Himarë, ofendohen Blendi Klosi dhe Vangjel Tavo nga njerëzit e Belerit
Himara mbetet edhe sot në qendër të vëmendjes politike.
Tensione të ashpra sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Himarës. Një prej të pranishmëve në sallë, mbështetës i Fredi Belerit, kryetari i zgjedhur i Himarës në zgjedhjet e 14 majit, që ndodhet pas hekurave, ka pështyrë në fytyrë prefektin e qarkut të Vlorës, Vangjel Tavon.
Ky i fundit ka replikuar me banorin e Himarës, ndërkohë që ka ndërhyrë dhe policia. Tavo, pasi iu kërkua nga përkrahësit e Belerit që të ikte nga salla, është larguar, bashkë me Blendi Klosin. Shumë qytetarë janë të irrituar, mes tyre dhe një grua, e cila akuzon Tavon se është bërë bashkë me Ramën.
“O pusht”, dëgjohet teksa i drejtohet zonja, Tavos.
Mes tensionit të krijuar nga mbështetësit e Belerit pritet të merret një vendim mbi vijimësinë e këshillit të bashkisë, ku do të vendoset se cili do të ishte nënkryetari që do të drejtonte Himarën, deri në zgjedhjet e ardhshme. Ndonëse policia kishte krijuar një kordon, qytetarët arritën të hynin në sallë.
Blendi Klosi dhe Vangjel Tavo kanë dalë nga salla e mbledhjes.
Me në fund Këshilli Bashkiak i Himarës ka komanduar Blerina Balajn për drejtimin e bashkisë së Hiamarës. Nga 21 anëtarë, 15 prej tyre kanë votuar pro.