Radio “Europa e Lirë”: Ja çfarë duhet të dini për pezullimin e përkohshëm për vizat e emigrimit
-Botuar në radion Europa e Lirë-
Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, e ka bërë të qartë se të huajt që emigrojnë në SHBA duhet ta mbajnë veten me punë, dhe jo të bëhen barrë e shtetit.
Prandaj, të mërkurën e 14 janarit vendosi ta pezullojë përkohësisht lëshimin e vizave të emigrimit nga 75 vende të botës, përfshirë Kosovën dhe Shqipërinë.
Tani, Departamenti amerikan i Shtetit po e bën rishikimin e plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve, për t’u siguruar që emigrantët nga këto shtete – që autoritetet amerikane i cilësojnë si vende me rrezik të lartë – të mos i shfrytëzojnë ndihmat sociale të shtetit amerikan dhe të mos bëhen barrë e parasë publike.
Vendimi, i cili prek edhe kosovarët që duan të aplikojnë për vizë emigrantësh, do të hyjë në fuqi më 21 janar 2026.
Më poshtë mund të lexoni krejt çfarë duhet të dini për këtë çështje.
Çfarë është viza e emigrimit?
Viza e emigrimit është vizë që ia mundëson një shtetasi të huaj të hyjë në Shtetet e Bashkuara, me qëllim që të jetojë atje përjetë. Pra, në thelb, kjo vizë është bileta që ia mundëson përfituesit të bëhet ligjërisht banor i përhershëm në SHBA.
Pas hyrjes në SHBA, poseduesit të vizës i lëshohet ajo që njihet si “Green Card”, që shërben si dëshmi se mbajtësi i saj është banor i përhershëm i ligjshëm.
Kjo vizë u lëshohet atyre që duan të zhvendosen përherë në SHBA, në vend se ta vizitojnë përkohësisht për turizëm, studime ose punë.
Pasi i pranohet viza, personi zakonisht fiton të drejtën për të jetuar përherë në SHBA, për të punuar pa kufizime, dhe përfundimisht për të aplikuar për shtetësi amerikane.
A lejohet aplikimi për vizën e emigrimit gjatë periudhës së pezullimit?
Po. Shtetasit nga vendet e prekura nga vendimi i Trumpit mund të bëjnë kërkesë për vizë dhe mund të marrin pjesë në intervistë.
Departamenti i Shtetit njoftoi se do të vazhdojë të caktojë terminë për intervista, pavarësisht se gjatë kohës së pezullimit nuk do të lëshojë viza të emigrimit për shtetasit e 75 vendeve të prekura.
Kush nuk preket nga ky pezullim?
Shtetasit me dy shtetësi që aplikojnë me pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i futur në listën e 75 vendeve të prekura nuk preken nga ky vendim.
Për shembull, nga të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, vetëm Serbia nuk preket nga ky vendim.
Si ndikon pezullimi tek ata që kanë vizë të vlefshme?
Vendimi i Trumpit nuk ndikon tek ata që tashmë kanë vizë të vlefshme të emigrimit. Pra, vendimi nuk kërkon heqjen e vizave të lëshuara paraprakisht.
A vlen vendimi për vizat turistike?
Jo. Ky vendim vlen vetëm për aplikantët për vizë të emigrimit. Vizat turistike nuk janë viza emigrimi, prandaj edhe nuk preken.
Pse e mori Trump këtë vendim?
Presidenti amerikan tha se një përqindje tejet e lartë e të huajve që janë zhvendosur në Shtetet e Bashkuara, përmes vizës së emigrimit, nuk punojnë – por varen nga ndihmat sociale amerikane.
Ai nuk dëshiron që të huajt që synojnë të emigrojnë në Shtetet e Bashkuara të bëhen barrë e parasë publike dhe ndihmave të shtetit.
/Ekrem Idrizi/
KOHA JONË SONDAZH

