PS: Opozita gënjen për ndryshimin e Kodit Penal

Partia Socialiste ka reaguar sot për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale, të miratuara një vit më parë. Opozita akuzon ministrin Fatmir Xhafaj, se gjatë kohës që ishte kryetar i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi ka miratuar një nen, që sipas PD favorizon mosekstradimin e vëllait të tij të dënuar në Itali.

Mazhoranca e cilësoi këtë akuzë të PD-së si një mashtrim flagrant dhe lajthitje juridike.

Kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, dhe deputetja e PS, Vasilika Hysi shpjeguan sot para medieve gjithë procedurat e ndjekura në Kuvend për miratimin e këtij ligjin. Dy deputetët dhe ekspertët e PS në fushën e drejtësisë, i kanë cilësuar të padrejta dhe një lajthitje juridike akuzat e opozitës lidhur me nenin 491 gërma “F”, mbi ekstradimin e personave në kërkim.

Sipas zyrtarëve të PS, qëllimi kryesor i opozitës me këto sulme është zhbërja e Reformës në Drejtësi, por edhe dëmtimi i procesit të integrimit dhe çeljes së negociatave.

Deputetja e PS-së dhe pedagogia e drejtësisë, Vasilika Hysi e cilësoi si të pabazë akuzën e PD-së për falsifikim të ligjeve nga ana e PS-së. “Detyra jonë bazohet në disa pika: Përafrimi i pr/ligjit me standardet evropiane. Ne shikojmë përputhjen e pr/ligjeve me Kushtetutën, e cila është miratuar në ’98, jo kur është miratuar Kodi i Procedurës Penale. Mbrojtja e të drejtave të shtetasve shqiptarë brenda dhe jashtë vendit. Pr/ligji që është depozituar në emrin tim nuk reflektonte sa duhet protokollin shtesë për ekstradimin. Për këtë arsye, është kërkuar që neni 491 të rishikohet, me qëllim që të jetë në përputhje me protokollin shtesë të ekstradimeve”,- tha Hysi.

Ajo deklaroi se Kuvendi ka një procedurë stritike për kalimin e amendamenteve, e cila siç tha ajo, është respektuar. “Ne nuk kemi bërë asgjë tjetër, veçse kemi transplantuar protokollin shtesë, ku personi i kërkuar mund ose jo të ekstradohet. Ajo që është diskutuar gjatë nga demokratët është fjala “falsifikim”, pra që është falsifikuar nga Xhafaj projekti. Kjo nuk është aspak e vërtetë. Nuk arrij të kuptoj qëndrimin e kolegëve të opozitës, që kanë në e-mailet e tyre dhe në tavolinat e tyre të punës të gjitha nenet e amenduara dhe të diskutuara. Në këtë kuadër, unë nuk kam çfarë të them tjetër, ligji nuk është falsifikuar, por është përmirësuar” – shpreh Vasilika Hysi.

Deputeti i PS-së dhe kreu i Komisionit të Ligjeve u shpreh se ndryshimet në Kodi Penal, përveç se janë bërë sipas konventave ndërkombëtare ku bënë pjesë Shqipëria, janë miratuar dhe me pëlqimin e ekspertëve të institucioneve ndërkombëtare që asistuan reformën në Drejtësi në Shqipëri.

Grupi i ekspertëve të nivelit të lartë kishin përgjegjësi të punonin me draftin e Kodit të Procedurës Penale. Nga momenti i depozitimit të pr/ligjit janë zhvilluar disa herë mbledhje me grupin e punës dhe germa në fjalë e nenit del se është reflektuar nga fundi i shkurtit dhe fillimi i marsit. E kuptoj shqetësimin e opozitës, por opinioni duhet ta dijë se ka fakte dhe prova se PD kur ka qenë në pushtet ka aplikuar ligjin në dy standarde”,– deklaroi Ulsi Manja.

SHKARKO APP