Radio shtetrore gjermane DW: Studentët do të hyjnë në grevë urie, nëse Kryeministri nuk pranon

Nga radio gjermane DW:

Mijëra studentë para kryeministrisë në Tiranë kërkojnë plotësimin e 8 kërkesave të tyre për arsimin. Ata nuk janë për dialog, pasi nuk kanë besim se në politikë zhvillohet një lojë e ndershme edhe kur dialogohet.    

Mijëra studentë kanë protestuar të hënën (17.12) para kryeministrisë në Tiranë për 8 kërkesat e parashtruara për ndryshime në arsimin e lartë shqiptar. Madje ka pasur edhe tensione, kur studentët kanë tentuar të kalojnë në pjesën e pasme të kryeministrisë e janë penguar nga policia. Por një grup studentësh ka ndërhyrë për të qetësuar situatën.

Studentët thonë se do të hyjnë në grevë urie, nëse të hënën kryeministri, Edi Rama nuk jep përgjigje pozitive për kërkesat e tyre.

“Protesta në ditën e 13 e ka dhënë efektin e vet, ujërat kanë filluar të lëvizin, të gjithë e kanë kuptuar se këtu diçka çalon. Kjo protestë e ka dhënë mesazhin e saj, që arsimi është në udhëkryq”, thotë një student për Deutsche Wellen. “Duhet të vazhdojmë e të këmbëngulim”, kërkon një studente tjetër. Ndërsa një studente e komunikimit thotë, se ne do ta vazhdojmë të bllokojmë shkollën e “do të vazhdojmë të qëndrojmë deri sa të marrim atë për të cilën kemi dalë.”

Tirana Studenten Proteste einsetzen (DW/R. Shehu)

Refuzim i politikës

Ajo që bie në sy në këtë protestë është refuzimi i qartë që studentët i kanë bërë përzierjes së politikës në to. Sipas tyre, politika është përgjegjëse për krizën morale, shoqërore e ekonomike të vendit. Nga kryeministri Rama kanë ardhur këto ditë disa ftesa për dialog, por studentët nuk i kanë pranuar. Refuzimin e ftesave për negociata, një student i gazetarisë, i pyetur nga Deutsche Welle e shpjegon kështu. “Kemi kuptuar se në këtë vend nuk ka fairplay, nuk ka lojë të drejtë”. Frika e studentëve duket se është “shitja”, siç thotë një student në protestë, shkon në dialog dhe protesta sfumohet. “Ne e kemi parë se ku kanë shkuar dialogjet e mëparshme, prandaj nuk e duam, atë e i themi jo negociatave.”

Ku do të punoj? Pyetja që i shqetëson studentët

Shumë studentë shqetësim kryesor kanë të ardhmen e tyre pas studimeve. “Jam student i gazetarisë, viti i tretë bachelor”, thotë një student, dhe nuk e di se çfarë do të bëhem nesër. Si unë janë 90% e studentëve në të gjithë Shqipërinë.” Shumë prej tyre janë të zhgënjyer edhe nga puna e pedagogëve. Para disa ditësh u publikua edhe një listë me emra pedagogësh të përmendur si ata që u kërkojnë studentëve para për provimet. Prandaj një ndër kërkesat e studentëve është edhe vetingu për pedagogët.

Tirana Studenten Proteste einsetzen (DW/R. Shehu)

Protesta mbështetet edhe nga vetë pedagoët, që kërkesat e tyre i quajnë legjitime. Shkrimtari e pedagogu i letërsisë në Universitetin e Tiranës, Agron Tufa, thotë se për studentët tarifat janë të papërballueshme, kushtet e padurueshme që nga auditorët deri tek konviktet e sistemi korruptive e klientelist qeveritar. Por për pedagogun Agron Tufa më jetike mbetet e ardhmja e studentëve pas studimeve, “shumë prej tyre kanë një të ardhme të zymtë kur mbarojnë studimet, prandaj unë e lexoj atë si formë proteste për sistemin e dështuar politik”, thekson Agron Tufa.

Ndër kërkesat kryesore të studentëve janë ulja ose përgjysmimi i tarifave studentore, rritja e buxhetit shtetëror për investime në fakultete, përmirësim infrastrukturor të fakulteve, duke shtuar laboratorët e të tjera.

SHKARKO APP