Deklaratat/ Pas marrëveshjes Rama-Basha, PS-PD bëjnë sikur bëjnë sherr

Pas “dashurisë” se javës së fundit, dy partitë kryesore PS dhe PD sot kanë nisur disa deklarata të çuditshme për mediat. Fillimisht ishte Partia Demokratike që pasi mori ministrat, drejtoritë dhe gjithë pushtetin që donte nga PS, u kujtua të sulmonte Edi Ramën. Në reagimin e PD në emër të Lulzim Bashës tentohet të jepet ideja se ish-partia kryesore në opozitës nuk ka ndryshuar në qëndrimet e saj. Deklarata e PD-së “sulmon” Edi Ramën, jo për hashashin, as për korrupsioni, as për krimin, por e akuzon se nuk ka mbajtur premtimet elektorale të vitit 2013. Që partitë nuk mbajnë premtimet, kjo nuk ka qenë ndonjë hata e madhe asnjë herë në Shqipëri. Këtë gjë e kanë bërë rregullisht të gjithë gjatë pushtetit.

Selia e PD i kujton Ramës se premtoi 300 mijë vende pune, varfëroi shqiptarët dhe nuk realizoi  asnjë prej pikave të programit. Ajo që bie në sy në reagimin e PD-së është se mungon krejtësisht retorika e “Çadrës së Lirisë”. Nuk ka as denoncime, nuk flitet fare për hashashin që 10 ditë më parë sipas PD-së kishte zbatuar vendin. Madje nuk ka asnjë fjalë kundër Ramës personalisht, gjë që më parë ka qenë rregull strikt në çdo reagim të PD. Deklarata e PD-së më shumë se qëndrim opozitar, duket si sforco e një partie që pasi hyri në pushtet ka humbur pikat e orientimit të programit të saj. Nëse do t’i ndërroje logon deklaratës së PD-së, të njëjtat gjëra, madje dhe pak me të ashpra i ka dhënë PDIU dhe vetë deputetët e Ramës për PS.

Megjithatë, mediat e morën këtë deklaratë dhe e cilësuan si “opozitë” të fortë të PD-së ndaj partisë bashkëqeverisëse PS.

Nuk ka vonuar dhe ka ardhur reagimi i Partisë Socialiste. Me një deklaratë më të shkurtër, PS-ja mundohet t’i kthejë përgjigje PD-së duke e ngacmuar për postet qeveritare që i dha Bashës-Rama. Por ashtu si dhe selia blu, PS-ja reagon “ashpër” me disa deklarata të sheqerosura kur thotë se “ata që kundërshtuan dhe humbën me Vetting-un, do të humbin gjithashtu në betejën për të fituar zemrat e shqiptarëve”.

Dy deklarata që sot u komentuan si rikthim i sherrit PS-PD, në fakt duken si tjetër gjë. Pasi po shohin efektet katastrofike që ka sjellë në elektoral kjo aleancë, Rama dhe Basha po bëjnë gjasme sherr. Me këtë konflikt të sajuar duan tu thonë mbështetësve se ne jemi sërish armiq, pavarësisht se pushtetin po e ndajmë thuajse në mënyrë të pabarabartë.

Më këto qëndrime ka vetëm një pyetje: Kë duan të gënjejnë? Sepse nuk ka njeri që beson se PS dhe PD nuk janë bashkë.

Sado të mundohen që ta fshehin aleancën, deklaratat e sotme nuk e zhbëjnë të vërtetën. Reagimet e PS dhe PD të kujtojnë çiftin që është kapur në flagrancë duke tradhtuar dhe mundohet të justifikohet me shprehjen: “Nuk është ashtu siç duket…”

Deklarata e PD:

Edi Rama mendon se, meqë i gënjeu njerëzit njëherë, mund t’i gënjejë përsëri. Pasi nuk mbajti asnjë premtim, qoftë edhe një të vetëm, ai ka filluar të premtojë nga e para.

Premtoi 300 mijë vende pune, por nuk hapi asnjë. 300 mijë shqiptarë e braktisën Shqipërinë katër vitet e fundit për të gjetur punë në emigrim, por në vend të kërkojë falje, ai po gënjen prapë se do të hapë 220 mijë vende në mandatin e dytë. Në katër vite, të varfërit u varfëruan më shumë, ndërsa një grusht oligarkësh u bënë më të pasur nga favoret e qeverisë, por ai prapë gënjen kur thotë se do të punojë për të varfërit. Shëndetësia e premtuar falas është rrënuar dhe njerëzit paguajnë çdo gjë nga xhepi i tyre, por ai gënjen edhe një herë duke premtuar se do e bëjë falas në mandatin e dytë. Ai i braktisi fermerët e nuk u dha kurrë mbështetje, por ai tani premton se me të do të lulëzojë bujqësia. Krimi zaptoi shtetin e ekonominë dhe kanabisi mbuloi Shqipërinë, por ai thotë se ka bërë shtet dhe do bëjë edhe më shumë shtet.

Edi Rama kujton se njerëzit nuk kuptojnë, prandaj i gënjen, i përçmon dhe i tall çdo ditë ata. Shpërfillja ndaj qytetarëve dhe përqëndrimi i pushtetit e pasurisë në pak duar është vete thelbi i republikës së vjetër. Ndryshimi më i madh që do sjellë Republika e Re është kthimi i pushtetit tek njerëzit, të cilët do të kenë mundësi të jetojnë në mënyrë të ndershme, me punën dhe aftësitë e tyre. #ZgjedhjeTeLira #RepublikaeRe​

Deklarata e PS

Pasi mbylli çadrën për ca poste qeveritare, Z. Basha po përpiqet tani të na mbushë mendjen se ka hallin e qytetarëve dhe problemeve të tyre. Ata që kundërshtuan dhe humbën me Vetting-un, do të humbin gjithashtu në betejën për të fituar zemrat e shqiptarëve. Ata që luftuan për Vetting-un dhe fituan, do të fitojnë edhe betejën gjatë katër viteve të ardhshme për më shumë vende të reja dhe dinjitoze pune.

SHKARKO APP