Punëtorë turq për aeroportet gjermane, do paguhen deri në 6 mijë euro në muaj

Nga DW-

Një marrëveshje e re si në vitin 1961? Gjermania dëshiron të rekrutojë punëtorë turq për të zgjidhur problemet e mëdha me mungesën e personelit në aeroporte. Mediat turke po bëjnë krahasime me vitin 1961.

Mungesa e fuqisë punëtore në tregun gjerman të punës nuk është ndonjë fenomen i ri. Por kohët e fundit ka një nevojë akute në aeroportet gjermane në mbarë vendin. Pas dy vite kufizimesh për shkak të pandemisë Corona, tani shumë gjermanë mezi presin të shkojnë me pushime jashtë vendit. Por shpesh në aeroporte ka radhë tepër të gjata, kaos, ndërsa fluturimet po anulohenshpesh.

Për shkak të situatës së tensionuar, autoritetet gjermane në aeroporte duan të punësojnë punëtorë turq. Rreth 2000 punëtorë nga Turqia do të rekrutohen përkohësisht dhe do të përdoren kryesisht në transportin e bagazheve. Problemi është se punonjësit e huaj nuk lejohen të punojnë në pikat e sigurisë veçanërisht të mbingarkuara.

Burokracia dhe kërkesat

Qeveria federale ka premtuar mbështetjen e kompanive të fluturimeve në këto kohë të vështira, tha Ministrja e Brendshme, Nancy Faeser në një konferencë për shtyp të mërkurën. “Tani po i ndihmojmë me masa shumë afatshkurtra. U mundësojmë kompanive të përdorin ndihmës nga jashtë, mbi të gjitha nga Turqia. Lejet e nevojshme të qëndrimit dhe të punës do t’i japim shumë shpejt”, thotë Faeser. Megjithatë, është shumë e qartë se këta asistentë duhet të kalojnë të njëjtat kontrolle të rrepta si gjithë të tjerët.

Këtë e ka konfirmuar edhe Shoqata Federale e Industrisë së Aviacionit Gjerman (BDL), në një intervistë për DW. Procedurat e nevojshme për të kontrolluar besueshmërinë e punonjësve të rinj nga vendet e treta duhet të përshpejtohen nga autoritetet në mënyrë që punëtorët të mund të punojnë menjëherë gjatë muajve të verës, tha zëdhënësja e shtypit e BDL, Julia Fohmann. “Në vend të dy deri në tre muaj, kjo tani duhet të përfundojë në dy deri në katër javë, nëse është e mundur.”

Pohimet e palës turke

Sindikatat turke dhe kompanitë e përgatitjeve të bagazhit në Stamboll dhe Ankara nuk janë të informuara për këtë çështje, sipas Emre Eser, korrespondent i Redaksisë turke të DW. Aktualisht nuk kanë informacion as operatori turk i aeroportit TAV Airports Holding dhe linja ajrore turke Turkish Airlines. Edhe ambasada gjermane në Ankara i tha DW se nuk ishte e përfshirë në këtë proces.

Themeluesi i Bonnair Tours, Mustafa Kocabayraktar, i cili gjithashtu merret me çështjet e vizave për punëtorët, tha për DW se aktualisht ka shumë pyetje për këtë punë.

Edhe Turqia ka nevojë për punëtorë

E sigurt është se punëtorët që duhet të vijnë në Gjermani nga Turqia janë të nevojshëm edhe në Turqi. Në fund të fundit, këta janë njerëz me njohuri të mëparshme dhe “përvojë në fushën e trafikut ajror dhe shërbimeve tokësore në aeroportet turke”, sipas ministres së Brendshme Faeser.

Korrespondenti i DW në Turqi, Eser thotë se Turqia nuk dëshiron të humbasë punonjësit e saj në aeroporte – veçanërisht jo në sezonin e verës. Punonjësit e kualifikuar me njohuri të gjuhës gjermane dhe angleze janë duke u përdorur intensivisht në aeroportet turke.

Turizmi ka një rëndësi të madhe ekonomike në Turqi. “Pritjet pas dy viteve të pandemisë janë shumë të larta”, thotë Eser. Turqia mund të ketë probleme në këto kohë të vështira, nëse do të silleshin punëtorë të kualifikuar në Gjermani.

