Rama, lexim i situatës dhe reflektim

Fjala e kryeministrit Edi Rama në mbledhjen e përbashkët të qeverisë dhe grupit parlamentar të Partisë Socialiste mund të konsiderohet një nga analizat më realiste që ai ka bërë në vitet e fundit mbi gjendjen politike në Shqipëri. Për herë të parë pas fitores së thellë me 83 mandate, Rama nuk u ndal vetëm te suksesi elektoral, por foli edhe për koston politike që sjell një pushtet i gjatë dhe një shumicë dërrmuese.

Kur ai e cilësoi fitoren “njëkohësisht bekim dhe mallkim”, në fakt pranoi një realitet që shpesh politikanët shmangin ta artikulojnë. Një fitore e madhe të jep stabilitet për të qeverisur, por të vendos edhe përballë një përgjegjësie shumë më të madhe. Sa më shumë pushtet të përqendrohet te një forcë politike, aq më shumë qytetarët e konsiderojnë atë përgjegjëse për çdo problem, vonesë apo pakënaqësi.

Ky është një realitet që nuk vlen vetëm për Shqipërinë, por për çdo demokraci. Kur një qeveri drejton vendin për një periudhë të gjatë, qytetarët nuk kërkojnë më justifikime, por rezultate. Pikërisht këtë duket se pranoi edhe Rama, duke theksuar se shumë njerëz shohin te Partia Socialiste shkakun e çdo gjëje që nuk funksionon në vend.

Swiss Digital Desktop Reklama

Një tjetër element që e bën këtë analizë të rëndësishme është fakti se kryeministri nuk e injoroi protestën që prej javësh zhvillohet para Kryeministrisë. Ai nuk pretendoi se ajo nuk ekziston apo se nuk ka ndikim, por la të kuptohet se ka reflektuar mbi mesazhin që ajo përcjell. Në politikë, pranimi se ekziston pakënaqësi është hapi i parë drejt adresimit të saj. Edhe pse qeveria mund të mos ndajë të gjitha pretendimet e protestuesve, vetë pranimi i ekzistencës së një pakënaqësie është një shenjë se situata po analizohet me realizëm.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në të njëjtën kohë, Rama dha edhe një mesazh për Partinë Socialiste. Një fitore historike nuk duhet të krijojë vetëkënaqësi apo ndjenjën se gjithçka është zgjidhur. Përkundrazi, ajo duhet të shërbejë si një alarm për të rritur standardet e qeverisjes dhe për të qenë më pranë qytetarëve. Nëse një shumicë e madhe nuk arrin të dëgjojë kritikat, atëherë rrezikon që fuqia elektorale të kthehet në barrë politike. Realisht ka drejtues institucionesh të rëndësishëm, kryetarë bashkish apo edhe drejtues nëpër ministri që janë kthyer në pashallarë. Nuk duan t’ia dijnë për hallet e qytetarit ose bëjnë sikur punojnë, por mashtrojnë.

Ndaj Rama duhet të bëjë spastrime të forta në administratë, e pse jo edhe në qeveri.

Natyrisht, analiza politike nuk mjafton nëse nuk shoqërohet me vendimmarrje konkrete. Reflektimi duhet të pasohet nga korrigjimi i gabimeve, përmirësimi i administratës, lufta më e fortë kundër korrupsionit, rritja e efikasitetit të institucioneve dhe një komunikim më i drejtpërdrejtë me qytetarët. Vetëm në këtë mënyrë një analizë e drejtë politike merr vlerë praktike.

Në fund, mesazhi i Ramës mund të lexohet si një pranim se Shqipëria po hyn në një fazë të re politike, ku qeveria nuk do të gjykohet më vetëm nga fitoret zgjedhore, por mbi të gjitha nga aftësia për të zgjidhur problemet e përditshme të qytetarëve. Kjo është një analizë realiste e momentit politik dhe një sinjal se edhe vetë mazhoranca e kupton se pushteti i gjatë nuk garanton automatikisht besimin e përhershëm të publikut. Përkundrazi, ai kërkon më shumë përgjegjësi, më shumë reflektim dhe më shumë rezultate.

Kryeministri ka shansin të tregojë se shkarkon pa mëshirë ministra e drejtues institucionesh që janë kthyer barrë për qeverisjen.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Nëse shkohet në zgjedhje cilës parti ia jepnit voten?

Ke arritur limitin e votimit.

Results

PS 3494 (34.8%)
PD 1845 (18.4%)
PROTESTA 4715 (46.9%)

Vota totale: 10054