Prokuroria fillon thirrjen e deputetëve. Sot e kishte radhën Taulant Balla për “Xhisielen”

Kryetari i grupit të Partisë Socialiste dhe Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla është marrë në pyetje pasditen e sotme në prokurorinë e kryeqytetit.
Sipas burimeve Balla është marrë në pyetje në lidhje me hetimet për paditë që Balla ka bërë ndaj deputetëve të PS.

“Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla ka dëshmuar në Prokurorinë e Tiranës lidhur me kallëzimin penal në ngarkim të shtetasve Lulzim Basha, Edi Paloka, Enkelejd Alibeaj, Basir Çollaku dhe Emiljano Nuhu”,- thanë burime nga PS për “Koha Jonë”.
Emiljano Nuhu në denoncimin e publikuar pak ditë më parë akuzoi Ballën se ka qenë në komisariat së bashku me kryebashkiakun e Krujës, kur vëllai i deputetit Rraja e kërcënoi me armë.
Thirrja e deputetit Taulant Balla hap dhe serinë e thirrjeve të zyrtarëve në prokurori. Çështja Xhisiela Maloku ka përfshirë të paktën 5 deputetetë dhe kreun e opozitës. Pritet që për këtë çështje të dëshmoi dhe babai i Xhexhep Rrajës, deputeti Rrahman Rraja, i cili sipas Emiljano Nuhut ka qenë në komisariat me Taulant Ballën kur është bërë kërcënimin.
Po për rastin “Xhisela” janë dhe dy paditë e Taulant Ballës ndaj deputetëve të opozitës. Duke e cilësuar si shpifje akuzën e Emiljano Nuhut, Balla ka akuzuar si ideator të saj, kreun e PD, Lulzim Basha, gazetarin Basir Çollakut, si dhe deputetët Enkelejd Alibeaj dhe Edi Paloka.
Por seria e thirrjeve në prokurori nuk ndalet me kaq. Një tjetër hetim ndaj zyrtarëve të lartë është në proces dhe që ka të bëjë me përgjimin e vëllait të ministrit të Brendshëm, Famir Xhafaj. Prokuroria pritet të thërrasë nesër, për herë të dytë, deputetin demokrat Edvin Salijanji si person që ka dijeni për mënyrën sesi u bë përgjimi ndaj vëllait të ministrit.

Balla pas daljes nga Prokuroria: S’kam qenë në Fushë Krujë, të pyetet Basha

Pas dy orë qëndrimi në Prokurori, Taulant Balla deklaroi për mediat se Lulzim Basha duhet të japë sqarime për akuzat publike që ka bërë ndaj tij. Para prokurorëve Balla ka dhënë shpjegime mbi ngjarjen dhe pretendimet se atë ditë ka qenë në Pogradec dhe jo në Fushë Krujë. Mësohet se Balla ka depozituar edhe tabulatet telefonike të asaj dite, të marra vetë pranë kompanisë celulare, që provojnë sipas tij se Lulzim Basha ka gënjyer. Edhe pse prova të tilla duhet të administrohen drejtpërdrejt nga organi i akuzës, Balla tha se ato janë administruar nga prokurorja.

Prononcimi i plotë i Taulant Ballës pas daljes nga prokuroria

Zoti Balla çfarë dëshmuar në prokurori?

Sikur jeni në dijeni për një kallëzim penal në datë 27.9.2018 në fillim në ngarkim të Bashës, Nuhut dhe Collakut, të plotësuar sot në kallëzimet ndaj Alibeajt dhe Palokës dhe besoj që do të plotësojmë nesër në ngarkim të Strazimirit për të cilët u vendosa në dijeni që prokuroria ka ngarkuar procedim penal 02.10.2018. Prokurorja Elsa Miha që dëshmova u informua prej meje për rrethanat në ngarkim të këtyre shtetasve dhe kam depozituar të gjitha provat që plotësojnë kallëzimin tim penal në krye të të cilëve është Basha. Unë e garantoj publikun, që do ta fitoj këtë betejë jo në interesin tim por të shqiptarëve që nuk duan më këtë lloj politike, që një budalla si Basha hedh një gurë në lum, ndërsa tani ka detyrimin që të vijë këtu dhe të thotë se cfarë provash ka për t’u mbrojtur në kallëzimin ndaj tij. Basha është akuzuar edhe për shpërdorim detyre. Ka ardhur momenti që kësaj politike që degradon dhe shpifja me qëllim duhet të marrë fund.

Ju ishit me vullnetin tuaj në prokurori apo u thirrët?

Unë kam ardhur për të depozituar një dosje provash që justifikojnë kallëzimin tim. Unë kam bërë kallëzim, nëse është i rremë unë mbaj përgjegjësi.

Sa qëndruat?

Gati 120 minuta. Ky është një grup i strukturuar,Basha-Nuhu dhe Collaku dhe persona të tjerë që fabrikuan një inskenim të turpshëm. Kam deklaruar në kallëzimin tim se nuk kam qenë në Krujë.

Ju kërkoj shpjegime prokurorja edhe për çështjen Nuhu?

Çështjet që isha unë, ishte vetëm për kallëzimin tim penal. Në datë 10 Basha nëse kthehet në Shqipëri, se ati 6 ditë është jashtë dhe vetëm një ditë këtu, e pres edhe në gjykatën e Tiranës dhe për një çështje tjetër. Prokuroria, Bashën ta thërrasë sa më shpejt për të sqaruar sa më shpejt opinionin. Një opozitë pa program ka përfunduar në prodhimin e Babaleve.

SHKARKO APP