Prokuroria sekuestron dosjet e Kokëdhimës,deputetëve PS Leskaj-Suli
Prokuroria shqiptare i tha agjencisë BIRN se ka nisur një hetim për kreun e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Interesit për dështimin e tij në denoncimin e zyrtarëve të lartë.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm i konfirmoi BIRN –it se ka nisur një hetim ndaj Shkëlqim Ganajt, kreun e ILDKPI, nën dyshimet për abuzim me detyrën. Oficerë gjyqësorë, me një mandat sekuestrimi të lëshuar nga Prokuroria e Tiranës, shkuan në zyrat e ILDKPI të hënën për të sekuestruar të gjitha dosjet e aseteve të zyrtarëve të lartë.
Gajan, kreu i inspektoratit, nuk pranoi të bënte komente të mërkurën kur u pyet nga BIRN për hetimin.
Grupi Task – Forcë i prokurorisë së Tiranës tha se dyshon për abuzim të detyrës për një periudhë prej 3 vjetësh, gjatë së cilës Ganaj nuk ka raportua asnjë rast të konfliktit të interesit për zyrtarët e lartë. Prokuroria e Tiranës, me iniciativë të saj, regjistroi një procedim penal me dyshimet se ILDKPI ka dështuar në hetimin e rasteve të konfliktit të interesit.
“Procedimi penal nisi në bazë të të dhënave dhe fakteve të njohura publikisht për përfshirjen e zyrtarëve të lartë në rastet e konfliktit të interesit, të cilat nuk janë hetuar nga ILDKPI”, tha Albi Serani, zëdhënësi i Prokurorit të Përgjithshëm.
Mes këtyre rasteve të njohura ku zyrtarë të lartë janë akuzuar për konflikt interesi, Serani përmendi dosjet e deputetëve socialistë Rakip Suli e Valentina Leskaj dhe të ish –deputetit socialist Koço Kokëdhima.
“Me qëllimin për të investiguar nëse ka raste të tjera, prokuroria sekuestroi të gjitha dosjet e zyrtarëve të lartë”, tha Serani. Hetimi ndaj Ganajt vjen në një kohë kur ILDKPI është përfshirë në rishikimin e të jgitha aseteve të deklaruara nga gjyqtarët dhe prokurorët.
Kjo është pjesë e procesit të Vetting-ut që pritet të fillojë pas miratimit të ligjit.
Ligjit, i cili është ankimuar nga PD në Gjykatën Kushtetuese, është kundështuar edhe nga Unioni i Gjyqtarëve dhe një pjesë e prokurorëve.
Marrëdhëniet mes Zyrës së Prokurorit dhe ILDKPI kanë qenë të tensionuara prej disa kohësh, me të dy palët që akuzojnë njëra – tjetrën se kan mbyllur dosjet e zyrtarëve të lartë.Sipas një investigimi të publikuar nga BIRN, ILDKPI ka dorëzuar 158 dosje të zyrtarëve të lartë dhe të mesëm në prokurori gjatë vitit 2014 – 2015.
Dosjet përfshijnë gjyqtarë, deputetë, diplomatë, ish –ministra, kryebashkiakë dhe zyrtarë të taksave e doganave, dy sektorë të administratës publike me nivel të lartë korrupsioni. Në akuzat e tij, ILDKPI ngrinte dyshime se zyrtarë të shumtë kanë bërë deklarime false në mungesë të burimeve financiare të ligjshme, për të justifikuar pasuritë e tyre.
Por sipas ILDKPI, Zyra e Prokurorit i ka rrëzuar gjysmën e këtyre rasteve, rreth 70 në total.
Në disa raste të pakëta, Zyra e Prokurorit ndoqi dhe dërgoi në gjyq zyrtarë të akuzuar për fshehje të pasurisë, shumica zyrtarë të nivelit të mesëm. /BIRN/
Kjo është përsa thotë BIRN, një agjensi shumë serioze në lajme, por mësohet nga burime të brendshme se ILDKPI po hetonte një pasuri të një prokurori, ndaj sipas burimeve në ILDKPI, padia është bërë për hakmarrje. Mbetet të presim cili prokuror po hetohej nga ILDKPI.