Prokuroria nis hetimin e anëtarit të Vettingut, Lulzim Hamitaj

Prokuroria e Përgjithshme ka nisur verifikimet për akuzat e PD-së ndaj anëtarit të Komisionerit të Pavarur të Kualifikimit, Lulzim Hamitaj.

Verifikimet kanë nisur kryesisht mi bazën e publikimeve të bëra nga Gazmend Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj, me kërkesë të kryeprokurores Arta Marku.

Paraditen e sotme, dy përfaqësuesit e PD, në një konferencë për mediat deklaruan se anëtari i Vettingut, Lulzim Hamitaj ka falsifikuar certifikatën e gjuhës angleze.

Sipas PD, “dokumentat provojnë se certifikata e anglishtes së anëtarit të vettingut nuk e ka vulën e Universitetit Politeknik të Tiranës. Nga sistemi TIMS rezulton se Lulzim Hamitaj nuk ka qenë në Shqipëri, kur është pajisur me certifikatën e anglishtes”.

Nëse akuzat e PD konfirmohen kemi të bëjmë me një rast flagrant që vë në pikëpyetje integritetin e vendimeve të marra nga ky komisioner në kontrollin e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Akuza e PD është më serioze që është bërë, deri më sot, ndaj anëtarëve të Vettingut ku jepen dhe prova të pretenduara për falsifikim.

Në fazën aktuale të Vettingut, publikimi dokumenteve që vënë në pikëpyetje moralin e anëtarëve të Vettingut ngre pikëpyetje për gjithë trupën e anëtarëve të komisioneve të verifikimit.

Nisja e verifikimeve nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është gjesti më duhur ligjor. Hetimi institucional për këtë çështje do të nxjerrë të vërtetën duke konfirmuar ose rrëzuar pretendimet e PD.

SHKARKO APP