Rama akuzon Lulzim Bashën dhe parashikon fatin e tij para drejtësisë

-Monika Kryemadhi, liderja e LSI, ka deklaruar se keqja e Shqipërisë nuk është PS-ja, por kryetari i saj dhe kryeministri Edi Rama, të cilin duhet ta rrëzojmë. 

-Selia blu: Edi Rama të shikojë llogaritë e krimit dhe drogës me të cilën financoi krejt fushatën elektorale të PS, duke futur bandat më të rrezikshme në fushatë dhe në blerje votash. Ai të flasë për Saimir Tahirin, nëse ia mban!

Kryeministri Edi Rama mbrëmë, në emisionin e gazetares Ilva Tares në “Ora Neës” ka hedhur akuza të rënda për Lulzim Bashën dhe Partinë Demokratike. Ai tha as më pak e as më shumë se “fushata e PD dhe e Lulzim Bashës është financuar nga paratë e pista ruse”. Madje, shtoi se Basha duhet ta përballojë si burrat hetimin dhe penalitetin e kësaj veprimtarie antikombëtare. Akuzat e kreut të qeverisë në adresë të PD-së, bazohen në një artikull të revistës amerikane “Mother Jones” , publikuar disa javë më parë. Për këtë artikull, thuajse gjithë deputetët e PS-së kanë dalë në konferenca shtypi dhe kanë kërkuar hetime nga prokuroria dhe sqarime nga Partia Demokratike. Edhe LSI doli dhe akuzoi revistën si të financuar me paratë e drogës së Edi Ramës për artikujt që botohen kundër partive shqiptare.

Po përse Edi Rama iu rikthye sërish kësaj çështje që zyrtarisht është nën hetim nga Prokuroria për PD e Lulzim Bashën, ndërsa politikisht selia rozë e kishte harruar, të paktën deri dje.

Arsyet janë disa dhe lidhen me zhvillimet e ditëve të fundit. Po dje, në mbledhjen me dyer të mbyllura të deputetëve të Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka paralajmëruar zhvillime të forta politike. Kreu i PD-së deklaroi se këto muaj pritet të shpërthejnë disa skandale të forta politike në nivelet e larta të qeverisë. Kryedemokrati nuk dha detaje se për çfarë skandalesh bëhet fjalë, përgjime apo zbulime aferash korruptive, por premtoi se shumë shpejt opinioni publik do të vihet në dijeni. Brenda pak javësh, selia blu pret zhvillime që do të vendosin në pozitë të vështirë qeverinë. Flitet për tre ministra të kabinetit, ku njeri flitet se është zënë duke marrë ryshfet në euro. Megjithatë duhet të presim se çfarë ka PD-ja.

Pikërisht, i pyetur se cilat janë këto skandale që pretendon kreu i PD-së, Edi Rama sulmoi në krahun tjetër. Ai solli në vëmendje shkrimin e revistës amerikane duke e paraqitur si një argument të fortë kundër Partisë Demokratike. Kryeministri tha se kaq fakte sa kanë dalë për financimin e PD-së janë të mjaftueshme që drejtësia të veprojë dhe që Lulzim Basha të japë sqarime para drejtësisë. Për kryeministrin nuk ka dyshime se Partia Demokratike ka marrë para nga Rusia për të zhvilluar fushatën elektorale. Një akuzë e tillë është e rëndë për çdo parti politike, por kryeministri e bëri fakt të kryer dhe kërkoi marrjen e përgjegjësive nga kreu i PD-së.

Sulmi i fundit i kreut të qeverisë është cilësuar nga PD-ja si një sajesë e ulët. Burime nga PD thanë dje në mbrëmje për “Koha Jonë” se para se të akuzojë opozitën, “Edi Rama duhet shikojë llogaritë e krimit dhe drogës me të cilën financoi krejt fushatën elektorale, duke futur bandat me të rrezikshme në fushatë dhe në blerje votash. Ai të flasë për Saimir Tahirin nëse ia mban!”.

Ndërsa Monika Kryemadhi, liderja e LSI, ka deklaruar se keqja e Shqipërisë nuk është PS-ja, por kryetari i saj dhe kryeministri Edi Rama, të cilin duhet ta rrëzojmë. LSI-ja kërkon që krejt opozita të bashkohet fort për të rrëzuar këtë qeveri kriminale, e cila financohet nga krimi dhe diktohet nga krimi.

Q.Xh.

 

SHKARKO APP