Avokatit Plarent Ndreca thotë se i është refuzuar pa bazë ligjore takimi me klientin e tij, Erion Veliajn. Kjo është shkelje e rëndë që nuk mund të trajtohet si një problem i zakonshëm administrativ. E drejta për t’u takuar me avokatin është pjesë thelbësore e së drejtës për mbrojtje. Asnjë drejtori burgu nuk mund ta pezullojë atë me një vendim të pashpjeguar.
Pyetja është e drejtpërdrejtë: kush e ndaloi avokatin dhe mbi ç’bazë ligjore? Drejtoria e Burgjeve duhet të tregojë nëse ekziston një urdhër, kush e ka firmosur dhe çfarë arsyeje ligjore përmban. Nëse nuk ka një vendim të tillë, atëherë kemi të bëjmë me një pengim arbitrar dhe përgjegjësia duhet të kërkohet te personat që e kanë urdhëruar ose zbatuar.
Dyshimi se kjo po bëhet për hakmarrje politike është tepër serioz. Ai nuk mund të shpallet si fakt pa prova, por as të mbytet me heshtje. Kur një avokat pretendon se i mohohet takimi me klientin, institucionet kanë detyrimin të verifikojnë rastin me urgjencë dhe të bëjnë publike përfundimet. Heshtja vetëm sa ushqen dyshimin se ligji mund të përdoret si instrument presioni.
Nëse avokatët e të paraburgosurve të tjerë lejohen të takojnë klientët, ndërsa avokatit të Veliajt i refuzohet hyrja, administrata duhet të shpjegojë qartë këtë standard të dyfishtë. Ligji nuk mund të ndryshojë sipas emrit të të paraburgosurit apo bindjeve politike të tij.
Avokati i Popullit, prokurorët e çështjes dhe Prokuroria e Fierit duhet të verifikojnë menjëherë kush e mori vendimin, çfarë dokumentacioni ekziston dhe nëse janë shkelur të drejtat e Veliajt dhe avokatit të tij. Nëse pengimi është bërë pa bazë ligjore, ai duhet të marrë fund dhe përgjegjësit të mbajnë përgjegjësi.
Burgu është institucion shtetëror, jo pronë private e drejtorit. Porta e tij nuk mund të përdoret për të bllokuar mbrojtjen apo për të dhënë mesazhe politike.
