Pse vetëm Koço Kokëdhimës ia hoqi mandatin e deputetit,Kushtetuesja ?

Nikoll Lesi.

Në Gjykatën Kushtetuese PD-ja dërgoi tre mandate deputetësh të PS-së. Koço Kokëdhimën, Valentina Leskaj dhe Rakip Suli. Por dje Kushtetuesja vendosi që Rakip Suli të gëzojë mandatin e deputetit. Edhe Valentina Leskaj nuk pësoi asgjë nga Gjykata. Ndërsa vetëm Koço Kokëdhimën e palosi Gjykata Kushtetuese. Pas shqyrtimit nga Kushtetuesja, në muaj të ndryshëm, por me një padi e me të njëjtin argument, ku flitej për përfitime fondesh publike nga deputetë, tashmë del se vetëm Koço Kokëdhima paska shkelur ligjin dhe Kushtetutën.

Për të qenë të sinqertë asnjëherë nuk kam patur simpati për biznesmenin dhe botuesin Kokëdhima. Janë të njëjtat arësye që i kam shprehur publikisht dhe shkruar në gazetën “Koha Jonë” prej vitit 1998. Nuk kam ç’të shtoj në ato çfarë kam thënë, por duhet të jemi realistë dhe korrekt me ndërgjegjen profesionale të gazetarit.

Heqja e mandatit të Kokëdhimës nga Kushtetuesja është krejt antikushtetuese. Aq me tepër kur shikon dy vendimet e tjera të kësaj gjykate në raport me deputetët Valentina Leskaj dhe Rakip Suli. Nëse duhej hequr mandat ishin për Leskaj dhe Suli. Koço mund të ishte dënuar për çka bërë para se të merrte mandatin e deputetit, sipas meje, porse në rastin konkret duket hapur se dikush, lart, që ka pushtet ekzekutiv dhe politik ka ndikuar, në mos vendosur, që mandati i tij të fironte. Nuk kishte asnjë shkelje në atë çka akuzohej nga PD-ja dhe asnjë argument kushtetues nga Kushtetuesja.

Në fillim kur iku mandati i Koços u krijua një mendim se edhe dy mandatet e tjera të deputetëve Leskaj dhe Suli do të hiqeshin pa asnjë mëdyshje, sepse konflikti i interesit dhe shkelja ligjore ishte fare hapur, aqsa po të ishte në ligj edhe një gjykatë provinciale do vendoste t’u hiqte mandatin e deputetit. Pra kaq hapur është shkelja kushtetuese në dy rastet e fundit, të cilat Kushtetuesja nuk guxoi t’i hiqte. Tek rasti Kokëdhima akuza ishte në thelb politike, të paktën për akuzën që ishte depozituar.

Tani pas rastit Rakip Sulit dyshimet e para për mandatin Kokëdhima nga dyshime kthehen në të verteta të një lufte politike të brendshme në kampin e PS-së.

Koço dihet nga të gjithë se ishte mik i ngushtë i Edi Ramës. Kaq shumë shokë sa dukeshin si vëllëzër që do të gëzonin pleqërinë sëbashku, siç deklaroi Rama në një moment sinqeriteti në Zonën e Bregut, në Jug të vendit.

Duket se Kokëdhima e mori me qejf dhe pasion të madh reformimin e PS-së, partisë e cila tashmë kishte marrë ngjyra rilindase. Ha diskutim mënyra e konceptimit të Koços për PS-në e re, larg skemave të vjetra dhe e atrofizuar nga 25 vite. Nga pak e përditë ai filloi të quhej “beu i Jugut” nga opozita ose “kryeministri i Jugut” nga më dashamirësit. Pati deri etiketime si “kryedeputeti”,etj, por që në thelb tregonin fuqinë e tij mbi kryeministrin Edi Rama.

PD e kishte shënjëstër në çdo seancë parlamentare, aqsa me shumë kishin në target Kokëdhimën se sa Ramën, pasi goditja e Koços shigjetonte Edin. Asnjë vendim në PS dhe në qeveri, thuhej nga njërëz afër kryeministrit, nuk merrej pa rënë dakort Kokëdhima. Një fuqi deri diku e mbinatyrshme mbi Ramën. Kishte kaq shumë fjalë e hamëndje për këtë pushtet të Koços mbi Ramën, sa asnjë mendje nuk mund t’i përceptojë ku me humor thuhej se fuqia e tij ishte ekzaltuese hyjnore mbi mendjen e Edi Ramës.

