Presidenti Trump: Ne u japim miliona e miliarda dollarë dhe votojnë kundra!

Ambasadorja Nikki Haley fton 65 vende që nuk e kundërshtuan njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit nga Trump. Ambasadorja e SHBA-së në OKB Nikki Haley ftoi përfaqësues nga ato vende të cilat nuk e mbështetën votimin e Asamblesë së Përgjithshme, e cila kërkoi hedhjen poshtë të njohjes së Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit, si dhe kundërshtimin e planit të SHBA-së për të zhvendosur ambasadën e saj, atje.

Në një email të siguruar nga Fox News, Haley ftoi ato 65 vende “në një pritje për t’ju falënderuar për miqësinë tuaj me Shtetet e Bashkuara”. Ftesa e dërguar atyre vendeve që nuk votuan për rezolutën kundër SHBA në OKB, nga ambasadorja amerikane në OKB, Nikki Haley më 21 dhjetor 2017. (Fox News)

Asambleja e Përgjithshme miratoi rezolutën duke dënuar njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit  nga Presidenti i SHBA Donald Trump, me 128 vende në favor, nëntë kundër, 35 abstenues, ndërsa 21 vende nuk u paraqiten në votim. Haley tha se rezoluta, e cila kaloi me një shumicë madhore, ishte një sulm ndaj Shteteve të Bashkuara dhe ndaj të drejtës se tij për të ushtruar politikën e vet sovrane. Ajo paralajmëroi se mocioni mund të shkaktojë që SHBA të tërheqin fondet nga OKB.

Në foto: Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Kombet e Bashkuara, Nikki Haley, i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme para votimit mbi Jeruzalemin, më 21 dhjetor 2017, në selinë e OKB-së në Nju Jork.

“Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë,” tha ajo, ditën kur u sulmua në Asamblenë e Përgjithshme për ushtrimin e sovranitetit të saj. SHBA “do të kujtojë” sesi iu kërkua përsëri që të japë kontributin më të madh nga çdo vend në OKB, tha ajo, dhe ajo do ta kujtojë votën kur vendet e tjera t’i kërkojnë ndihmë SHBA-së.

“Kur ne japim kontribute bujare në OKB, ne gjithashtu presim që ne do të respektohemi”, tha Haley. “Na kërkohet të paguajmë, por nuk respektohemi”. Haley tha se ajo nganjëherë pyeste veten se përse Izraeli, i trajtuar padrejtësisht për një kohë të gjatë nga OKB, mbeti anëtare e organizatës. Por, ajo tha, ajo e kuptoi se Izraeli duhet të luftojë për interesat e tij.

“Amerika do të vendosë ambasadën tonë në Jeruzalem,” theksoi ajo, kështu që vota nuk do të ketë ndikim në politikë. Por votimi do të ndikojë në mendimin e amerikanëve për OKB dhe vendet e saj përbërëse, tha ajo. Ministri i Jashtëm Palestinez, Riad al-Malki, duke iu drejtuar asamblesë, bëri thirrje për mbështetje dhe përmendi paralajmërimin e Amerikës se “po mbante shënim emrat” e atyre vendeve që e kundërshtojnë atë në OKB.

Në foto: Ministri i Jashtëm palestinez Riyad al-Malki, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 21 dhjetor 2017 në New York.

Ministri i Jashtëm palestinez Riyad al-Malki, gjatë fjalimit në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara më 21 dhjetor 2017 në New York. “Kjo organizatë po kalon një test të pashembullt,” tha al-Malki. “Historia regjistron emrat, kujton emrat e atyre që qëndrojnë sipas asaj që është e drejtë dhe emrat e atyre që flasin gënjeshtra. Sot ne jemi kërkues të të drejtave dhe të paqes “. Riyad Mansour, ambasadori palestinez në OKB, tha se vendimi i SH.B.A.-së për të njohur Jeruzalemin “përbën një sulm ndaj popullit palestinez. Ky vendim nuk do të ndikojë në statusin e qytetit,” thotë ai. “Por kjo ndikon në statusin e Shteteve të Bashkuara si një ndërmjetës i paqes”. Mansour tha se palestinezët “nuk do të kërcënohen” nga paralajmërimi i Trump se mund të shkurtojë ndihmën e huaj ndaj vendeve që mbështesin mocionin. “Ne ju bëjmë thirrje të refuzoni shantazhet dhe kërcënimet,” tha ai.

Danny Danon, i dërguari izraelit, kritikoi mbështetësit e rezolutës si “kukulla” të kontrolluara nga “zotërit e tyre palestinezë”. Palestinezët, tha ai, “e dinë se kjo nuk do të krijojë vende pune për popullin e tyre. Ata e dinë se nuk do të sigurojë kujdes më të mirë shëndetësor për popullin e Ramallahut. Kjo rezolutë u tregon palestinezëve se ata mund të vazhdojnë të kundërshtojnë paqen “. I dërguari izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme përpara votimit mbi Jeruzalemin, më 21 dhjetor 2017, në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Në foto: I dërguari izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, i drejtohet Asamblesë së Përgjithshme përpara votimit mbi Jeruzalemin, më 21 dhjetor 2017, në selinë e OKB-së në Nju Jork.

Në vend që të kërkojnë paqe, tha ai, “ata nxisin urrejtje dhe kryejnë sulme terroriste kundër Izraelit. Nëse votoni për mocionin, ju po e sanksiononi atë”. Danon tha se besonte se një ditë të gjthë kombet e botës do ta njohin Jeruzalemin si kryeqytetin e Izraelit.

“Dyzet e dy vjet më parë ky institucion miroi një tjetër rezolutë të turpshme duke barazvleresuar sionizmin me racizmin. U deshën 16 vjet të gjata që ai vendim i urrejtshëm të hiqet”-tha ai. “Unë nuk kam asnjë dyshim se vendimi i sotëm do të përfundojë gjithashtu në kutinë e mbeturinave të historisë. Unë nuk kam asnjë dyshim se do të vijë dita kur e gjithë bashkësia ndërkombëtare do ta njohë Jerusalemin si kryeqytetin e përjetshëm të shtetit të Izraelit “.

Ambasadori iranian në OKB i tha Kuvendit se “pushtuesit izraelitë janë arsyeja kryesore e krizave dhe konflikteve në Lindjen e Mesme”. Duke i kërkuar të gjitha vendeve të votojnë për rezolutën, ai e quajti njohjen e Jeruzalemit si kryeqytetin e Izraelit, “politikisht të pasaktë dhe të paligjshme”.

Vendimi i Trump në 6 dhjetor për të njohur qytetin si kryeqytet të Izraelit prishi konsensusin diplomatik ndërkombëtar, shkaktoi protesta në të gjithë botën myslimane dhe nxiti një stuhi ankesash ndaj Kombeve të Bashkuara.

Trump më vonë paralajmëroi se Uashingtoni do të shikonte nga afër se si votuan kombet, duke sugjeruar se mund të ketë edhe masa ndëshkimore për vendet që mbështesin mocionin që u parashtrua nga Jemeni dhe Turqia në emër të shteteve arabe dhe muslimane.

“Ata marrin qindra miliona dollarë dhe madje, edhe miliarda dollarë, dhe pastaj votojnë kundër nesh,” tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.”Ne po i shikojmë ato vota. Le të votojnë kundër nesh. Ne do të kursejmë shumë. Nuk na intereson. ” (timesofisrael)

Përkthyer nga anglishtja: KOHA JONE

SHKARKO APP