PS: Basha, armiku publik i sigurisë kombëtare. Prokuroria të hetojë

Edi Rama e ka kapur për brirësh Lulzim Bashën me dosjen ruse. Partia Socialiste vijon akuzat edhe sot lidhur me shkrimin e revistës amerikane ”Mother Jones”, për financimin rus të PD-së dhe Lulzim Bashës.

Këtë herë nga selia e PS-së, përmes deputetes Blerina Gjylameti, kryeministri Rama kërkon që Prokuroria të marrë në pyetje Lulzim Bashën. Gjylameti në një komunikim me median e quan një krim politik financimin rus të PD-së.

‘Lulëzim Basha duhet të rrëfehet një orë e më parë në Prokurori. Prokuroria, duhet ta marrë në pyetje Lulëzim Bashën. Sepse kjo histori nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me mbi gjysëm milionë dollarë pastrim parash dhe financim i paligjshëm i partisë, po në radhë të parë me domosdoshmërinë për të ditur të vërtetën e ndërhyrjes apo jo nga jashtë. E cila, do të ishte një krim politik i pashoq në dëm të interesit tonë kombëtar dhe kundër ëndrrës europiane të Shqipërisë!”‘,- deklaroi Gjylameti.

Sipas PS, financimi rus i Partisë Demokratike e kthen Lulzim Bashën në një rrezik për sigurinë kombëtare të vendit dhe ka mundesi qe kryeministri ti kerkoj me shkrim Presidentit te Republikes zotit Meta mbledhjen e Keshillit te Sigurise Kombetare per prekje dhe cenim te Sigurise Kombetare prej donacioneve ruse per PD.

Gjylahmeti tha se faktet e publikuara nga revista “Mother Jones” mbajnë vulën e Departamentit Amerikan të Shtetit, një detaj që deri më sot nuk është bërë publik në mënyrë zyrtare.

PS-në nuk e shqetëson dhe aq burimi i fondeve, por fakti se dy kompanitë e regjistruara në Britaninë e Madhe, sipas ligjeve britanike, kanë pronar dy shtetas rusë. Sipas PS, ky skenar i zbuluar nga media amerikane shtron nevojën e marrjes në pyetje të kreut të PS-së, Lulzim Basha.

Nderkohe Edi Rama shkruan ne facebook se “Drejtuesja e qarkut Tiranë, Blerina Gjylameti – Lulëzim Basha duhet të rrëfehet një orë e më parë në Prokurori. Prokuroria, duhet ta marrë në pyetje Lulëzim Bashën. Sepse kjo histori nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me mbi gjysëm milionë dollarë pastrim parash dhe financim i paligjshëm i partisë, po në radhë të parë me domosdoshmërinë për të ditur të vërtetën e ndërhyrjes apo jo nga jashtë. E cila, do të ishte një krim politik i pashoq në dëm të interesit tonë kombëtar dhe kundër ëndrrës europiane të Shqipërisë!”,- perfundon Rama.

DEKLARATA E PLOTË E DEPUTETES SË PS: 

Blerina Gjylahmeti: Lulzim Basha nuk do t’i shpëtojë këtij skandali duke u fshehur, ashtu siç i ka shpëtuar hetimeve për Rrugën e Kombit apo 21 janarin

Financimi i Partisë Demokratike nga lobet ruse përbën një precedent tejet të rrezikshëm, që cënon drejtpërsëdrejti sigurinë kombëtare dhe aspiratat euro-atlantike të shtetasve shqiptarë.

Investigimi i të mirënjohurës “Mother Jones” nuk le vënd për diskutime dhe provat janë të pakundërshtueshme. Ndonëse PD klith “fake neës”, dëshmitë e sjella nga kjo revistë mbajnë vulën e Departamentit Amerikan të Drejtësisë.

“Bamirësit” rusë të PD janë të gjithë të identifikuar, me emër e me mbiemër. Transfertat e tyre nga kompani fantazmë janë gjithashtu të provuara katërcipërisht.

Ishte një kompani e quajtur “Biniatta Trade”, e regjistruar në Skoci, por me dy pronarë rusë – ajo që derdhi në llogarinë e Nick Muzin, lobuesit të Bashës në Uashington, mbi gjysmë milionë dollarë.

Investigimi ka hedhur dritë edhe mbi “modus operandin” e këtyre “bamirësve”, që transferojnë shumat e tyre nga parajsat fiskale për t’i shpëtuar deklarimit dhe pyetjeve për origjinën e këtyre parave.

