Protestat/ Basha mbledh krerët e degëve të PD: Të hënën nis mosbindja civile

Menjëherë pas përfundimit të fjalimit të tij nga çadra e ngritur që prej 18 shkurtit në sheshin para Kryeministrisë, Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha është nisur me urgjencë në selinë ku ka nisur mbledhjen me krerët e degëve të PD-së në rrethe, ku po planifikohen detajet e protestës që do të zhvillojë opozita ditën e zgjedhjeve në Kavajë.

Burime nga takimi bëjnë me dije se duke nisur nga dita e hënë e javës tjetër, PD do të përshkallëzojë protestat duke kalaur në mosbindje civile. Nga çadra e protestës, kryetari i PD-së prezantoi planin e opozitës në ditët e ardhshme për mosbindjen civile. Basha tha se aksioni nis të dielën në Kavajë dhe do të shtrihet më pas në të gjithë Shqipërinë deri më 18 qershor.

Sot do të planifikojmë në detaje bashkimin për të dielën e ardhshme me 7 maj në Kavajë për të çliruar me forcën e bashkimit Kavajën nga krimi, droga dhe zgjedhjet fasadë. Prej ditës së hënë dhe tutje do ta shtrijmë anembanë Shqipërisë mosbindjen civile dhe lëvizjen e madhe popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme për të kulmuar me 18 qershor”,- tha Basha.

Kreu i opozitës sulmoi edhe KQZ, duke e cilësuar një instrument partizan, antiligjor. Basha tha se asnjë parti apo deputet nuk është regjistruar në KQZ brenda afateve ligjore të përcaktuara. Dhe në këtë kontekst, për Bashën zgjedhjet e 18 qershorit formalisht dhe ligjërisht janë të pavlefshme.

Sot në KQZ, në atë palo KQZ, që bën ato palo deklarata, që është diskretituar si një instrument partizan antiligjor, antikushtetues, është i regjistruar vetëm një subjekt zgjedhor, koalicioni i 2015. Dhe ai nuk është i plotë, i kanë lënë rrugës ca bishta, nuk i morën dot me vete. Në udhëtim e sipër, pazar e sipër, njëri han ngjalën, tjetri han peshkun, dikujt i ngeli hala, dikujt bishti.Nuk i morën të gjithë dot me vete. Ca u ranë nga kamioni, janë mërzitur këta që kanë rënë nga kamioni i pazarit të peshkut, nuk kanë çfarë të bëjnë, kanë ngelur rrugës. Taku me shokë kanë ngel rrugës, por fakti është se është një subjekt zgjedhor. Këta ishin koalicioni i qeverisë në 2015. Dhe tani për tu hedhur hi syve shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve pretendojnë se janë 17 subjekte zgjedhore”,- tha Basha.

Akuzoi drejtuesit e koalcionit të majtë dhe partitë që kanë pranuar të marrin pjesë në zgjedhje. “Koalicioni i turpit, i vjedhjes, abuzimit, i drogës, krimit, me në krye Edi Ramën, Ilir Metën, me mercenarët e tyre si Bamir Topi, Ben Blushi, Gjergj Bojaxhiu. Janë një dhe vetëm një: Shqiptarë do ti refuzojnë me mosbindje civile, monizëm në Shqipëri nuk ka për të pasur më me asnjë çmim, në asnjë mënyrë. Nuk ja doli dot Ramizi, nuk do t’ia dalësh dot as ti Rame, hiqe nga mendja. Hiqe nga mendja se do të lejojmë të marrësh Shqipërinë sërish peng. Nuk ka zgjedhje me 18 qershor, sepse edhe formalisht këta i dogjën afatet. Listat i dorëzuan 24 orë me vonesë, ky me të vërtet nuk është kriter themelor, por është kriter ligjor. Ose ka ligj, ose nuk ka ligj. Asnjë parti dhe asnjë deputet nuk është regjistruar sipas ligjit. Këto mund të jenë zgjedhjet e pazarit të peshkut, por kurrsesi zgjedhjet e shqiptarëve. Edhe formalisht, edhe ligjërisht zgjedhjet janë të pavlefshme”,- tha Basha.

SHKARKO APP