Presidenti Meta takon Zv/kryetarin e Senatorëve Republikanë: SHBA, partneri ynë strategjik

Presidenti Ilir Meta vazhdon vizitën zyrtare në SHBA. Së fundmi ai është pritur nga Senatori i Missourit, Roy Blunt, njëkohësisht Zëvendëskryetar i Konferencës së Senatorëve Republikanë.

“SHBA, – theksoi Presidenti Meta, “janë partneri ynë strategjik, ndaj forcimi i mëtejshëm i këtyre marrëdhënieve është i një rëndësie vitale për ne”.

“Angazhimi i SHBA në rajonin tonë mbetet kyç edhe për të ardhmen, në mënyrë që të konsolidohen arritjet e deritanishme, si në drejtim të stabilitetit e sigurisë ashtu edhe të përparimit të demokracisë e prosperitetit.

Ndaj ne mbështesim fuqishëm politikën e dyerve të hapura të NATO-s, dhe pas anëtarësimit të Malit të Zi vlerësojmë se edhe anëtarësimi i Maqedonise në NATO do të ishte një arritje tepër pozitive për të ardhmen e të gjithë rajonit tonë”, – u shpreh Presidenti Meta.

Në këtë drejtim të dy bashkëbiseduesit shprehën dëshirën që Parlamenti i Maqedonisë të marrë përgjegjësitë e duhura përmes bashkëpunimit për t’iu përgjigjur aspiratës legjitime të shumicës së qytetarëve për anëtarësim në NATO e BE.

Pas takimit Presidenti Meta shkruan në facebook: “Në zyrën historike të Presidentit të SHBA, Harry S. Truman, aktualisht zyra e Senatorit të Missourit, Roy Blunt, njëkohësisht N/Kryetar i Konferencës së Senatorëve Republikanë”.

SHKARKO APP