Por tashmë duke analizuar faktet dhe natyrisht duke përdorur deduksionin nga analiza e ngjarjeve duket se Rama e kishte planfikuar që Kokëdhima nuk duhej më me këtë supërpushtet në politikë, ndaj për të mos ia prishur krejt endërrat Koços e futi të votohej si anëtar i Asamblesë në Kongres, krejt në kundërshtim më Statutin e PS-së. Bile në një moment Bledi Klosi që drejtonte seancën tha se nuk ka pse votohet Kokëdhima se është deputet dhe deputetët janë automatikisht anëtarë të Asamblesë Kombëtare të PS-së. Por mendja diabolike e Edi Ramës, të cilën asnjë nuk e mendonte kaq të pavarur nga Kokëdhima e kishte skicuar skemën përfekte. E bënte anëtar Asambleje dhe sekretar në Kryesi dhe më pas i hiqte mandatin e deputetit. Lëvizje gjeniale e Ramës, në sensin e largimit të ish-mikut të tij që po zaptonte shumë pushtet edhe në parti. Natyrisht gjeniale në sensin e skemës së goditjes, por jo ligjore dhe miqësore.

Koço me idenë e ndryshimit të krejt skemës së funksionimit të PS-së po rrezikonte mëkëmbësit e Edi Ramës, në rast humbje të zgjedhjeve parlamentare nga Rama. Mori në dorë strukturimin e PS-së,  e cila do të thoshte se po fuste partinë në dorë. E kishte me sensin e mirë apo të keq kjo do kohë të shikohet, porse realisht Kokëdhima filloi strukturimin e PS-së sipas modelit që ai mendonte. Synonte që anëtarësia e PS-së të votojë emrat kandidatë për deputetë dhe jo ti zgjedhë kryetari i PS-së. Kjo zgjoi xhelozi e smirë në kupolën e PS-së. Futi, siç duket edhe frikë tek Edi Rama se mos në moment kritik për Ramën, ku sipas statutit kur humbet zgjedhjet parlamentare kryetari jep dorëheqjen e padiskutueshme dhe Kokëdhima mund ta merrte vetë PS-në. Dhe duke ditur miqësinë me Ramën, forcën e tij prej biznesmeni, botuesi, politikani, manovruesi dhe vrastari të dëshirës së Saimir Tahirit dhe Erion Veliajt për të marrë drejtimin e PS-së, atëhere kupola ka vendosur që ta largojë nga turravrapi i tij drejt selisë rozë.

Dihet se në lojë për të zëvëndësuar Edi Ramën janë Erion Veliaj dhe Saimir Tahiri, të dy të kthyer në armiq të heshtur të Kokëdhimës. Pa harruar edhe Gramoz Ruçin, i cili nëse ka PS në këtë Rilindje vetëm Ruçi ka mbetur me pak deputetë të tjerë, stoikë të kohëve të vjetra socialiste. Edhe me Gramoz Ruçin hapi front lufte dhe duket se Kokëdhimën e futën në “gijotinë” katershja Rama-Ruçi-Veliaj-Tahiri. Mundet edhe Fatmir Xhafa. Të tjerët nuk i llogoristë Koço.

Por që ta spostonin “ supërdeputetin” vetë me duart e tyre ishte e rrezikshme, ndaj duket përdoren kanalet e fshehta me opozitën. Iu çuan në vesh se dërgojeni në Gjykatën Kushtetuese dhe ne nuk e mbrojmë. Edhe PD-së i hidhej një “kockë” nga Koço, por kryesisht shpëtonin veten nga sulmi direkt i “kryeministrit të Jugut”. Ai dinte dhe di shumë për Ramën. Atëhere, kur Gjykata Kushtetuese e kishte vendosur, nga ligji dhe nga frika, që të mos hiqej mandati i deputetit Kokëdhima, dikush lart, me fuqi të mëdha ekzekutive dhe politike lëshoi sinjalin tek Kushtetuesja: Hiqeni mandatin!

Dhe shpëtoi Rama, Veliaj, Ruçi, Tahiri dhe vetë PD. Të gjitha palët fërkuan duart.

Kjo duket se është skema pas mos’heqjes dje nga Kushtetuesja të mandatit të PS-së Rakip Suli, i cili me Valentina Leskaj kishin shumë e me shumë shkelje kushtetuese se sa Koço, pas marrjes së mandatit në qershor 2013.

Këto që shkruajta nuk ma ndryshojnë mendimin tim personal për Kokëdhimën e para qershorit 2013 !

Por e verteta duhet thënë, ashtu sikurse janë faktet.

SHKARKO APP