Pse ishte ministri i brendshëm Xhafaj në Gjermani te ministri homolog gjerman?
Ministri Fatmir Xhafaj duket se pas sulmit të PD-së për çështjen e “audio-përgjimit”, vetëm është forcuar. Fill pas sulmit e priti ambasadori amerikan Lu, bile i hapi derën të hypte në makinën e ambasadorit, më pas ambasadori italian doli krejt hapur pro tij, më pas u prit në Hollandë dhe dje në Gjermani te homologi i tij, Horst Seehofer. Ministri gjerman i brendshëm është dora më e fortë e qeverisë gjermane, pas kancelares Merkel. Bile ai po rrezikon edhe vetë Kancelaren për çështjen e shumëpërfolur të refugjatëve.
Pas takimit me homologun gjerman Horst Seehofer, ministri Fatmir Xhafaj shkruan se ka marrë një mbështetje të plotë për hapjen e negociatave.
“Dritë jeshile për hapjen e negociatave”, shprehet Xhafaj
“Bashkë me drejtues të lartë të PSH në vizitë zyrtare në Gjermani. Mirënjohje dhe falënderim për mbështetjen e plotë dhe të drejtpërdrejtë që partnerët gjermanë i japin Policisë në luftën kundër krimit. Rikonfirmim i dyanshëm i angazhimit për thellim të bashkëpunimit, tani dhe në të ardhmen.
Sapo përfundova një takim shumë miqësor dhe produktiv me Ministrin e Brendshëm Federal, z.Seehofer.
Gjermania mbështet integrimin e Shqipërisë në BE.
Dritë jeshile për hapjen e negociatave. Seehofer në gjurmët e paraardhësit të tij F.J.Strauss.
Mirënjohje pafund Gjermanisë mike!”, shkroi Xhafaj.
Por çfarë ishte në të vertetë kjo vizitë e shpejtë e ministrit Xhafaj, fiks një javë para se BE të mblidhet në Bullgari, ku do të diskutohet edhe pranimi ose jo i statusit kandidat të Shqipërisë? Vizitë kortezie? Nuk besohet! Vizitë e planifikuar? Edhe kjo nuk rezulton nga pala gjermane të ishte e programuar me parë. Atëhere çfarë e bëri të nxitojë për ti hypur avionit për në Berlin, ministrin tonë të brendshëm- shtrohet pyetja. E kërkuan pala gjermane për çështjen e refugjatëve, e cila ka plasur këto ditë në mediat ndërkombëtare dhe shqiptare, apo për luftën ndaj krimit të organizuar? Apo për dosje të “nxehta” politikanësht të përzier me qarqet kriminale të kokainës? Një çantë plot me letra e dokumenta e kishte ministri Xhafaj, kur zbriti në Berlin, tregojnë burime të “Koha Jone”.
Shumë pikëpyetje shtron kjo vizitë, aq me tepër që në foton e kërkuar nga të dyja palët, duket fare mirë sikur kanë dashur të thonë se “u morëm vesh”.
Por për çfarë ranë dakort, duhet ta sqarojë ministri Fatmir Xhafaj në Tiranë. Ose edhe nëse nuk flet do të shikohet pas datës 28 qershor se për çfarë ranë dakort.
Në foto: Ministri Xhafaj dje në Berlin me homologun gjerman Horst Seehofer