Prokuroria dhe Policia: Shoferi i ministrit të Brendshëm u vetëvra me 3 plumba
Policia e Shtetit, Prokuroria dhe Grada e Republikës kanë dalë sot me një njoftim të përbashkët për vdekjen e shoferit të ministrit të Brendshëm. Sipas policisë, efektivi i gardës, Shkëlzen Qordja është vetëvrare me 3 plumba.
Në përshkrimin e dinamikës së ngjarjes, Policia thotë se 31-vjeçari ka përdorur armën e shërbimit, automatik model “MP5”, për të bërë vetëvrasje.
Për këtë version të ngjarjes japin garanci tre institucione, por ky duhet të jetë rasti i rrallë në historinë e ekspertizave kriminalistike që arrijnë në përfundime zyrtare se mund të kryhet vetëvrasje edhe me 3 plumba.
“Nga këqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima është vetëvrarë, me armën e shërbimit”,- thuhet në njoftimin e përbashkët të tre institucioneve.
Në deklaratën për ngjarjen theksohet se Shkëlzen Qordja nuk ka pasur asnjë herë procedime disiplinore gjatë kohës që ishte punonjës i Gardës së Republikës.
Deklarata zyrtare e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Policisë së Shtetit dhe SHÇBA:
“Policia e Shtetit është njoftuar nga Garda e Republikës, rreth orës 09:30 të mëngjesit, në garnizonin e Gardës, është gjetur i pajetë gardisti me detyrë funksionale shofer i Ministrit të Brendshëm, shtetasi Sh.Q., 31 vjeç.
Menjëherë është ngritur grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Tiranë, me përbërje oficerë të Policisë Gjyqësore ekspertë mjeko-ligjorë, ekspertë të kriminalistikës dhe hetues të SHÇBA-së.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se në mjetin e Gardës u gjet i pajetë, i ulur në sediljen e shoferit, punonjësi SH.Q. Makina ishte e parkuar në garazhin e caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, i cili u gjet i mbyllur nga brenda.
Nga këqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima është vetëvrarë, me armën e shërbimit.
I ndjeri, ka nisur punë në Gardës e Republikës në datën 29.03.2017 dhe nuk ka qenë asnjëherë subjekt procedimi, pezullimi apo mase tjetër disiplinore. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë është duke punuar për të qartësuar shkaqet e ngjarjes dhe zbardhjen e rrethanave”.
LAJME TË TJERA PËR KËTË ARGUMENT