Në këto kushte, Partia Socialiste gjen rastin të përshëndesë sot Prokurorinë, që ka nisur hetimin e këtij skandali të jashtëzakoshëm, siç dëshmon edhe thirrja e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Arben Ristani, për të dëshmuar.

E megjithatë, ndërsa lajmi po bën xhiron e botës duke u ripublikuar në gazetat më të mëdha, përfshi emra si “Neë York Times”, përgjegjësi kryesor i këtij “flirti” të papërgjegjshëm ende nuk ka dalë përpara publikut, që të shpjegojë se cilat janë lidhjet e tij të vërteta me këta biznesmenë rusë, pas të cilëve investigimi aludon se mund të fshihet vetë dora e Kremlinit.

I vendosur përballë pyetjeve të ligjshme të publikut për këtë aferë, Basha ka zgjedhur rrugën e shantazhit, duke kërcënuar revistën amerikane me hedhje në gjyq për mashtrim.

E megjithatë, koha kur me anë të presioneve dhe makinacioneve të saj një parti politike mund të pengonte të vërtetën për të dalë në shesh, ka përfunduar një herë e përgjithmonë.

Sot është në nderin e Partisë Demokratike, që të dalë përpara publikut dhe të japë përgjigje, përpara se këtë përgjigje ta marrim nga organet e drejtësisë.

Në sqarimin që i detyrohet shqiptarëve, por edhe partnerëve tanë ndërkombëtarë, Lulzim Basha duhet të na tregojë:

  • A kishte pagesa të tjera përveç tyre, kontrata të tjera sponsorizimi që mbeten ende të fshehura?
  • Kush janë njerëzit që kontaktuan me biznesmenët rusë në emër të Partisë Demokratike?
  • A ishte vetë Basha ai që negocioi me ta?
  • A ka persona të tjerë brenda Partisë Demokratike që ishin në dijeni të këtyre operacioneve, apo Basha është personi i vetëm?
  •  Përveç parave të paguara nga këta rusë kaq bujarë tek lobistët që i morën ato para për të nxirë Shqipërinë, sa para të tjera me prejardhje ruse apo në rajonin lindor të Europës janë përdorur gjatë fushatës  zgjedhore?
  •     Çfarë i premtoi Basha këtyre rusëve në këmbim të parave të tyre?
  • Kush janë pronarët e “Biniatta Trade LP” dhe si ka mundësi që paguajnë Bashën, edhe pse ai thotë që nuk i njeh!

Për të gjitha këto, Lulzim Basha duhet të japë sqarime në Prokurori. Prokuroria duhet të marrë në pyetje Lulzim Bashën, sepse vetëm kështu mund të zbardhet kjo aferë, që nuk ka të bëjë thjesht dhe vetëm me mbi gjysmë milionë dollarë që askush s’i del për zot se nga kanë ardhur, por ka të bëjë dhe me ndikimet e vendeve të huaja në interesat e Shqipërisë, gjë që e kemi parë të ndodhë rëndom në vendet fqinje, por që deri më sot mendonim se nuk kishin prekur vendin tonë.

Për zbardhjen e kësaj afere, Prokuroria duhet të bashkëpunojë ngushtësisht me të gjitha agjencitë hetimore dhe ligjzbatuese të vendeve tona partnere.

Rruga e heshtjes, rruga e shpresës se çudia më e madhe tre ditë zgjat, është një rrugë qorre, e cila vetëm sa do të trashë edhe më shumë zullumet në të cilat Partia Demokratike është e përfshirë.

Rruga e heshtjes, përpara këtij pirgu me prova kompromentuese, vetëm sa rrit dyshimet se Partia Demokratike është në fakt një avanpost i ndikimeve të huaja, që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesat dhe aspiratat perëndimore të Shqipërisë e të gjithë popullit shqiptar.

Lulzim Basha nuk mund t’i shpëtojë këtij skandali duke u fshehur, ashtu siç i ka shpëtuar hetimeve për Rrugën e Kombit apo 21 janarin.

Sot e vërteta duhet të dalë në shesh. Ky është një detyrim moral dhe ligjor që PD ka përpara shqiptarëve, përpara historisë së saj si partia që solli pluralizmin në Shqipëri, përpara Bashkimit Europian, përpara Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe NATO-s.

SHKARKO APP