Qeveria Rama, peng te Habilajt dhe Balilajt
Habilajt dhe Balilajt janë dy familjet më të përmendur gjatë viteve të fundit dhe që kanë bërë lëmsh krejt politikën në Tiranë, hetuesit në Itali e Greqi dhe kanë detyruar partnerët në SHBA dhe BE të bëjnë me qindra raporte. Sipas dosjeve së hetuesve në vendet fqinje dhe në Shqipëri bëhet fjalë për dy grupe kriminale me ndikim në Jugun e vendit që kanë trafikuar tonelata me drogë dhe janë të lidhur me segmente të forta të pushtetit si dhe në ndërlidhje me njera tjetrën, pasi policinë e kishin të tyre. Aktiviteti i tyre kriminal ka marrë përmasa të mëdha pas vitit 2013. Pa hamendësuar se cilat janë lidhjet e tyre me njerëzit e pushtetit, mjafton vetëm një fakt që e tregon peshën që kanë ata te politika dhe institucionet, edhe aktualisht. Klement Balili dhe Florian Habilaj, edhe pse janë njerëzit më të kërkuar nga drejtësia në Shqipëri dhe nga Interpoli, ende nuk janë arrestuar edhe sot. Klement Balili, drejtuesi i grupit të dyshuar kriminal në Sarandë ka gati dy vite që është person në kërkim. Mediat greke e cilësojnë “Eskobari i Ballkanit”, për shkak të tonelatave të drogës që dërgonte në Greqi dhe Itali. Ndërsa Florian Habilaj, kushëriri që sipas përgjimeve punonte me ish-ministrin Saimir Tahiri dhe mbante kontaktet e bandës me njerëzit e pushtetit, ka 2 muaj ka ikur në drejtim të paditur. Bashkë me të janë “zhdukur” nga duart e drejtësisë shqiptare edhe 3 drejtorë policie dhe dhjetëra policë, që sipas Prokurorisë, në vend të luftonin trafiqet e drogës në jug, ishin bërë pjesë e bandës. Çudia në këtë rast është se ka dyshime se një pjesë e të kërkuarve ndodhen ende në Shqipëri dhe nuk janë larguar. Por habia është se si ka mundësi që një pjesë e kupolës së policisë punonte për dy grupet kriminale dhe nuk dinte gjë qeveria jonë e nderuar! Apo kishin ish-ministrin pjesë të bashkëpunimit?
Nga arratia ku ndodhen emrat e dy klaneve të dyshuar, Balilaj dhe Habilaj, vazhdojnë të trazojnë akoma politikën dhe emrat e tyre përdoren për sulme dhe shantazh politik. Dje, deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe publikoi disa vendime qeverie të vitit 2016, ku vëllai i Klement Balilit, Bashkim Balili dhe nipi i tij kishin përfituar sasi të mëdha toke. Procedura e miratuar pas vendimit të qeverisë ishin të Ministrisë së Bujqësisë, që në ato kohë drejtohej nga Edmond Panariti. “Kjo është një kontratë e nënshkruar në 20/5/2016 midis Ministrisë së Bujqësisë dhe kompanisë Balili & Co, ku Ministria vendos në dispozicion të kësaj kompanie 20 hektarë tokë në dispozicion. Kjo kontratë është lidhur kur partnerët tanë kanë shpallur në kërkim Klemend Balilin. Kjo është një tradhti shumë e madhe ndaj policisë tonë”,- është shprehur Braçe dje në Kuvend. Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Taulant Balla deklaroi se hotelin “Santa Quaranta” në Sarandë, një nga pronat kryesore të Klement Balilit, ia ka dhënë Lulzim Basha gjatë kohës që ishte në qeveri. Akuzat e PS janë drejtuar drejt LSI, ish-partnerit qeverisës dhe ndaj Lulzim Bashës.
Ish-ministri Edmond Panariti sqaroi dje në Kuvend gjithë procedurën e ndjekur, duke dhënë detaje që më shumë se Ministrinë e Bujqësisë, fajësojnë Këshillin e Ministrave. Bile kryeministrin Rama. Panariti tha se procedura ka nisur nga Këshilli i Ministrave dhe deklaratat e Erion Braçes është vetëm një tentativë për të futur LSI-në, në një çështje që është administruar nga qeveria e Edi Ramës. Panariti shtroi pyetjen se përse PS kujtohet tani për këtë çështje kur dokumentet kanë qenë prej kohësh në qeveri. Ndërsa i cilësoi akuzat si tentativë për të përfshirë LSI-në në skemën e kanabizimit të vendit që sipas tij ishte projekt i qeverisë së Edi Ramës. Bile vetëm i kryeministrit.
“Merrini dosjet nën sqetull dhe që nesër shkojmë në Prokurori dhe i nënshtrohemi një procesi të qartë transparence të të gjithë procedurave që ka zbatuar Ministria e Bujqësisë, duke filluar që nga zanafilla, që nga VKM-ja, që këtë tokë e kaloi nga administrimi i Ministrisë së Arsimit, tokë si pjesë e pronësisë së një shkolle, dhe ja vuri në dispozicion Ministrisë së Bujqësisë”, tha Edmond Panariti.
Ndërkohë kreu i deputetëve të LSI-së, Petrit Vasili deklaroi se për këtë çështje duhet të përgjigjet vetë Kryeministri. “Kontrata e qirasë nuk është e ministrisë së Bujqësisë, por vendim i Qeverisë, i firmosur nga Rama dhe me zbatues Ministrinë e Bujqësisë. Autoritetin për të marrë një vendim të tillë e ka qeveria shqiptare. Kjo është një çështje mes PS dhe Edi Ramës. Një pronë u tha se ia ka dhënë Lulzim Basha, një tjetër Edi Rama, tani doni me patjetër të përfshini edhe LSI-në? Le të përgjigjet Edi Rama për këtë”,- u shpreh Petrit Vasili.
Ndërsa Partia Demokratike, në një deklaratë për mediat e cilësoi akuzën ndaj Bashës si një tentativë për të tërhequr vëmendjen nga dosjet e tjera të qeverisë Rama. PD deklaroi se këto akuza ndaj opozitës vijnë vetëm pak kohë pasi Prokuroria italiane ka nisur hetimin për ish-ministrin Saimir Tahiri, si i përfshirë në dosjen “Habilaj”. Ndërsa kërkoi që institucionet qeveritare të bëjnë sa më parë arrestimin e personave që janë në kërkim ndërkombëtarë.
Ndërkohë mbrëmë Berisha në lidhje me emisionin “Opinion” të Fevziut për këtë çështje sqaroi se kryeministri Rama, me anë të ministres së arësimit, e kaloi këtë tokë nga pronë e arësimit te bujqësia që ta çonte të Balilajt. Ishte strategji e Ramës, theksoi Berisha.
Ngado që të rrotullohet debati politik, çështja sërish del te dy emra të klaneve të dyshuara mafioze. Sa herë del një detaj për dosjen “Habilaj” nga PS nisin zërat për shpërqendrim të dosjes “Balilajt”. Sa herë që kërkohet arrestim i Balilajve dhe flitet për video të hotelit të tij me ministra dhe deputetë, PS-ja sajon një skemë tjetër që largon vëmendjen nga bandat dhe krimi.
Habilajt dhe Balili do vazhdojnë të trazojnë politikën në Tiranë, ndonëse në arrati ata fërkojnë duart se kanë qeverinë të tyre dhe një ish-ministër akoma të lirë.
Q.XH.