“Prestige Resort”, Irfani, gota e verës dhe vështrimi nga SHBA për zyra të reja

Nga Daniel Muçaku-

Eshtë dita e tretë që IKMT dhe policia po punojnë për të rrëzuar godinën e “Prestige Resort”, e cila ndodhet buzë detit në Golem. Ndërkohë qeveria dhe institucionet e vartësisë shprehen se është e paligjshme, kurse pala tjetër e “Prestige Resort” deklaron se nuk ka asnjë dokument ligjor për këto veprime dhe se, sipas tyre, ajo është me leje ndërtimi.

Pas operacionit te IKMT ka patur një seri akuzash të forta nga mediat e pronarit të resortit, Irfan Hysenbelliu ndaj kryeministrit Rama dhe familjes së tij, duke shkuar deri te daja i vdekur.

Mediat që zotëron Irfan Hysenbelliu kanë impakt në publik dhe se drejtues të këtyre mediave janë shprehur se ky është presion qeveritar ndaj pronarit që të ndryshojë linjën e tij editoriale.

Për pjesën e parë të operacionit gjatë sezonit të verës, kur u zhblloku pjesa e rerës dhe bregdetit nga zaptimi që kishte bërë resorti në fjalë, duhet pranuar se shteti liroi diçka publike që ishte bllokuar për qytetarët.

Deri këtu palët sikur ranë në një qetësi-marrëveshje, edhe pa fjalë, se “me kaq jemi ok”!

Por papritur para tre ditëve filloi shembja masive dhe që do ta sjellë një pamje pak a shumë si me pallatin e quajtur te Lulzim Bashës në Vlorë, i cili u hodh në erë, por milionat e eurove ia ka fituar shtetit shqiptar në gjykatën e Strasburgut.

Ndaj ka nevojë që pala qeveritare ti sqarojë publikut, që njerëzit të binden, se cila palë ka të drejtën me vete. Kjo punë do të shkojë në Strasburg dhe do ti fitojmë, shprehen pjestarë nga grupi Hysenbelliu.

Por janë disa pyetje që duhen sqaruar: Hoteli që po bëhet gati të hidhet në erë a ka leje, çfarë katesh ka shtuar pa leje pala e Irfanit apo ka zgjeruar pa leje? Apo ka patur gjysëm leje me gojë nga qeveritarët e tipit të kryetarit të grupit parlamentar te PS që shkonte, hante, pinte e flinte aty? A ka patur leje për rikonstruksion të godinës etj etj, pasi për një dritare të hapur pa leje arrestohen njerëz në Tiranë nga prokuroria dhe gjykata.

Këto kanë nevojë ti dijnë qytetarët.

Por nga ana tjetër duket Irfan Hysenbelliu i qetë, me një gotë verë të shtrenjtë, me meze të kategorisë me 5 yje, mbrëmë, duke darkuar në një hotel tjetër të tij në Tiranë. Hoteli ky duket ai duke pirë (natyrisht fotot janë publikuar me lejen e tij nga media nën zotërim) është pjesë e një kompleksi gjigand me pallate të ndërtuara me leje nga bashkia e kryeqytetit, si në kohën e Bashës, po ashtu edhe nën mbreterimin e Erion Veliajt.

Siç thamë mediat e Irfanit publikojnë sot këtë lajm kryesor: “Presidenti i “Hysenbelliu Group”, Irfan Hysenbelliu ka pasur mbrëmë një takim me pronarin e gazetës historike shqiptaro-amerikane në SHBA, Illyria, Vehbi Bajrami.

Gjatë bisedës u diskutua ideja e hapjes së redaksisë së News24 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të qenë më pranë komunitetit shqiptar në këtë vend.

Televizioni më i ndjekur i shqiptarëve në SHBA do të jetë një pikë lidhje e fortë e komunitetit me vendin amë.

Redaksia e News 24 në SHBA do të jetë një dritare e rëndësishme për diasporën për të folur mbi zhvillimet në vendin ku ata jetojnë, si vendi aleat strategjik dhe më i rëndësishmi në kontributin për vendosjen e demokracisë në Shqipëri.

Vehbi Bajrami, botues i gazetës shqiptaro-amerikane Illyria në New York, ish-drejtor i seksionit shqip të Zërit të Amerikës, aktivist dhe lobist për çështjen shqiptare në Uashington është një nga shqiptarët më me ndikim në SHBA”- këto shkruajnë mediat e tij, si për inat ndaj kryeministrit Rama. Ose për të thënë se “atë hotel në Golem e kam si një qime… që nuk ma ndjen fare!”.

Foto të publikuara nga BW, pronë e Irfan Hysenbelliut.

SHKARKO APP