Edi Rama është më dinak dhe arrogant se Erdogan
Presidenti turk Rexhep Tayip Erdogan njihet tashmë për prirjet diktatoriale në kushtet e një pluralizmi turk, të përzier me disa liri politike, por më së shumti pa demokraci liberale. Publiku ia di bëmat Presidentit turk, aqsa janë të freskëta dje edhe në Kosovë ku arrestoi dhe mori në fshehtësi nga Prishtina në Stamboll gjithë kupolën drejtues të shkollave të Gylen për Ballkanin Perëndimor.
Shërbimet turke janë shumë të specializuara, bile ka informacione se po trajnojnë edhe SHISH shqiptar. Me stilin turk. Dihet edhe se Kryeministri Edi Rama ka një miqësi-dashuri, gati idilike për Presidentin turk. Njihen vizitat jo zyrtare te Erdogan sa herë gjendet në probleme të mëdha kryeministri shqiptar. Shkurt: Edi Rama e ka idhull Presidentin turk. Dhe realisht po ia arrin mrekullisht që te bëhet një Erdogan i ri në Ballkanin Perëndimor. Rama nuk ka fuqinë zaptuese ekonomike e ushtarake si Turqia, por aftësinë per te qene më sqimatar se Presidenti turk, që të duket bashkëkohorë, integrues, hokatar me të huajt dhe luan me ndjeshmërinë dhe paaftësinë e Brukselit, duke bërë atë që BE don për momentin: “stabilizuesin” e Ballkanit Perëndimor bashkë me Presidentin Vuçiç.
BE e ndodhur e përçarë dhe në kriza të forta pas ikjes se Britanisë e tendencave proruse të shteteve lindore të BE, po ndjek një politikë me dy standarde për qeverisjet në Ballkanin Perëndimor. Tashmë parimi në Bruksel është “më mirë stabilitet se sa demokraci”. Kjo nuk thuhet nga Brukseli, por zbatohet. E thënë ndryshe BE nuk kërkon me zbatim te ligjit, demokraci perfekte, media të lirë, luftë ndaj korrupsionit të qeveritarëve etj. Brukseli do vetëm stabilitet në Ballkan. Këtë e bën mjaft mire Rama dhe Vuçiç, natyrisht per momentin, sepse me vone do plasi destabiliteti. Nëse BE reagon për liri e të drejta nga ana e Turqisë, edhe këtë për interesa gjeostrategjike, në Shqipëri as që duan t’ia dijnë se çfarë bën kryeministri Rama në mënyrë autoritare dhe të dhunshme.
Në këtë drejtim, Edi Rama mbetet më i suksesshëm se sa Erdogan në raport me BE.
Për fat të keq edhe SHBA, e zënë me hallet e saja botërore e jo vetëm, nuk i kushton shumë vëmendje problemeve të demokracisë dhe zbatimit të ligjit në Shqipëri. Edi Rama prapë mbetet më i zoti se Erdogan edhe në drejtim të miqve përtej Oqeanit. Sa herë ka halle dërgon në Uashington ministrin Gjiknuri, i cili mjeshtërisht ua di oreksin kompanive amerikane për nafte dhe gaz.
Ndaj Edi Rama është më i rrezikshëm se sa Presidenti turk Erdogan. Për dreq, ka edhe një PD kundërshtare të dobët dhe pa shtyllë kurrizore.
Spiten Prulli