Presidenti Vuçiç financon mediat. Po në Shqipëri?

Radio shtetrore gjermane DW ka publikuar sot një material se si Presidenti serb Vuçiç financon mediat e vendit, të cilat reklamojnë punën e tij dhe të qeverisë. Ato marrin miliona euro nga ndermarrjet shtetrore në formë reklamash, por jo vetëm.

Ja se çfarë shkruan media gjermane DW:

Reklama shtetërore për media besnike ndaj shtetit

Politika i mban ekonomikisht gjallë mediat që vuajnë prej kohësh nga problemet financiare. Sipas të dhënave të Universitetit të Beogradit në këtë vend të vogël ka 2.500 media. Xhiroja e të gjithë degës u llogarit para pandemisë së Coronës në 210 milionë euro. Praktikisht të gjitha mediat janë të varura nga të ardhurat e reklamave. Porositë më të mëdha vijnë nga shteti dhe sipërmarrjet shtetërore. Nuk është për t’u çuditur që merren në konsideratë vetëm ato media që janë politikisht të gatshme të binden. Autoritetet ua shtyjnë televizioneve të bindura tatimet që kapin shuma të mëdha, si psh TV Pink.

Keqfinancimin e medias e përdor agjencia shtetërore ruse Sputnik që prej 8 vjetësh ka një redaksi të madhe në Beograd. Ajo i ushqen mediat me materiale pa kosto, që merren me mirënjohje nga mjaft media dhe rijepen pa ndryshime. E sigurisht që ato shpërndajnë këndvështrimin rus ndaj botës – atë të një perëndimi të shkatërruar dhe një Rusie që lulëzon. Në të gjitha drejtimet “konfirmohet” kështu se partneriteti me Moskën është me më shumë avantazhe se Brukseli apo Uashingtoni.

Largim i vëmendjes nga aferat

Janë këto media që ndihmojnë që të largohet vëmendja nga skandalet dhe aferat e korrupsionit gjatë sundimit 10 vjeçar të Vuçiçit. Ato tematizohen vetëm nga pak media të pavarura. Këtu bëjnë pjesë pazaret e armëve, droga, disertacione të falsifikuara të politikanëve të rëndësishëm, vrasje, larje parash, blerje votash, mashtrime. Sondazhet jashtë dy qyteteve të rëndësishme Beograd dhe Novi Sad arrijnë në përfundimin se njerëzit në provincë nuk e kanë idenë për parregullsitë ulëritëse të klasës politike, megjithëse e quajnë veten të informuar.

Këto media të kontrolluara u shërbejnë përdoruesve të tyre me kryetituj me “Sex and Crime” apo hedhin baltë mbi opozitën pa fuqi dhe lëvdojnë Vuçiçin si politikanin kryesor që ka të drejtën të vendosë në të gjitha çështjet e kontestuara. Opozitës i ngarkohen akuza tërësisht pa bazë, si pretendimi se ato duan të shkatërrojnë Serbinë apo se duan të arrijnë që NATO të bombardojë Serbinë si në vitin 1999.

Realiteti i falsifikuar

Mediat pasqyrojnë një realitet të trilluar. Vuçiçi flet për ardhjen e një “kohe të artë”, por shtresa gjithnjë e më të mëdha po varfërohen. Si rezultat i një propagande mediatike, shumica e popullsisë shikon sot Rusinë dhe Kinën si kreditorët më të mëdhenj dhe partnerë të rëndësishëm tregtarë dhe është kundër anëtarësimit në BE. Në të vërtetë Serbia prej dekadash zhvillon dy të tretat apo më shumë të tregtisë së jashtme me perëndimin. Nga perëndimi vijnë investimet më të mëdha dhe dhuratat financiare. Sipas një sondazhi nga qershori 2022, shumica e mbështet Vuçiçin si lider kombëtar dhe është kundër perëndimit e për një lidhje më të fortë me Moskën: por rreth 50% duan të largohen për shkak të pakënaqësisë në vendin e tyre. Praktikisht askush nuk do të shkojë në Rusi. Qëllimi gati i të gjithëve: Gjermania.

BE nuk reagon

BE i injoron të gjitha zhvillimet negative në peizazhin mediatik serb, sepse ende shikon tek Vuçiçi partnerin e saj të përshtatshëm për negociata. Në raportin e fundit të progresit për Serbinë (12.10.2022) tema si media dhe liria e shtypit trajtohen në fund tij. Madje as këtu nuk përmendet instrumentalizimi i gati të gjitha mediave për sigurimin e pushtetit dhe fyerjet kundër çdo zëri ndryshe. Vetëm konstatime të përgjithshme që nuk i dhembin kujt. Në një kohë që Vuçiq në mënyrë të përsëritur ka thënë, se reformat duhet të presin, derisa të jenë mënjanuar gjoja kërcënimet ndaj vendit të tij, si psh Kosova, Kroacia apo boshnjakët myslimanë. Mediat e kontrolluara i shpjegojnë popullit rregullisht këtë “argumentim” për shtyrjen e reformave.

Edhe pronari i gazetës së njohur Kurir, Aleksandar Rodic duhet ta shiste gazetën tek një i besuar i Vuçiçit, Igor Zezelj pas disa vitesh lufte me autoritetet. Paratë ky i fundit i mori nga transaksione të dyshimta, në masë të madhe nga Telekomi shtetëror. Rodic në dy letra të hapura që zgjuan shumë vëmendje ishte shprehur se të gjitha mediat e rëndësishme kontrollohet direkt nga SNS dhe Vuçiqi/DW/

Po në Shqipëri?

Mediat kryesore kontrollohen nga familje të caktuara, ndërsa financimet janë të dyshimta për një pjesë prej tyre. Shumë akuza ka patur nga gazetarë investigativ, por edhe nga një pjesë e opozitës.

Pothuaj të gjithë pronarët e mediave janë të lidhur me biznese të cilat duan leje nga qeveria, pra duhet ti vendosin mediat e tyre në shërbim të pushtetit që të përfitojnë leje ndërtimi, tenderime, fshatra turistikë, kulla në Tiranë apo favore të tjera.

Nëse në vitet kur drejtonte shtetin Sali Berisha (1992-1997) pushteti ishte i dhunshëm direkt me gazetarët dhe botuesit, sot nuk vepron direkt shteti mbi ta. Qeveria bën pazare me pronarët e tyre dhe janë pronarët që bëjnë censurë mbi gazetarët.

Shumica e gazetarëve profesionist nuk ka asnjë rrugëzgjidhje, sepse u mbyllin ekranet nëse nuk tregohen të kujdesshëm në raportimet e tyre.

SHKARKO APP