Prokurori i Antimafias De Raho: Mafia shqiptare ka lidhje politike
Në Shqipëri nuk ka thjesht grupe kriminale, por organizata mafioze që kanë lidhje me politikën vendase shqiptare dhe kanë hyrë në ekonominë e ligjshme.
Deklarata është bërë sot në Tiranë nga Prokurori i Antimafias italiane, Federico Cafiero De Raho, pas takimit me Kryeprokuroren e përkohshme, Arta Marku dhe me ministrin e Brendshëm Fatmir Xhafaj.
Deklarata e njeriut më të rëndësishëm anti-mafia në Itali jep një tjetër pasqyrë të krimit shqiptar, i cili tashmë ka arritur nivele të frikshme ndërkombëtare. Deri më sot politika dhe autoritet shqiptare kanë deklaruar se në Shqipëri ka organizata kriminale, por jo mafie. Ndryshimi është se termi mafia nënkupton një rrjet shumë më të madh dhe më të frikshëm të krimit, me lidhje në disa shtete të botës dhe me bashkëpunim të ngushtë me politikën. Federico Cafiero De Raho deklaroi se mafia shqiptare bashkëpunon me disa nga degët kryesore të mafies italiane si “Sacra Corona Unita” dhe “Ndrageta”, të cilat janë dhe më të rrezikshmet në vendin fëqinj.
Por ajo që është më alarmante lidhur me mafien shqiptare është konfirmim i nga prokuroi italian i bashkëpunimit mes mafias dhe politikës, si dhe futja e parave të pista në ekonominë e ligjshme. “Edhe mafia shqiptare ka arritur të penetrojë në ekonominë e ligjshme dhe ka raporte me politikën”,- tha Federico Cafiero De Raho.
Ai zbuloi dhe zonat ky veprojnë grupet kriminale. ”Grupet kriminale janë të pranishme jo vetëm në bregdetin Jon dhe zonën e Kalabrisë, por edhe në pjesën veriore të Italisë, në detin Adriatik. Sikur e kam thënë, po krijohen aleanca mes grupeve kriminale. Kemi zhvilluar hetime të përbashkëta dhe kemi vlerësuar rezultatet për hetimet e përbashkëta. Kemi bërë hetime domethënëse, që evidentojnë bashkëpunimin që kemi pasur me Shqipërinë”,-tha Raho.
Pyetjes për ish-ministrin e Brendshëm Saimir Tahirin, lidhur me hetimet e Prokurorisë së Katalias mbi dosjes ”Habilaj”, ai dha këtë përgjigje: ”Ne bashkëpunojmë me të gjithë ata që kanë objektiv luftën kundër krimit të organizuar dhe mafias. Ne kemi një rregull në Itali, ligji që zbatohet në mënyre të barabartë për të gjithë qytetarët”.
Duke folur për fenomenin e kanabisit, Prokurori i Antimafias, denoncoi shqetësimin se policia ka ndihmuar që tonelata me drogë nga Shqipëria, të arrijnë në Itali. Ai kërkoi ngritjen e një strukture të besueshme.
”Kanabisi që prodhohet në Shqipëri shkon në Itali. Largimi i punonjësve të policisë që mund të kenë bashkëpunuar me grupet kriminale është shumë e rëndësishme. Duhet të krijohet një strukturë e besueshme dhe të individualizosh njerëzit e ndershëm. Gjatë punës time kam goditur grupet kriminale, të cilët kishin persona në polici. Për vite këto struktura nuk kanë funksionuar në mënyrë më të mirë dhe është e dukshme, këtë na e ka thënë edhe ministri i Brendshëm”,-shtoi më tej Raho.
VIDEO/Deklarata e Prokurorit i Antimafias italiane
https://www.facebook.com/Ora.News.RTV/videos/1254858824639237/