PD: Prokuroria po i shërben mafias në pushtet

Partia Demokratike e konsideron shërbim ndaj mafias në pushtet pushimin e hetimeve për ekstradimin e paligjshëm të Nazer Seitajt, i njohur ndryshe si “financieri” i bandës së Habilajve që akuzohet për lidhje me ish-ministrin Saimir Tahiri.

Sipas PD, pushimi i hetimeve shpëtoi nga burgu përgjegjësen kryesore të ekstradimit të parregullt, Ministren e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.

Pushimi i hetimit është urdhëruar pavarësisht se vetë prokurorët e çështjes kanë konstatuar shkelje flagrante të ligjit nga Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Për vendimin e pushimit të hetimeve, Donika Prela, në atë kohë në krye të Prokurorisë së Durrësit, u shpërblye nga mafia në pushtet, duke u ngritur në detyrë si drejtuese e Prokurorisë së Krimeve të Rënda në kundërshtim me ligjin. Nëse i shërben Qeverisë promovohesh. Nëse i shërben krimit të organizuar ngrihesh në detyrë dhe bën karrierë. Nëse lufton bandat dhe kriminelët shkarkohesh nga detyra. Kjo është drejtësia që po instalon në Shqipëri Edi Rama“,- thuhet në deklaratën e selisë blu.

Nazer Seitaj u arrestua disa muaj më parë nga policia shqiptare, si pjesë e hetimeve për bandën e Habiljave në Vlorë. Arrestimi i tij u krye në kohën që nisi dhe hetimi ndaj ish-ministrit Saimir Tahiri.

Por pak orë pas arrestimit, Seitaj u ekstradua me urgjencë drejt Italisë pa njoftuar as avokatin mbrojtës. Ndërkohë që sipas PD, Seitaj mund të jetë informacione për drejtësinë shqiptare lidhur me implikimin e ish-ministrit Saimir Tahiri. Sipas PD, ekstradimi u krye me shkelje ligjore duke i hequr prokurorisë mundësinë për të pyetur një dëshmitar kyç.

SHKARKO APP