PS: T’i ndalohet Lulzim Bashës udhëtimi jashtë vendit, si Saimir Tahirit

Partia Socialiste ka kërkuar sot nga drejtësia që kreut të PD-së, Lulzim Bashës t’i ndalohet udhëtimi jashtë vendit, për shkak se është nën hetim për pagesat e parave për lobim në SHBA. Duke e akuzuar  Bashën për pastrim parash dhe lidhje me të kërkuarin nga drejtësia, Klement Balili, deputeti i PS Taulant Balla kërkoi që drejtësia të veprojë menjëherë ndaj kreut të PD. Në Kuvend, Balla deklaroi se Basha ka fshehur të ardhurat për gati 1 milion dollarë lobim, si dhe i ka dhënë prona Klement Balilit. Për këtë arsye ai shtoi se duhet ndalur udhëtimi i jashtë vendit i Bashës, pasi mund të prishë provat për hetimet.

Argumenti i Tulant Ballës është i njëjtë me atë që Prokuroria për Krimet e Rënda ka kërkuar për Saimir Tahirin. Dy ditë më parë, Gjykata vendosi bllokimin e pasaportës së Saimir Tahirit, ai akuzuar për bashkëpunim në trafikun e drogës, me argumentin se lëvizjet e tij jashtë shtetit mund të përdoren për të dëmtuar provat. Në këtë mënyrë, Taulant Balla ka kërkuar që të veprohet edhe me Lulzim Bashën. “Lulzim Basha është një shtetas i kallëzuar, duhet t’i ndalohet largimi nga vendi…Meqenëse PD hezitoi të fliste për Balilin, i them Bashës se jeni pikërisht ju që ia kemi dhënë familjes Balili tokën e hotelit. Ta nxjerr unë dokumentin që e ka firmosur Basha”,- akuzoi Balla.

Gjatë seancës në Kuvend, Sekretari i Përgjithshëm i PS, Taulant Balla deklaroi se Lulzim Basha duhet të përgjigjet për çështjen e parave që ka dhënë në mënyrë jo ligjore në SHBA. Sipas Taulant Balla edhe ditën e sotme, Lulzim Basha ka udhëtuar në Edinburg të Skocisë, ku është dhe qendra e kompanisë së huaj që ka paguar lekët për Partinë Demokratike në SHBA.

“Basha është në Edinburg, në vendin ku është bërë pagesa e 675 mijë dollarëve. Në Edinburg, në vendin ku kompania që pagoi 675 mijë euro për lobim në SHBA, ka rezidencën e vet. Pse iku Lulzimi në Edinburg? Nuk kemi rezultate nga prokuroria, por nuk ka nevojë për fakte që Luli është gënjeshtar dhe siç ka thënë zonja Jozefinë, “Luli të rren edhe kur thotë sa është ora”,  deklaroi Balla.

Përfaqësuesi i PS ka cituar në Kuvend dhe raportin e KQZ-së për pagesat e bëra gjatë fushatës, ku nuk rezulton i pasqyruar aktiviteti i PD për lobim në SHBA. “KQZ thotë që këto pagesa nuk rezultojnë të paguara. Ku është Lulzimi? PD ka paguar në total 875 dollarë lobingun, se lobing kanë bërë të gjithë ku 20 ku 10 mijë, por 875 mijë nga të cilat 675 janë paguar nga një kompani guackë në Edinburg, atje ku është Basha sot. I rrëshqiti Berisha sot, por përmendi offshore. PD duhet të bëjë transparencë për këtë transaksion që ka nisur hetimet edhe në SHBA” tha Taulant Balla ndërsa fliste në foltoren e parlamentit”,- u shpreh Basha.

Ndërkohë, deputeti i PD-së, Edi Paloka tha se asgjë nga qëndrimet e PS nuk qëndron “Kam këtu ftesën e partive konservatore. Basha është në konferencën e partive konservatore në Londër. Jo se nuk e dini sa ordiner është zotëria, por përpiqen të hedhin shashka dhe bomba tymuese për të mbuluar 20 milion eurot e Habilajve” tha deputeti i PD-së.

SHKARKO APP