PS akuzon se po rikthen vitin ’97. PD: E hëna do jetë mosbindje civile
Partia Demokratike ka reaguar pas akuzave të Partisë Socialiste se me protestën e së hënës, opozita po rikthen vitin 1997.
Selia blu thotë në një deklaratë për medias se nuk ka asnjë plan dhe skenar për konflikte gjatë protestës. PD sjellë në vëmendje protestën 64 ditore në çadrën para Kryeministrisë, ku nuk ka pasur incidente. Ndërkohë që për herë të parë, protestën e së hënës PD e cilëson si tubim për mosbindje civile.
PD akuzon Kryeministrin Edi Rama për referencat që bëri mes tubimeve të opozitës dhe vitit 1997.
“Referencat e Edi Ramës ndaj 1997-ës janë veprime të dëshpëruara të një njeriu që edhe vetë e di se nuk i ka mbetur më asnjë justifikim për të qëndruar në pushtet, veç ngjalljes së frikës tek njerëzit. Frymëzuesit dhe drejtuesit politikë të 1997-ës Edi Rama i ka në krye të PS-së dhe në Kuvend bashkë me bandat e ‘97-ës qe po i liron një nga një nga burgu për të ruajtur me ta pushtetin e tij të kriminalizuar”,- thuhet në deklaratën e PD.
Deklarata e plotë e selisë blu:
“Partia Demokratike dhe opozita kanë 64 ditë që protestojnë, pasi mbajtën një nga mitingjet më të mëdha që ka parë ndonjëherë Shqipëria. Të gjitha veprimet e saj kanë qënë paqësore dhe shembull i qytetarisë më të lartë që ka dëshmuar shoqëria shqiptare. Nuk ka patur asnjë provokim, asnjë incident të vetëm, asnjë prishje të qetësisë apo pronës publike.
Partia Demokratike nuk ka nevojë për dhunë dhe nuk do të përfshihet kurrë në dhunë. Kauza e lirisë dhe e demokracisë është kauza më e fuqishme në botë dhe ne ndjehemi të fuqishëm në të drejtën tonë. Edi Rama duhet të mësohet me demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur mosbindjen e tyre civile.
Referencat e Edi Ramës ndaj 1997-ës janë veprime të dëshpëruara të një njeriu që edhe vetë e di se nuk i ka mbetur më asnjë justifikim për të qëndruar në pushtet, veç ngjalljes së frikës tek njerëzit. Frymëzuesit dhe drejtuesit politikë të 1997-ës Edi Rama i ka në krye të PS-së dhe në Kuvend bashkë me bandat e ‘97-ës qe po i liron një nga një nga burgu për të ruajtur me ta pushtetin e tij të kriminalizuar.
Protesta e opozitës do ta shpëtojë Shqipërinë nga krimi që ka sjellë Edi Rama. Me besimin tek vlerat e demokracisë dhe lirisë, ne do të vazhdojmë qëndresën tonë qytetare me çdo mjet demokratik deri sa të sigurojmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme”.
Sot PS-ja doli me një deklaratë të fortë ku i bën thirrje qeverisë që të mos lejojë bllokimin dhe kthimin e anormalitetit të vitit 1997. Nënkuptimi përdorimi i policisë në përballje me protestuesit.
Ja deklarata e PS-së:
“Është koha që Basha të mësojë se: Ai që bënte thirrje vetëm pak ditë më parë për të thyer dritaret e për të shpuar gomat, nuk mund të pretendojë krejt papritur e pa kujtuar se është thjesht një qingj i pafajshëm. Çadra e Bashës e ka vonuar mjaft tashmë zbatimin e Reformës në Drejtësi dhe rrezikon ta nxjerrë Shqipërinë nga rruga drejt BE-së. Kërcënimet e tij për bllokimin e rrugëve dhe bojkotin e zgjedhjeve janë një rrugë e rrezikshme që na çon pashmangshmërisht vetëm drejt dhunës, pikërisht ashtu si në 1997-n. Ne nuk do ta lejojmë PD-në t’ju marrë peng të ardhmen shqiptarëve. Në 18 Qershor, qytetarët do të jenë të lirë të shprehin vullnetin për zgjedhjen e tyre”.
Pak me parë se deklarata Rama dhe Basha shkëmbyen replika dhe akuza. “Ne jemi këtu me vendosmërinë më të madhe, jo vetëm të mos lejojmë që të përsëritet historia tragjike e 20 viteve më parë, por edhe të mos lejojmë që t’u mbyllet rruga e drejtësisë. O me Europën, o me çadrën”, tha ai.
Por Lulzim Basha, i cili ka vendosur përshkallëzimin e protestës të hënën me bllokimin e akseve kryesore kombëtare, i hodhi poshtë akuzat e Kryeministrit. “Sot na flet për ‘97, por një gjë ta ketë të qartë; ‘97 për prapanicën e tënde nuk do bëhet më kurrë në Shqipëri, por ne jemi totalisht të vendosur për ta çuar betejën deri në fund me fitore, pa u thyer një gotë, pa u këputur një lule! Paqësor, demokratikë e të vendosur deri në fund”,- deklaroi Basha.
Lexoni dhe:
Partia Socialiste dhe Rama: Policia të mos lejojë të hënën opozitën
Partia Republikane: Të hënën të bllokojmë rrugët dhe autostradat
Manjani: Për 2017, ashtu si për ’97 do fajësojmë qeverinë, jo opozitën
Shpërthen Braçe: Luli je budalla! Të hënën ke përballë popullin
Basha: Dialogu me negociatorët e BE do dështojë prej Ramës
Propozimi i Idrizit: Krizën politike ta zgjidhin gratë