FIFA World Cup 2026 11 Qershor - 19 Korrik 2026
00 ditë
00 orë
00 minuta
00 sekonda

Radio shtetrore gjermane DW: Mijëra qytetarë për protestën e 35-të në Tiranë

-Botuar në web e radios shtetrore gjermane DW-

Kur shumëkush mendonte se protestat po shkonin drejt fundit, mijëra qytetarë mbushën sërish këtë të shtunë Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë.

Mijëra qiptarë nga qytete të ndryshme të vendit dhe diaspora kërkuan largimin ekryeministrit Edi Rama, i cili këtë 4 korrik feston edhe 62-vjetorin e lindjes.

Swiss Digital Desktop Reklama

Mes flamujve kombëtarë dhe pankartave nuk munguan as simbolet ironike. Protestuesit sollën një tortë ditëlindjeje, një arkivol me mbishkrimin “vdekje politike”, si edhe instalacione të tjera simbolike, përmes të cilave shprehën pakënaqësinë ndaj qeverisë dhe klasës politike në vend.

Swiss Digital Mobile Reklama

Mesazhet nga protesta

Aktivistë, aktorë, gazetarë dhe qytetarë të ndryshëm morën fjalën gjatë protestës, duke përcjellë mesazhe për situatën në vend.

Mes tyre, aktori i njohur Mehdi Malkaj iu drejtua qytetarëve me një mesazh për rëndësinë e vendit, duke theksuar se atdheu duhet të jetë mbi gjithçka. “Për dashurinë jap jetën, por për Atdheun jap dashurinë” – deklaroi ai, mes brohoritjeve të protestuesve.

Ndërkaq, aktori Arben Bajraktaraj kritikoi qeverinë dhe kërkoi lirimin e protestuesve të arrestuar gjatë përplasjeve të ditëve të fundit.

“50 vjet dhunë. Boll më! Pushteti i ka mbyllur sytë, i ka mbyllur veshët. Mërgimi nuk është atdheu ynë” – u shpreh aktori. Fjalën e mori edhe një emigrant i ardhur nga Shtetet e Bashkuara, i cili tha se ishte kthyer në Shqipëri pas 30 vitesh për t’iu bashkuar protestës.

“Kjo është protesta më paqësore në 35 vjet në Shqipëri. Këtë regjim do ta çojmë në kazan të plehrave. Të parët tanë luftuan dhe dhanë edhe jetën për këtë tokë” – u shpreh ai.

Të dielën marshim në mbështetje të protestuesve të arrestuar

Protesta e së shtunës vjen pas tensioneve të shënuara të enjten (02.07.2026) para Parlamentit, ndërsa brenda zhvillohej seanca plenare. Protestuesit hodhën vezë, gurë dhe sende të forta në drejtim të forcave të policisë, ndërsa efektivët përdorën gaz lotsjellës dhe ujë me presion për shpërndarjen e tyre.

Pas përfundimit të seancës, protestuesit bllokuan daljet e Parlamentit, duke penguar largimin e deputetëve. Përplasjet vijuan më pas në disa rrugë të Tiranës. Sipas policisë, 18 persona u shoqëruan pas incidenteve, ndërsa të lënduar pati si mes protestuesve, ashtu edhe mes efektivëve të policisë.

Organizatorët kanë paralajmëruar se protesta do të vijojë edhe të dielën. Ata kanë bërë thirrje për një marshim para Gjykatës së Tiranës në shenjë solidariteti me protestuesit e arrestuar, të cilët pritet të dalin para gjykatës në orën 09:00 për caktimin e masës së sigurisë./DW/

Rashela Shehu

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Protesta po prodhon edhe dhunë, a jeni dakort me këtë menyrë reragimi?