Rama: “Albanian Trails”, platformë kushtuar turizmit të natyrës
Me rritjen e ndjeshme të numrit të turistëve që zgjedhin Shqipërinë, është rritur edhe interesi për shtigjet natyrore në të gjitha nivelet e vështirësisë. Për t’iu përgjigjur kësaj kërkese dhe për të menaxhuar më mirë fluksin e vizitorëve, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka lançuar platformën e parë shtetërore të dedikuar turizmit të natyrës: “Albanian Trails”.
Kryeministri Edi Rama ndau sot një video informuese për këtë projekt, duke e përshkruar si një mjet që u ofron vizitorëve mundësinë të eksplorojnë paraprakisht itineraret, peizazhet, parqet dhe monumentet natyrore të vendit. Platforma, e aksesueshme në adresën www.albaniantrails.al, ofron informacion të detajuar për shtigjet brenda zonave të mbrojtura në të 12 qarqet e Shqipërisë.
“Shtigjet tona natyrore, aq të shumta në zonat e mbrojtura të Shqipërisë, tashmë mund t’i zbuloni dhe të informoheni rreth tyre paraprakisht në këtë platformë të dedikuar”, u shpreh Rama.
Turizmi i natyrës shihet si një potencial i madh për ekonominë vendase, falë relievit të larmishëm dhe terrenit të thyer nga jugu në veri. Zonat e Mbrojtura po përgatiten ta zhvillojnë këtë formë turizmi gjatë gjithë vitit, duke e shndërruar atë në një burim të qëndrueshëm të ardhurash.
KOHA JONË SONDAZH