Euforia dhe zhgënjimi

Deri më tani, kjo ide ka hasur në një interesim të madh në publikun turk. Mediat turke raportuan gjerësisht për këtë temë. “Gjermania do të rekrutojë punëtorë turq,” shkruajnë disa media. Sipas disa raportimeve, paga mujore është 4000 euro, ndonjëherë madje edhe 6000 euro.

Punëtorët e shumtë turq ishin euforikë pas raportimeve të para, thotë Emre Eser. “Shumë punëtorë menduan se do të emigronin në Gjermani dhe do të qëndronin atje. Shumë menduan se do të lejoheshin të qëndronin në Gjermani përgjithmonë, ose të paktën në afat më të gjatë.”

Por sa më shumë detaje bëheshinn të ditura, aq më i madh ishte zhgënjimi. Aktualisht planifikohet të vijnë punëtorë turq në Gjermani vetëm për një kohë të shkurtër. Sipas Grupit të Punës të Aeroporteve Tregtare Gjermane (ADV), ato duhet të përdoren për një periudhë të kufizuar deri në 3 muaj.

Si në vitin 1961?

Punëtorët turq që vijnë në Gjermani për një kohë të kufizuar mund të zgjidhin përkohësisht problemet në tregun e punës. Kjo ta kujton Marrëveshjen e vitit 1961.

Si rezultat i Marrëveshjes, disa breza të punëtorëve turq dhe së shpejti familjet e tyre erdhën në Gjermani dhe kontribuan në mrekullinë ekonomike gjermane.

Shumë media turke tani po tërheqin paralele me marrëveshjen e asaj kohe në raportimet e tyre për stafin e aeroportit. “Hera e parë që nga viti 1961!” mund të lexohet në shumë tituj.

Pra, a mund të presim që projekti aktual i rekrutimit të zgjerohet në fusha të tjera? Zyrtarisht jo. Ministrat gjermanë të Transportit dhe Punës dhe ministrja e Brendshme theksuan në konferencën e tyre të përbashkët për shtyp se kjo ishte vetëm një masë e përkohshme. Ministri Federal i Punës, Hubertus Heil tha gjithashtu: “Nuk është imigrim i përhershëm në Gjermani”.

Ngjashmëritë dhe dallimet

Yunus Ulusoy drejton programin “Migrimi dhe Integrimi në Zonën Ndërkufitare Gjermani-Turqi”, në Qendrën për Studime Turke dhe Kërkime të Integrimit në Essen.

Ai mendon se një krahasim midis projektit aktual dhe atij të vitit 1961 është i gabuar. Kushtet në atë kohë ishin shumë të ndryshme. “Atëherë Gjermania kishte nevojë edhe për punëtorë të kualifikuar, por nuk ishte e orientuar për t’i ftuar ata. Për këtë arsye u lidhën marrëveshje dypalëshe. Sot ekziston Ligji për ardhjen e fuqisë së kualifikuar punëtore, i cili rregullon ardhjen e punëtorëve nga e gjithë bota”, thotë Ulusoy.

Megjithatë, ai sheh edhe ngjashmëri: “Turqia shihej si një zgjidhje emergjente në atë kohë: disa mijëra punëtorë që do të vinin në Gjermani për një periudhë të kufizuar kohore. Gjithashtu nuk kishte plane për bashkim familjar. Por punëtorët u dëshmuan me punën  e tyre, ndaj punëdhënësit nuk donin t’i linin të shkonin”, vazhdoi Ulusoy.

Duke pasur parasysh tensionin aktual në tregun gjerman të punës, industria e aviacionit shpreson që emigracioni të lehtësohet së shpejti: “Në përputhje me të gjithë ekonominë gjermane, ne kemi kërkuar prej vitesh që Gjermania të lehtësojë ndjeshëm rregulloret e saj për migrimin për motive punësimi në Gjermani”, thotë zëdhënësja e BDL, Fohman.

Edhe nëse këtë herë nuk bëhet fjalë zyrtarisht për migrimin, por për një zgjidhje të përkohshme: Veprimi i qeverisë federale po ushqen shpresat për punëtorët në Turqi – një vend që është në një krizë ekonomike dhe vuan nga inflacioni i lartë.

SHKARKO APP