Protesta e opozitës. Basha: Qeveri antimafie, zgjedhje të reja. Kryemadhi: Rama IK!

Opozita zhvilloi sot një nga protestat më masive që janë mbajtur në Tiranë. Qindramijëra qytetarë ju përgjigjen apelit të opozitës dhe mbushën sheshet kryesore të Tiranës. Pjesëmarrja ka qenë më masive sesa ishte parashikuar. Qytetarët pushtuan bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe sheshin “Skënderbej”. Tubimi ishte dhe një model qytetar i opozitarizmit. Gjatë zhvillimit të saj nuk pati asnjë incident mes protestuesve dhe qytetarëve.

Kreu i PD-së, në fjalën e tij shpalli dhe strategjinë e opozitës. Ai kërkoi qeveri antimafie dhe zgjedhje të parakohshme. Ndërsa kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi deklaroi se protesta do të vijojnë në gjithë vendin derisa kryeministri Edi Rama të largohet.

Kryedemokrati u shpreh se strategjia e opozitës është përballja dhe rezistenca me çdo kusht.  Në fjalën e tij në protestën e opozitës, Lulzim Basha u shpreh se sot ka marrë fund qeveria e Edi Ramës. Ai kërkoi qeveri antimafie dhe zgjedhje të parakohshme. “Sot, në emrin tuaj, në emër të gjithë shqiptarëve që na mbështesin në këtë shesh dhe kudo ku janë, në emër të opozitës, kërkoj largimin e qeverisë së paligjshme, krijimin e qeverisë antimafia që do të luftojë krimin, do të çojë përpara reformën në drejtësi sipas Kushtetutës dhe do të përgatisë zgjedhjet e lira e të ndershme. Kjo kërkesë, ky akt solemn, është vendimi popullor i kësaj proteste. Ju burra dhe gra, të rinj dhe të reja, të moshuara, nëna e baballarë, dëshmoni këtu me praninë tuaj fundin e raporteve politike të deformuara politike me farsën kriminale të 25 qershorit”,- tha Lulzim Basha.

Kreu i PD-së tha se ajo që prodhoi 25 qershori sot ka rënë. “Sot kemi zgjedhur të luftojmë dhe të reagojmë. Le ta dëgjojë Edi Rama mesazhin tuaj; Rama IK!”,- tha Basha.

Ai u shpreh se “ne nuk e duam Shqipërinë me standarde të falimentuara të shteteve të Afrikës. Unë jam kryetar i një partie që ka lindur nga thirrjet “Ta bëjmë Shqipërinë si Europa”.

“Sot vdes 25 qershori. Sot vdes politika që mban pushtet të vjedhur, që mban pushtet të grabitur dhe të blerë. Sot vdes pushteti që nuk i përgjigjet vullnetit të qytetarit. Ky është vendimi, kjo është thirrja e popullit që ju mohua liria të zgjedhë me votë sepse narkoqeveria i ndërseu bandat e krimit dhe paratë e drogës. Deri dje e dinin vetëm disa. Sot e dinë të gjithë shqiptarët. Sot e e ka pare gjithë bota. Sot kemi zgjedhur të mos vuajmë më thellë e më thellë. Sot kemi zgjedhur të bashkohemi, të refuzojmë të keqen, të luftojmë, ta largojmë. Le ta dëgjojë Edi Rama mesazhin tuaj; Rama ik”,- tha Lulzim Basha.

 Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi deklaroi sot në fjalën e saj në protestë se sot në shesh janë shqiptarët dhe jo partitë.  “Ne sot duhet të protestojmë si çdo shqiptar që sot vuan nga keqqeverisja. Ne sot do të protestojmë për të gjithë ata qyetetarë që nuk patën mundësi të jetonin normalisht”,- tha Kryemadhi. Ajo u shpreh se Edi Rama nuk ka arsye të qeverisë. “Rama duhet të iki një orë e më parë”.  Kryemadhi tha se Edi Rama është në pushtet më shumë se kushdo politikan tjetër. “Ngrihuni dhe protestoni jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë”,- liderja e LSI.

VIDEO E PLOTE E PROTESTËS SË OPOZITËS 

https://www.facebook.com/lulzimbasha.al/videos/1766050936779413/

FOTOT E PROTESTËS SË OPOZITËS

SHKARKO APP