Rama-Basha sherr për Vettingun

Pavarësisht qëndrimeve të eurodeputetëve të veçantë dhe qeverive të vendeve të BE-së fakti është se kushti kryesor për integrimin që i është vendosur Shqipërisë është zbatimi i reformës në drejtësi. Reforma ka mbetur peng për shkak të ligjit të Vetting-ut, i cili është pezulluar nga Gjykata Kushtetuese pas ankesës që bëri Partia Demokratike. Zbatimi i këtij ligji i hap rrugën nisjes së kontrollit ndaj figurës së gjyqtarëve e prokurorëve dhe ngritjes së institucioneve të reja të drejtësisë. Janë këto institucioni që kanë për detyrë më pas luftën ndaj korrupsionit, trafiqeve, drogës dhe krimit të organizuar. Në një farë mase gjithë kriteret e tjera të BE-së janë të lidhura direkt apo indirekt me nisjen e reformës në drejtësi. Ndaj nëse ka një ligj që po bllokon direkt Integrimin e Shqipërisë është ligji i Vetting-ut.

Dje kryeministrit Edi Rama, në takimin me veteranët për Ditën e Çlirimit kërkoi në mënyrë të hapur nga demokratët që të mos bllokojnë reformën në drejtësi. Kërkesën që zakonisht e ka bërë ndaj kreut të PD-së, Edi Rama dje ua drejtoi demokratëve të thjeshtë. “U bëj thirrje të gjithë anëtarëve të thjeshtë dhe votuesve të Partisë Demokratike, të cilët janë në të drejtën e tyre legjitime të mos duan të qeverisen nga ne, që të ushtrojnë presion mbi lidershipin dhe ata deputetë të opozitës që janë pjesë e zgjedhjes për ta ngritur atë mur, që ta heqin murin që i kanë vënë Shqipërisë përpara, duke bllokuar plotësimin e kushtit të vetëm për hapjen e negociatave, zbatimin e ligjit të Vettingut”,- tha Edi Rama. Kryeministri tha se kjo çështje lidhet me spastrimin e gjithë sistemit të drejtësisë dhe nëse ka një pikë ku shqiptarët duhet të jenë të bashkuar është garancia për një shtet të së Drejtës. Rama foli dhe për një grup njerëzi në PD që i frikësohen drejtësisë, por shtoi se halli i këtij grushti njerëzish nuk duhet të frenojë pjesën tjetër të së djathtës për të zhbllokuar procesin. Në të vertetë ka plot ish-zyrtarë të lartë të selisë blu që tremben për vdekje nga zbatimi i Vetting-ut.

Ndërsa Rama e cilëson Vetting-un si kushtin themelor të çeljes së negociatave për integrimit nga ana tjetër kreu i PD-së, Lulzim Basha e quan pretekst. Pak pas deklaratës së Kryeministrit, lideri i opozitës në një konferencë për mediat hodhi një tjetër ide për zhbllokimin e Reformës, sipas tij. Basha kërkoi që çështjet të cilat ka ankimuar PD-ja në Gjykatën Kushtetuese të zgjidhen jashtë sistemit të drejtësisë. “Lidhur me Vetting-un unë dhe Partia Demokratike jemi gati të amendojmë ligjin pa patur nevojë që të presim Gjykatën Kushtetuese. Kushtetuta thotë që Vetting-un duhet ta bëjë Kuvendi, kurse Edi Rama do ta bëjë ai vetë. Ai e ka Vetting-un pretekst për të mbuluar dështimin e tij. Zgjidhja është e thjeshtë dhe mund të bëhet që tani duke respektuar Kushtetutën e vendosur me konsensus”,- tha kreu i PD-së.

Rikthimi i debatit në Kuvend për ligjin e Vetting-ut vetëm sa do ta shtyjë në një afat të papërcaktuar, miratimin e tij. Nëse vendimi i Gjykatës Kushtetuese jepet brenda disa javësh, Kuvendi mund të kërkojë edhe disa muaj të tjerë për të miratuar sygjerimet që pretendon PD-ja. Për më tepër, ashtu si dhe me ligjet e tjera të reformës edhe për këtë ligj nuk do të ketë konsensus. Ndërkombëtarëve do t’u duhet të fillojnë edhe një herë nga negociatat mes PS dhe PD. Gjithashtu, afrimi i zgjedhjeve të përgjithshme nuk i jep asnjë pale mundësinë që të merret me hartimin e ligjeve. Çështja është më thjeshtë dhe lidhet me çeljen e negociatave për në BE. Nëse reforma vihet në zbatim shanset që Brukseli të hap dritën jeshile janë të mëdha. Në këtë pikë, interesi i vendit është më i madh sesa llogaritë e vogla politike. Do ishte më e ndershme për Partinë Demokratike të zhbllokonte Vetting-un dhe t’i hapte rrugë reformës në drejtësi. Në këtë mënyrë jo vetëm pozicionohej në krahun e duhur për integrimin, por edhe Qeverisë i hiqte argumentin kryesor ndaj PD. Nëse pas zbatimit të reformës në drejtësi, Brukseli nuk hap negociata, atëherë opozita ka të drejtë të akuzojë qeverinë për çështjet e tjera dhe të thotë se është Edi Rama arsyeja e bllokimit të integrimit.

Ndaj PD-ja të heqë dorë nga bllokimi në Gjykatën Kushtetuese mënjëherë dhe më pas ia lë në derë kryeministrit fajin, nëse prapë nuk e merr Statusin Shqipëria nga BE.

Qamil Xhani

SHKARKO APP