Rama, Bashës: Artist, banorët po ankohen se u ke zaptuar ashensorin

Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave që kreu i PD-së, Luzlim Basha ka bërë në adresë të tij për abuzime me projektin e Unazës së Re.

Në një reagim në Twitter, Rama u përgjigjet akuzave të Bashës me një tjetër akuzë që bëri sot Bashkia e Tiranës ndaj kreut të PD-së. Sipas Bashkisë së Tiranës, gjatë kohës së Lulzim Basha drejtonte pushtetin vendor në kryeqytet ka dhënë një lejë për pallatin ku ai banon. Po sipas Bashkisë, leja është dhënë për shtesë kati nga Lulzim Basha në një ambient të përbashkët.  Veç kësaj, në njoftimin zyrtar të Bashkisë thuhet se banorët e pallatit ku banon Lulzim Basha janë ankuar pasi kreu i PD-së u ka bllokuar ashensorin.

Artist ç’janë këta që ankohen pse ke zaptuar ashensorin e pallatit? Po si mund të ngjitesh e të zbresësh ti me të tjerë, kur në zbritje s’të ka dalë ende gjumi, ndërsa në ngjitje të ka marrë krejt gjumi!Ti shyqyr e bëre PD si ashensorin, jo më të lirosh ashensorin?Ta harrojnë?“,- shkruan kryeministri Rama në Twitter.

Pak para reagimit të Edi Ramës, Bashkia e Tiranës deklaroi: “I bëjmë thirrje Lulzim Bashës të lirojë ashensorin e pallatit ku banon- gjithashtu hapësirë e përbashkët e të gjithë banorëve të pallatit që ai ka zaptuar ilegalisht me qëllim që të ngjitet me ashensor personal në pallatin me shtesë të paligjshme me pamje nga liqeni artificial. I bëjmë thirrje Lulit të ndalojë gjobat ndaj ndërtuesve – praktikë e njohur e mandatit Basha – pasi që prej 3 vitesh zhvilluesit e qytetit paguajnë një taksë rreth 8 herë më të lartë se ajo që paguanin gjatë mandatit Basha e nuk kanë takat të sajdisin edhe Jamarbërin, Joridën apo shokët e tjerë të partisë”.

SHKARKO APP