet kohezionit social, etno-kulturor dhe fetar, por edhe nëpërmjet integrimit dhe edukimit të tyre duke bërë që faktori njerëzor të jetë më i rëndësishëm se sa ai teknologjik.
Në fund dua të theksoj se, si pasojë e rritjes demografike të popullsisë së botës, njëkohësisht dhe pozitës sonë gjeo-strategjike, ne do të jemi gjithnjë e më shumë të ekspozuar dhe në përballje me këtë fenomen. Ndaj, le të shërbejë kjo konferencë shumë e rëndësishme dhe mesazhet e Atit të Shenjtë si moment reflektimi dhe si mundësi më e mirë për të ardhmen e përbashkët në solidaritet.
Duke ju falënderuar për ftesën, dhe për këtë organizim të mrekullueshëm dhe plot kuptim, njëkohësisht pranoni ju lutem dhe komplimentet e mia më të mira për Universitetin Katolik ‘Zoja e Këshillit të Mirë’, ku vijë për herë të parë, por për të cilin kam dëgjuar aq fjalë të mira. Suksese!