Qeveria, shfaqje në Elbasan me “regjisor” Edi Ramën. Skenari Endri Fuga
Qeveria “Rama” është mbledhur dje në qytetin e Elbasanit, sipas rregullit të vendosur nga Edi Rama që ministrat të njihen me problemet e bazës. Në takimet dhe sallat e mbushura me zyrtarë të administratës së bashkisë së Elbasanit dhe drejtorë të qeverisë, kishte edhe qytetarë, veç premtimeve dhe zgjidhjes së halleve aty për aty të qytetarëve, ra në sy dhe komunikimi i Edi Ramës me ministrat e tij.
Që Edi Rama është aktor profesionistë, këtë askush nuk e vë në diskutim. Edhe dje duket se ishte në rol. Fillimisht në shënjestrën e kryeministrit ishte ministri për Europën dhe Punët e Jashtme, Ditmir Bushati. Me një ton fortë dhe paksa qejfprishur, Edi Rama e urdhëroi ministrin e tij besnik që të ngrihej në këmbë kur të fliste me popullin. “Në platformën ‘Shqipëria që duam’, janë ofruar shumë shërbime, edhe ato konsullore. Ndaj për këtë mund të na flasë ministri. Fjala është për ty (i drejtohet Bushati), duhet të ngriheni në këmbë dhe të flisni para popullit”,- deklaroi kryeministri. Ndërsa Bushatit i tërhoqi pak “veshin” për sjelljen jo xhentile para popullit, me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, Edi Rama ishte kërcënues. Në një moment Edi Rama iu drejtua Damian Gjiknurit: “Ministri ka marrë sot vendimin që të marrë përsipër që të mbarojë rrugën Tiranë-Elbasan deri në fund të vitit. Ai ka marrë barrën o ta mbarojë, o të mbaroj”.
Shumëkush mendoi se ia preu biletën ministrit në fjalë, por ata që e njohin mënyrën e kryeministrit që bën spektakël populist, nuk e besojnë se bileta Gjiknuri ishte vetëm Tiranë-Elbasan, pra pa kthim. Në qarqet e larta e dijnë se Damian Gjiknuri është ministri fuqiplotë i Edi Ramës, i cili jo vetëm i dha Dibrën PS-së në zgjedhjet lokale, dy herë të përsëritura, por edhe në Vlorë shtoi numrin e deputetëve, sa nuk e kishte menduar as vetë PS-ja. Ndaj loja populiste nuk besohet, sepse ministri Gjiknuri arriti të hyjë në Uashington dhe të takojë nënsekretarin për Energjinë.
Edi Rama është shquar për taktikat populiste dhe shkarkime të drejtorëve në takime apo transmetime televizive direkt. Në Berat dhe Gjirokastër fluturoi nga detyra disa drejtorë rajonalë që nuk u ishin përgjigjur qytetarëve. Ndërsa me ministrat, deri dje, është treguar paksa i kujdesshëm në kritikat që u ka bërë në publik. Edhe më i rezervuar ka qenë me ministrat që njihen si politikanë besnikë të tij. Damian Gjiknuri dhe Ditmir Bushati janë pikërisht ministrat më afër kryeministrit. Mjaftojmë të kujtojmë se dhe në paktin me Bashën, këta dy ministra nuk pranoi t’ja prekte Partia Demokratike për qeverinë gjysmë teknike. Kërcënimet e djeshme ngjallën jo pak kureshtje për raportet e reja që mund të jenë krijuar brenda kabinetit qeverisës, por siç thamë ishte një lojë aktoriale e nivelit të lartë.
Megjithatë prapë nuk i dihet Edi Ramës. Pak orë pas deklaratës së Ramës, në një intervistë për Top Channel, Gjiknuri u kundërpërgjigj. Gjiknuri i kujtoi shefit të tij se çështja e rrugëve nuk varet nga dëshira e Ministrisë së tij, por nga lekët e buxhetit që i jep Edi Rama. “Unë e kam marrë përsipër, pres lëvrimin e fondit dhe barra do kalohet së bashku me kryeministrin”, u përgjigj ministrit Gjiknuri. Një deklaratë që ka brenda saj edhe korrektësinë ligjore, por edhe sinjalet e tjera për ndarjen e përgjegjësisë brenda qeverisë.
Sulmi ndaj ministrave të tij, ishte i vetmi lajm politik që prodhoi Edi Rama nga Elbasani, veç retorikës së përhershme për “tepsinë” dhe premtimeve. Nuk dihet nëse këto kritikat i beson vërtetë Edi Rama dhe janë paralajmërimi i ndonjë lëvizje të beftë në kabinet, apo deklarata e djeshme janë pjesë e spektaklit. Edi Rama shquhet si mjeshtri i oratorisë dhe qëndrimeve populiste. Aktron mirë në publik dhe sidomos para qytetarëve që i kërkojnë llogari për premtimet.
Dje ishte pjesa e parë e spektaklit publik. Sot është dita e dytë e spektaklit, aq me tepër që në Ditën e Verës.
Regjizor Edi Rama, skenarist Endri Fuga.
Q.Xhani