Protesta? Monika Kryemadhi: Negociatat më të rëndësishme se protestat

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi në një bashkëbisedim me gazetarët u shpreh se çelja e negociatave është më e rëndësishme për shqiptarët, dhe jo për klasën politike. Ajo tha se opozita po tregohet e matur për këtë qëllim.

Opozita dhe LSI-së në veçanti tha ajo, i kanë krijuar kushtet komode qeverisë për të vazhduar me negociatat.

“Pas protestës së 27 janarit shumë kërkesa na vijnë nga qytetarët për të vazhduar protestat, por po tregohemi të matur. Po i japim kohën kësaj qeverie që të shohim vetëm drejt negociatave. E theksoj është e rëndësishme se hapja e negociatave nuk i shërben klasës politike, por shqiptarëve. Ndërkohë Qeveria nuk po tregohet aspak serioze”, tha Kryemadhi.

Kryemadhi ftoi qeverinë që të bashkëpunojë, ashtu siç bëri me ligjin e Vettngut në Polici, për të luftuar varfërinë dhe për të nxjerrë 200 mijë familje nga varfëria ekstreme.

“Pa dallime politike jemi përballë një sfide të madhe të mbijetesës, jo të politikës se ajo do të mbijetojë, por të një brezi që po largohet dhe po ndihet i braktisur. Shqiptarët duhet të kthehen dhe të marrin në dorë fatet e tyre sepse situata që po kalojmë është dramatike. Nuk reflekton po nuk pranove realitetin, është njerëzore të bësh gabime, por është djallëzore kur nuk i pranon ato. Situata është kaotike, por edhe e pasigurt, për shkak të krimit të organizuar dhe overdozës qeverisëse. Kjo qeveri nuk beson te shqiptarët, ka importuar mendje të ndritura për të qeverisur shqiptarët, por ne i ftojmë të bashkëpunojmë, ashtu si bëmë me ligjin për policinë e shtetit, pa asnjë kompleks e themi këtë se për ne ka shumë rëndësi lufta kundër varfërisë dhe nxjerrjen nga varfëria te 200 mijë shqiptarëve”- tha ajo.

Dhe LSI-së, sipas Kryemadhit e ka skemën e ndihmës ekonomike, që mund të nxjerrë nga varfëria 200 mijë shqiptarë.

“Skema e propozuar nga LSI nxjerr nga varfëria 200 mijë shqiptarë. Ne i ftojmë shqiptarët të diskutojmë me ta, iu ofrojmë atyre propozimin tonë. Për ne ka shumë rëndësi lufta ndaj varfërisë. Të gjithë jemi sot përballë sfidës së mbijetesës së një brezi të tërë, që po largohet nga Shqipëria.”, tha ajo.

Kryetarja e LSI-së foli edhe për taksën e biznesit të vogël, duke kërkuar që ligji të kthehet edhe një herë në Kuvend për ta ndryshuar që t’i mos rëndojë më shumë ata.

“Ne si opozitë do të hyjnë në histori se nuk bëmë asgjë për ti ndaluar, se shqiptarët janë pa asnjë drejtim dhe duhet ti japim drejtim. Jam e bindur se nëse vazhdohet kështu, stërnipërit e mi do thonë tu thaftë dorë që çizmja nuk i ra në kokë Ramës ta shkundte nga trutë e të bënte diçka të mirë për këtë vend”- tha ajo.

Kryemadhi mbetet politikane aktive dhe e terrenit, por këtë radhë ajo pranon se kanë pezulluar çdo protestë që të mos pengohet integrimit i Shqipërisë në BE. I kanë lënë krejt kohën dhe mundësitë qeverisë, për momentin, që të plotësojnë kushtet e BE-së për integrim.

Nëse e shikon në sensin opozitar kjo quhet ndihmë për qeverinë, por në sensin kombëtar tregon seriozitet nga ana e LSI për të patur si prioritet integrimin ndonëse qeveria mundohet t’ia lerë fajin opozitës.

SHKARKO APP