Pse nuk zgjedhin Spartak Ngjelën Prokuror të Përgjithshëm?
Të gjithë po zihen se kush e fut në dorë Prokurorin e Përgjithshëm të Shqipërisë. Sejcili e do për vete e nën vete. PS-ja ka filluar sot procedurat për caktimin e një Prokurori të Përkohshëm, gjoja sa të zgjidhen organet e përzgjedhjes të kryeprokurorit të ri, por ka hallin sa të mbarojë punë me disa çështje të rrezikshme, ku prangat kërcasin. PD-ja bërtet se Adriatik Llalla ka mandat akoma. LSI flet dhe nuk bëzan, por duket me shumë për Prokuror që të mos e ketë asnjë nën varësi.
Ndërkohë PS-PD-LSI do zihen e shamatohen fort në parlament për emrin, si zgjidhet, me 36 vota apo me 3/5. Por ka një zgjidhje për Edi Ramën, Lulzim Bashën dhe Monika Kryemadhin: Të zgjedhin avokat Spartak Ngjelën. Kështu shpëtojnë të gjitha palët se asnjeri nuk e ka në dorë një njeri si Ngjela, por të trija palët rrezikojnë burgun me Ngjelën. Rëndësi ka që zgjidhet një njeri i ligjit, i drejtë, i pakorruptuar dhe që nuk i bën syri terr para askujt në piramidën e shtetit. Ai njeh Ligjin.
Me pas le të konkurojë, si gjithë të tjerët për afat me të gjatë, pavarësisht se të gjithë kanë frikë se Spartak Ngjela fiton prapë për Prokuror me mandat kushtetues.
A thonë, politikanët dhe kryeministri, se duan drejtësi? Ja ku e kanë Spartak Ngjelën!
A duan ambasadori amerikan Lu dhe ambasadorja e BE Vlahutin drejtësi e ndëshkim dhe një Kryeprokuror të pa ndikuar nga politika dhe paraja si dhe që nuk ka frikë nga krimi i organizuar? Ja ku e kanë Spartak Ngjelën!
Por, fatkeqsisht, asnjeri në sallën e parlamentit nuk e do drejtësinë të pavarur. Mundet, edhe lozhat ku rrijnë ambasadorët!