“Pse shkoi në Beograd, shefja e SHISH, Vlora Hyseni?!”
Sekretari i Përgjithshëm i PD, njëherazi deputet dhe anëtar i Komsionit të Sigurisë Kombëtare në Parlament, Flamur Noka nëpërmjet një shkrese të dërguar ditën e sotme i ka kërkuar sqarime Presidentit Begaj në lidhje me vizitën 10 ditore të kreut të SHISH, Vlora Hyseni në Beograd.
“Duke qenë se Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, vizita e Kryetares së SHISH, të një vendi anëtar tek një vend jo partner dhe jo anëtar i NATO-s, ka krijuar shqetësim madhor. Kjo për arsye se SHISH përfaqëson një institucion kryesor të Sigurisë Kombëtare. Gjithashtu kjo vizitë rrit misterin dhe ngre shumë pikëpyetje, pasi po zhvillohet në një moment shumë të komplikuar dhe delikat për Kosovën, ku Presidenti serb, Vuçiç po provokon duke trazuar situatën dhe paqen në Kosovë dhe duke rrezikuar stabilitetin në rajon.
Duke e konsideruar shumë të rëndësishme ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon, si anëtar i Komisionit për Sigurinë Kombëtare kërkoj të informohem rreth motivit të kësaj vizite enigmatike, arsyet dhe qëllimi i saj.
A janë informuar institucionet eprore dhe a është marrë miratimi i tyre?
A është bërë në konsultim dhe a janë informuar partnerët tanë të NATO-s rreth kësaj vizite?
Kërkoj që informacioni të më vihet në dispozicion brenda një afati kohor prej 5 ditësh”, thuhet në kërkesën e Nokës drejtuar Presidentit Begaj.