Pse i duhet realisht Shqipërisë edhe një mandat tjetër qeverisës Rama-Meta?
Hamëndësimin se Ilir Meta mund të mos firmos me Edi Ramën për zgjedhjet e vitit 2017 e hodhi poshtë pikërisht Ilir Meta. Në Konventën Kombëtare të LSI ai tha se “ koalicioni ka ende rrugë për të bërë…”. Pra do të vazhdojë. Natyrisht modalitetet e një Marrëveshje të Re mes tyre do hanë debat, por duket se do jenë në të njëjtat shina dhe në një lokomotivë drejtuese bashkërisht.
Ky mandat qeverisës po shkon drejt fundit. Edhe pothuaj 6 muaj kanë mbetur. Viti i ardhshëm do jetë vit zgjedhor ku çdo gjë do jetë në shërbim të zgjedhjeve. Opozita ka lajmëruar një valë protestash në janar deri në qershor, gjë të cilën mund ta kishte bërë me kohë, ndërsa Rama-Meta do punojnë në një “parcelë”, por sejcili në “shtëpinë” e tij. Me synimin që të marrin çdo votë kudo e ngado, por edhe nga bahçja e njëri tjetrit. Por pa sherr. Lufta mes vëllezërve është më e egër, por “I joti mishin ta ha e kockën ta ruan”. Gjithsesi PS-ja është më e interesuar për të ruajtur harmoninë në “familjen” e majtë. LSI ka numra e vota që nëse dëshiron e kthen “varkën” mes lumit në cilën anë dëshiron të dalë dhe kudo që shkon e plotëson numrin magjik 71. Kaq duhen për të bërë qeverinë. Por e djathta mbetet e dobët, e pa ringritur, pa solidaritet. Me një lider të mirë, të urtë, por që akoma nuk krijon frymë. Edhe atë frymë që po mundohet ta fus në tollumbacen e selisë blu ia shpon Saliu me një të kollitur nga kati i 14-të, një kat mbi Samir Manen e madh të biznesit shqiptar.
Dyshja Rama-Meta duhet pranuar se bënë disa reforma të forta. Ishin drastike, por që duheshin për një jetëgjatësi të ekonomisë,të shtetit.Bënë edhe gabime.Edhe gafa. Por ama mbeten dyshja me shpresëdhënëse për vendin, të paktën edhe një mandat tjetër qeverisës. Votuesit shqiptarë, mundet edhe si traditë apo edhe si mendim se një koalicion nuk mund ti kryejë detyrat brenda një mandati qeverisës katërvjeçar, ndaj përherë kështu kanë votuar:Tetë vjet me tetë vjet. Herë djathtas e herë majtas e kështu vazhdon cikli. Përjashtim bëri vetëm pushteti i Saliut të I-rë, i cili ia shkurtoi jetën vetë, vetes. Vodhi zgjedhjet hapur me 26 maj 1996 dhe nuk pranoi të përsëriste zgjedhjet siç ia kërkoi SHBA. Dhe u rrëzua me rrëmujë e luftë civile. Më pas nga viti 1997 deri me 2005 ishte e majta në pushtet. Me 2005 deri me 2013 qëndroi Saliu i II-të. Në vitin 2013 Meta-Rama bashkuan forcat dhe vazhdojnë. Me logjikën popullore duhet të qeverisin deri në 2021-tën.
Por vota mbetet votë dhe nuk i dihet votuesit!
Në sensin e vazhdimit të reformave logjika ekonomike dhe politike e do që Rama-Meta të vazhdojnë, porse të monituar rreptësisht pas 2017-ës.
Në fund të fundit jemi të dënuar ti votojmë edhe katër vite. Opozita nuk është gati. Lulzim Basha ka nevojë të bëjë realitet hapjen e PD-së, e cila nuk mund të bëhet për gjashtë muaj. Edhe sikur të hap vetë dyert e portës së madhe të jashtme tek selia e PD-së, prapë arrihet. Nuk të lenë të vjetrit e selisë blu. Nuk të lë as Saliu. Nuk të lë as Jozi. Nuk të lë kollaj krejt shpura e ish-ministrave, të cilët gjysma duhej të ishin në burg.
Por a ka nevojë dyshja Meta-Rama të spastrojnë qeverinë dhe qeverisjen? Patjetër. Bile nëse nuk e bëjnë një “krehje” të fortë para zgjedhjeve do jetë pak e lodhshme fitorja kundrejt opozitës. Ka nevojë për gjetjen e një mënyre tjetër qeverisje në këto gjashtë që kanë mbetur. Me të butë dhe jo me shpatë. Pastrim të disa zyrtarëve të lartë, zbatim të reformës në drejtësi që mjeshtërisht po e bllokon opozita. Ka nevojë për gjetjen e një strategjie të madhe kombëtare dhe uljen në tavolinë me PD-në për një plan të madh antikanabis, antidrogë.
Duhet dhe nuk është ulje hunde ndaj opozitës. Është çështje madhore për të ardhmen e Shqipërisë lufta kundër mbjelljes masive të lendëve narkotike. Disa reforma kaluan dhe do japin sukses, pavarësisht se “operacioni” kishte dhimbje, sepse Edi Rama duke qenë vetë trupfortë fizikisht e përdori “bisturinë” pa narkozë. Me pak mpirje, por trupi i vendit është akoma i pa zhvilluar.Fatmirësisht operacionet e kryeministrit po japin rezultate. Jo aq sa do të dëshironte votuesi , por prapë mes dy të këqijave duhet pranuar e keqja më e vogël.
Dyshja Rama-Meta mund të rrëzohen vetëm nga vetvetja. Se po i rrëzon PD-ja, pak e besueshme. Kishte tre vjet selia blu premtime se do të bënte namin me protesta pa ndalesë para kryeministrisë e ku “barin e kryeministrisë do të përdornin si jastëk ku do të rrinin ditë-natë”, por as deri tek shkalla e parë e kryeministrisë që është edhe pa hekura, nuk arritën dot për 40 muaj e kusur. Eshtë faji i PD-së.
Opozita ka radhën, nëse këta të dy nuk gabojnë apo nuk hanë njeri tjetrin, që ta marrë në vitin 2021. Lulzim Basha duhet të bëjë hapjen reale siç dëshiron. Nëse e lejojnë duhet të shikojmë. Deri atëhere do të kemi shkuar edhe në Mars!
Spiten Prulli