Pse nuk flasin “perëndimorët” e PS-së, Ditmir Bushati, Fatmir Xhafaj dhe Pandeli Majko për antiBE-në e Ramës?!

Nga Herion Mesi, zv/kryeredaktor i KOHA JONE

Edi Rama është lider autoritar, kryeministër arrogant dhe i pangopur me pushtete. Kjo u rikonfirmua edhe me ndryshimet në Kushtetutë në mënyrë të dhunshme, duke përdorur deputetët idiotë të opozitës. Ai sulmoi edhe ndërkombëtarët, si ambasadoren amerikane dhe të BE.

Rama është kryetar i PS-së, të cilën e ka konvertuar në Rilindje dhe disa figura emblematike apo historike në këtë formacion politik i mban që ti përdor si karem për militantët e zhgënjyer socialistë. Një parti mbaron së ekzistuari demokratike në thelb, kur asnjë nuk flet, kur asnjeri nuk ngrihet në momente kulminante, siç ishte kjo e prekjes së kushtetutës në mënyrë harbutçe apo kur krejt buxhetin e shtetit e marrin 12 oligarkë, ndërsa qytetarët gënjëhen me therrime.

Edhe PD-ja ka patur mjaft probleme me liderin autoritar, por ama kishte emra që dilnin kundër apo flisnin, si Gramoz Pashko, Preç Zogaj, Neritan Ceka, Arben Imami, Spartak Ngjela, etj. Natyrisht që morën ndëshkime, por politikës i bënë mirë. Edhe PD-së.

Ndërsa sot në PS ka heshtje. Asnjë nuk hap gojën. Foli Ditmir Bushati kundër copëtimit të Kosovës kur ishte ministër dhe e shkarkuan. Humbi postin, por fitoi simpati kombëtare, bile kontribuoi në mos copëtimin e Kosovës nga treshja e famshme e Ballkanit Perëndimor.

Nëse ke hyrë në politikë për parime, për qeverisje të drejtë e të pakorruptuar, nuk mund të heshtësh. Në PS kanë mbetur Fatmir Xhafaj, Ditmir Bushati dhe Pandeli Majko që kishin dhe duket kanë akoma mbështetje euroatlantike, por prej muajsh kanë rënë në gjumë. Gjumë frike apo presin rastin për të sulmuar, kjo mbetet të shikohet.

Por nuk duhet pritur shumë!

Fatmir Xhafaj mund të ketë të drejtë në raport me opozitën në disa gjëra, por kurrë nuk mund të mbyllë gojën kur kryeministri i partisë së tij sulmon ndërkombëtarët. Nuk mundet të rrish me idenë se “lideri suprem” të pret kokën! Ai, pra lideri, e ka në krah hanxharin për të tre dhe për disa të tjerë që kanë dhënë shenja indipedence në PS.

Ndaj politikani që thotë se jam perëndimor në mendime, nuk rri apo shmanget përplasjes me kryeministrin-kryetar, kur flitet për veprime që janë krejtësisht antikushtetuese, në mos të poshtra si sjellje në një shtet, ku duhet konsensusi për gjëra të mëdha apo që shmangin përplasjen civile. Apo kur lideri merr udhën antiperëndim.

Natyrisht që Bushati, Xhafa dhe Majko nuk mund të jenë “Gramoz Pashko” si politikan, pasi Pashko ishte lider, ishte kurajoz, vizionar.

Por të paktën këta të tre, si shpresë ndryshimi në PS, të jenë fare pak “Pashko”!

SHKARKO APP