Qeveria heq taksat për jahtet e oligarkëve, por i rrit për qytetarët

Në argumentet juridike që kreu i shtetit ka paraqitur para deputetëve për rrëzimin e ligjit shprehet se ky projekt krijon një qasje klienteliste, pasi përjashton kategoritë e tjera të biznesit. Gjithashtu, Presidenti me të drejtë argumenton se ligji duhet rishikuar, pasi nevojat e vendit pas krizës së pandemisë kanë kërkesa të tjera që nuk lidhen me objektet e luksit si skafet dhe anijet. Për këto arsye kreu i shtetit kërkon që ligji të rishikohet dhe të mos kalojë sërish duke dëmtuar të ardhurat e buxhetit të shtetit. Argumentet e kreut të shtetit qëndrojnë por mesa duket rilindja do ta kalojë sërish siç është ligji në Kuvend. Në qëndrimet publike që kanë mbajtur deputetët e PS-së, thuhet se ky ligj do të rrisë turizmin dhe do të sjellë zhvillim ekonomik.

Duke parë këto qëndrime të PS-së ndaj këtij projekti rezulton se nuk kemi vetëm shkelje ligjore, por dhe një sjellje moralisht të turpshme ndaj qytetarëve. Në Shqipëri ka shumë që prezantohen si biznesmenë, por jo të gjithë kanë luksin të blejnë jahte që kushtojnë miliona euro. Maksimumi janë një grusht njerëzish me pasuri mbi qindra miliona euro që mund të përdorin dhe mjete lundruese të tilla. Por dikujt që ka kaq shumë të ardhura, përse qeveria duhet t’i vijë në ndihmë duke i hequr barrën e TVSH-së. Nëse paria e vendit paska lekë për të blerë jahte që të duken si kolegët e tyre në Monako dhe në Ibiza, si ka mundësi që i luten qeverisë tu falë shpenzimet tatimore.

Ligji nuk ka logjikë ekonomike. Çdo financier e di se detyrimet për TVSH janë të ardhura që shkojnë në buxhetin e shtetit dhe për jahte dhe skafe që kushtojnë miliona euro fitimi nuk është i vogël. Nuk mundet që qeveria të falë milionë lekë të ardhura nga TVSH për jahtet dhe anijet luksoze dhe të presë ta mbushë arkën me tatimin që u merr fshatarëve të specave dhe domate te tregu.

Projekti i qeverisë është i dënueshëm dhe për kohën kur bëhet. Që në muajin mars kur nisi pandemia e koronavirusit, shoqatat e tregtarëve dhe biznesit të vogël thuajse janë lutur çdo ditë që qeveria t’u heq barrën fiskale dhe të rishikojë taksat. Shumica e tyre janë në prag të falimentimit dhe heqja e një pjese të detyrimeve do të ishte shpëtim për ata dhe ekonominë e vendit. Por në vend të ndihmojë këto biznese, të mendojë për të papunët që shtohen çdo ditë dhe varfërinë që është ulur këmbëkryq rilindja heq tatimin për objektet e luksit dhe oligarkët. Ndërkohë që u hiqen detyrimet biznesmenëve të mëdhenj dhe oligarkëve që nuk e kanë ndjerë farë krizën, gjobat dhe vazhdojnë po njëlloj ndaj biznesit që është në luftë për ekzistencë. Ky ligj është dhe provë që rrëzon propagandën e Edi Ramës për raportet e tij me oligarkët. Sipas përcaktimit që Edi Rama u bën oligarkëve, këta të fundit janë biznesmenë që kanë aq pushtet sa mund të ndikojnë në vendimet dhe aktet e qeverisë në favor të interesave të tyre. Rama thotë se deri më sot askush nuk guxon ta detyrojë qeverinë e tij. Por ja një provë që tregon të kundërtën. Me projektin e TVSH-së, 10-15 veta që kanë apo do të blejnë jahte në Shqipëri kanë arritur jo vetëm ti bëjnë presion, por edhe ta detyrojnë Edi Ramën që të kopsisë një ligj sipas shijeve dhe interesave të tyre. Madje Edi Rama e bëri këtë në kulmin e pandemisë kur pjesa tjetër e shqiptarëve diskutonte nëse paratë u dalin për fundin e muajit.

Çfarë prove tjetër duhet më shumë që një qeveri është vënë në shërbim të oligarkëve?!

 

 

SHKARKO APP