PS: Sot ikën Llalla. Basha s’pranon ofertën e Ramës për kryeprokurorin e ri
Një ditë pas ftesës së Kryeministrit Edi Rama për opozitën për zgjedhjen e një kryeprokurori konsensual, Partia Socialiste ka nisur në Komisionin e Ligjeve procedurën për zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm.
Deputeti i PS-së, Ulsi Manja kërkoi nga Kuvendi zgjedhjen e një kryeprokurori të përkohshëm, pasi sot ka mbaruar mandati i kryeprokurorit aktual Ulsi Manja. “Nuk ka një rregull të posaçëm që të parashikojë zgjatjen e mandatit të kryeprokurorit. Pra nuk kemi zgjatje të mandatit të prokurorit aktual. Ligji nuk lejon as dhënien e fuqisë prapavepruese, ndaj duhet zgjedhur një prokuror i përkohshëm nga radhët e prokurorëve me më shumë eksperiencë”, -tha Ulsi Manja.
Ndërkohë, po sot në një letër publike, Partia Demokratike e cilësoi procesin e nisur nga PS si antikushtetues. Partia Demokratike i ka dërguar një letër Kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi ku radhit arsyet se pse procedura e nisur nga Kuvendi është antikushtetuese. Letra është dhe një përgjigje e Lulzim Bashës për ftesën e Edi Ramës. Një ditë më parë Edi Rama kërkoi nga opozita bashkëpunimin për zgjedhjen e një emri të pranueshëm në krye të prokurorisë, për periudhën gjashtë mujore, deri në zgjedhjen e organeve të reja të drejtësisë.
Sipas PD-së, mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk konstatohet nga Kuvendi i Shqipërisë, por vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë por KLP nuk është ngritur ende. “Kushtetuta e thotë qartë: Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm nuk konstatohet nga Kuvendi i Shqipërisë, por vetëm nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kjo kompetencë e KLP parashikohet në pikën 2 të nenit 148/c të Kushtetutës, ku thuhet se “Mbarimi i mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm deklarohet me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”,- thuhet në letrën e PD.
PD vlerëson se deri në ngritjen e KLP-së dhe plotësimit të boshllëkut kushtetues dhe ligjor është e pamundur që Kuvendi të marrë kompetencën e një institucioni të pavarur të drejtësisë. PD shprehet se ajo nuk ka qëndrim përfundimtar për çështjen e kohëzgjatjes së mandatit nga 5 në 7 vjet të Prokurorit të Përgjithshëm. Përgjigjen për këtë dilemë nuk mund ta japë politika, por e jep vetëm Këshilli i Lartë i Prokurorisë si institucioni i vetëm që deklaron mbarimin e mandatit.
Në këtë mënyrë PD dhe Basha kanë refuzuar ofertën e Edi Ramës për të gjetur një emër konsensual në krye të organit të akuzës.
Për letrave mes Edi Ramës dhe PD (Lulzim Basha) deputetët e dy partive kanë nisur sherrin sot në Komisionin e Ligjeve.
Ish-ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi tha se situata është alarmante, pasi PS po shkel Kushtetutën. “Kjo nuk është normale, askush nuk e kishte menduar se PS do të kërkonte një prokuror të përgjithshëm që nuk do të jetë as prokuror me funksione të plota. Çdo përpjekje për të emëruar Kryeprokurorin nga partia do të jetë dështim i gjithë sistemit të drejtësisë”,- tha Halimi.
Deputeti Demokrat Eneklejd Alibeaj tha se procedura e nisur në Kuvend për zëvendësimin e Prokurorit të Përgjithshëm është një vendim i njëanshëm. Ai tha se me këtë proces, PS tregon edhe se ftesa e Ramës për konsensus është pa vlerë dhe nuk ka asnjë vlerë.
VIDEO/DEBATET NE KOMISIONIN E LIGJEVE PER KRYEPROKURORIN E RI
https://www.facebook.com/ShqiptarjaCom/videos/1640860489310540/
Donald Lu: Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta
Ndërkohë që në Komisionin e Ligjeve ka nisur debati për zëvendësimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Ambasadori i SHBA Donald Lu reaguar lidhur me zbatimin e Kushtetutës dhe ligjit për Prokurorinë.
“Kushtetuta dhe ligji për Prokurorinë janë të qarta. Ambasada e SHBA mbështet opinionin ligjor që OPDAT dhe EURALIUS i kanë dhënë Parlamentit. Ne nxisim Parlamentin të zbatojë ligjin”,- thuhet në reagimin e ambasadorit të SHBA.
Delegacioni i BE: Kuvendi zbatojë ligjin për Prokurorinë
Debati për Prokurorin e Përgjithshëm të përkohshëm ka çuar në reagimin e delegacionit të BE –së, në Shqipëri. Ata ia kanë thirrje Kuvendit që të procedojë në bazë të Ligjit për Prokurorin, pa humbur kohë.
“Ligji për organizimin e Prokurorisë parashikon dispozita të qarta ligjore. Ne ftojmë Kuvendin të procedojë në respekt të plotë Ligjin”, thuhet në reagimin e Zyrës së BE –së në Shqipëri. Reagimi delegacioni të BE –së, në Shqipëri erdhi pas reagimit të ambasadorit Amerikan Donald Lu, i cili kërkonte zgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm në bazë të Ligjit për organizimin e Prokurorisë.
Edi Rama: Lulzim Basha, eja merremi vesh
Kryeministri Edi Rama ka reaguar sot sërish për zgjedhjen e kreut të ri të prokurorisë. Në një koment në Facebook, Rama fton Lulzim Bashën që të ulen dhe të merren vesh. “LB (Lulzim Basha) mos prit të ta lexojnë të huajt Kushtetutën e vendit po eja të flasim shqip për Shqipërinë siç e kemi për detyrë nga ata që na zgjodhën!”,- shkruan Rama në Facebook. Ndërkohë në Komisionin e Ligjeve PS ka nisur procedurën për zgjedhjen e një prokurori të përkohshëm, pa pëlqimin e opozitës.
LB mos prit të ta lexojnë të huajt Kushtetutën e vendit po eja të flasim shqip për Shqipërinë siç e kemi për detyrë nga ata që na zgjodhën!
— Edi Rama (@ediramaal) December 7, 2017