Kërcënon PS: Të shkarkohen menjëherë prokurorët e dosjes “Tahiri”
Çështja ”Tahiri”, tashmë nuk është më vetëm mes ish-ministrit dhe Drejtësisë, por edhe mes mazhorancës dhe prokurorëve të çështjes. Deputeti i PS-së, juristi Ulsi Manja, i cili është edhe anëtar i Këshillit të Mandateve, përmes një statusi në Facebook ka paralajmëruar prokurorët që po merren me dosjen e ish-ministrit Tahiri. Ai ka cituar disa nene të Kushtetutës, me atë të të cilave kërkon shkarkimin e Prokurorëve që reaguan dje ndaj deklaratës së Kryeministri.
Një ditë më parë, pas kritikave të ashpra të Edi Ramës ndaj prokurorisë për çështjen “Tahiri”, Prokuroria e Krimeve të Rënda, në një deklaratë për mediat, i kujtoi Kryeministrit bazën ligjore ku bazohej hetimi i ish-ministrit. Gjithashtu, prokurorët i kujtuan se në vende të tjera, si në Kroaci, hetimi ndaj ish-kryeministrave ka nisur edhe për dyshimet e vlerës së një ore dore.
Por sot, juristi Ulsi Manjai shprehet se Prokuroria shkeli ligjin dje duke bërë deklaratat politike. Sipas tij Kryeministri është politikan dhe prokuroria nuk mund të komentojë qëndrimet e një politikani. Ulsi Manja thotë se, bazuar në ligj, prokurorëve u ndalohet të bëjnë deklarata ose të japin mendime për veprimtarinë e organeve të tjera, ndërsa shton se në bazë të Nenit 148/dhe të Kushtetutës prokurori shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për shkelje të rënda profesionale ose etike që diskreditojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës.
Deklarata e sotme është një kërcënim i hapur ndaj Prokurorisë së Krimeve të Rënda e cila po heton çështjen “Tahiri”. Përmendja e shkarkimit dhe penaliteteve të tjera ligjore nga një ligjvënës, kur hetimi për ish-ministri nuk është mbyllur, ngjan si sinjal që shkon direkt për tre prokurorët që po hetojnë këtë çështje.
Argumentet që sillen për shkeljen e ligjit nga Prokurorët hapin një debat tjetër. Nëse Prokurorët gabuan kur i kthyen përgjigje Kryeministrit, po Kryeministri që sulmoi Prokurorinë si një tufë të paaftësh për hetimin e “Tahirit”, a nuk bëri të njëjtën gjë. Pra, a nuk ishte Kryeministri dhe PS që fillimisht tejkaluan ligjin dhe kompetencat duke komentuar procesin dhe duke rrëzuar në Këshillin e Mandateve ato që mund të quhen prova nga Prokuroria. Ligji, po ashtu, ndalon që Kryeministri dhe ekzekutivi të komentojnë vendimet e institucioneve të drejtësisë, apo aq më tepër të japin dhe konkluzione për mënyrën sesi u bë hetimi, apo vlefshmërinë e dokumenteve të organit të akuzës.
Kërcënimi ndaj Prokurorisë vjen edhe pas një zhvillimi të ri. Të shtunën, në Këshillin e Mandateve në Kuvend, Prokurorët e çështjes “Tahiri”nxorën disa prova të tjera për hetimin. Prova kryesore është një dëshmitare që ka punuar më parë për Policinë e Vlorës. Ende pa u mbyllur mbledhje me dyer të “mbyllura” emri i dëshmitares doli në media. Prokuroria, në bazë të ligjit, mund të nis hetim për deputetët që kanë nxjerrë sekretin në media. Të dyshuarit për nxjerrje hetimi janë brenda radhëve të Këshillit të Mandateve dhe pikërisht në kampin e Partisë Socialiste. Ndaj dhe lufta për “Tahirin” tani është kthyer në një betejë mes PS dhe Prokurorisë.
STATUSI I DEPUTETIT TË PS, ULSI MANJA:
“Më kanë pyetur shumë njerëz a ka të drejtë prokuroria të bëjë deklarata politike si ajo e djeshmja, ja përgjigja ime: Deklarata politike si ajo e djeshmja në mënyrë kategorike jo, madje as nuk duhet ti çojnë nëpër mend e jo më ti bëjnë publike në media sepse e ndalon Neni 9 paragrafi i 3 i ligjit “Për Organizimin dhe Funksionimin e Prokurorisë në R.SH” ku thuhet qartë dhe pastër, “ prokurorëve u ndalohet të bëjnë deklarata ose të japin mendime për veprimtarinë e organeve të tjera”, e jo më të sulmojnë Kryeministrin që mban një fjalim politik në një forum të partisë së tij !!! Besoj kaq e kupton edhe një që nuk është jurist! Po kur prokurori e bën një deklaratë të tillë politike si ajo e djeshmja ç’farë pasojash ligjore ka ?
Kjo konsiderohet si shkelje e betimit të bërë solemnisht “për ti qëndruar kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, ligjeve në fuqi dhe respektimit të rregullave të etikës profesionale në kryerjen e detyrës” , dhe në bazë të Nenit 148/dh të Kushtetutës së Shqipërisë , prokurori shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë për “shkelje të rënda profesionale ose etike që diskretitojnë pozitën dhe figurën e prokurorit gjatë ushtrimit të detyrës”, respektivisht shkelen Nenet 37, 101/c dhe 102/ë të ligjit “Për Statusin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve në R.SH”.
As edhe për të kuptuar këto nuk duhet të jesh jurist i shquar mjafton të hapësh defterët e ligjit dhe i kupton gjithkush. Kaq besoj mjafton o dashamirës të drejtësisë dhe ligjit për të kuptuar kush e ka shkel ligjin në këtë rast prokurori apo Kryeministri ! Ndoshta i kam rënë pak gjatë po kështu jemi ne juristët!“.
Deklarata e kundërdeklarata mes Ramës dhe prokurorisë së krimeve të rënda